I ricikluar ky sulm me molotovë ndaj ambasadës izraelite në Meksikë

Keqinterpretimi i videos së protestës pro-palestineze në maj 2024

9

Pretendimi: Protestuesit në Meksikë po sulmojnë ambasadën izraelite me zjarr.

Verdikti: Mungon konteksti

Një profil në rrjetin social Facebook ka shpërndarë në 23 gusht 2026 një video të shkurtër me pretendimin se ambasada izraelite në Meksikë po sulmohet nga protestuesit vendas. 

Pamjet tregojnë një përplasje të ashpër mes dhjetra protestuesve dhe policisë, ndërsa shihen edhe flakë pranë disa ndërtesëva që po sulmohen.

Videoja është shpërndarë si një ngjarje e ndodhur së fundmi, në një kohë kur konflikti në Gaza vijon të shkaktojë protesta dhe reagime në vende të ndryshme.

Megjithatë, pamjet nuk janë të vitit 2026 dhe nuk tregojnë një sulm të fundit ndaj ambasadës izraelite në Meksikë. Një kërkim i pamjeve përmes kërkimit të kundërt të imazhit tregon se videoja qarkullon online të paktën që prej majit 2024.

Edhe kolegët tanë të verifikimit të fakteve nga RFI, kanë verifikuar se pamjet janë filmuar më 28 maj 2024, gjatë një proteste pro-palestineze pranë ambasadës së Izraelit në Mexico City.

Protesta, e quajtur “Action urgente pour Rafah”, mblodhi rreth 200 persona. Gjatë demonstratës pati përplasje mes protestuesve pro-palestinezë dhe policisë meksikane të trazirave. Disa protestues hodhën gurë dhe kokteje molotov, ndërsa policia qëndroi në pozicion mbrojtës përpara ndërtesës.

Pamjet e përdorura në videon që po qarkullon në rrjetet sociale janë pikërisht nga kjo protestë e vitit 2024 dhe jo nga një ngjarje e ndodhur në gusht 2026.

RFI vëren se videoja është bërë virale në rrjetet sociale me miliona shikime. Disa publikime e paraqesin atë si një sulm të sapondodhur ndaj ambasadës, duke i dhënë audiencës përshtypjen se ngjarja ka ndodhur në ditët e fundit.

Fakti që në pamje shihen flakë dhe përplasje pranë ambasadës është i vërtetë, por koha e ngjarjes është ndryshuar