BallinaDezinformimi në kohë krizashLufta në UkrainëHarta e “Polonisë së madhe”, manipulim i propagandës ruse

Harta e “Polonisë së madhe”, manipulim i propagandës ruse

Një hartë e Polonisë që përfshin territore të Ukrainës perëndimore po qarkullon në rrjete sociale për të ‘provuar’ qëllimet imperialiste të Varshavës ndaj fqinjit të saj. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se kjo foto është e manipuluar dhe po përdoret nga propaganda ruse për të përhapur keqinformim.

———————————–

Në një pamje të parashikimit të motit në televizionin shtetëror polak TVP përdoret një hartë ku territori i Ukrainës Perëndimore është përfshirë brenda kufijve të Polonisë. Kjo foto po përdoret, edhe në rrjetet sociale shqipfolëse, për të dëshmuar se Polonia ka ambicie për të pushtuar territore ukrainase, tashmë që Kievi ndodhet i zënë nga lufta me Rusinë.

“Faktoje” zbuloi se kjo foto është në të vërtetë një sajesë.

Fillimisht, parashikimi i motit në televizionin TVP ka një format pamor ndryshe nga ai i treguar në foto, siç shihet më poshtë.

Parashikimi i motit në TVP më 31 dhjetor 2022

Për më tepër, foto e prezantueses së motit duket se është marrë nga një video e televizionit polak Televizja Trwam, nga viti 2020.

Video e parashikimit të motit në Televizja Trwam, më 27 mars 2020

Duket se, me anë të programeve modifikimi fotosh, figura e prezantueses është prerë, vendosur mbi një hartën tendencioze, dhe mbi këtë është vendosur logo e televizionit TVP.

Për të ilustruar sa e thjeshtë për t’u realizuar ky manipulim, “Faktoje” rikrijoi një imazh të ngjashëm, duke përdorur hartën e të ashtuquajturës Shqipëria e Madhe në vend të hartës së Polonisë.

Kreu i Departamentit polak të Sigurisë Kombëtare, Stanisław Żaryn, deklaroi më 18 janar se propaganda ruse po përpiqet të njollosë imazhin e Polonisë, duke e portretizuar atë si “një shtet aventurier në rajon, që po lufton Rusinë përmes një pale të tretë në territorin Ukrainas, dhe si një shtet që planifikon të aneksojë një pjesë të territorit ukrainas.“ Që prej nisjes së konfliktit në Ukrainë, propaganda ruse ka publikuar një sërë lajmesh të rreme që synojnë të krijojnë përarje mes fqinjëve dhe aleatëve të Ukrainës.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img