Ish-futbollisti Brazilian Roberto Carlos nuk u konvertua në Islam

14

Pretendimi: Kjo është pamja e ish-futbollistit brazilian Roberto Carlos pasi u konvertua në Islam

Verdikti: E gjeneruar me AI

Në rrjetet sociale në Shqipëri po qarkullojnë postimendryshme si foto apo video që pretendojnë se ish-futbollisti brazilian Roberto Carlos është konvertuar në Islam. 

Pretendimi shoqërohet me një fotografi ku 53-vjeçari shfaqet i veshur si klerik musliman. Fotografia dhe pretendimi janë shpërndarë nga disa faqe dhe profile në Facebook, ndërsa një video e publikuar në TikTok e paraqet konvertimin e tij drejt fesë muslimane si një ngjarje të vërtetë.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Faktoje ka verifikuar se ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Nga ana tjetër, Roberto Carlos e ka mohuar publikisht se është konvertuar në Islam. Një kërkim në motorin e kërkimit ‘Google’ tregon se disa media kanë raportuar se Roberto Carlos i ka mohuar pretendimet për konvertimin e tij në Islam. 

Në një intervistë për gazetën saudite Okaz, më 19 gusht, Roberto Carlos mohoi zërat për konvertimin e tij në Islam. Ai tha se ka “respektin më të madh për Islamin” dhe se është e bukur të shohë bashkëshorten e tij duke u lutur, por “thashethemet për konvertimin tim në Islam nuk janë të vërteta”.

Një ditë më vonë, më 20 gusht, Carlos reagoi edhe në Instagram. Në një postim në Instagram Story, ai sqaroi se nuk është konvertuar në Islam dhe shprehu respekt për komunitetin mysliman, ashtu si për njerëzit e të gjitha feve dhe besimeve.

“Besimi është diçka thellësisht personale dhe besoj se bindjet e çdo individi duhen respektuar”, shkroi ai, duke shtuar se e pa të nevojshme të sqaronte publikisht situatën për shkak të spekulimeve të fundit.

Edhe kolegët e AFP-së kanë përgënjeshtruar një pretendim të tillë lidhur me futbollistin brazilian. 

Pretendimi u përhap më pas në rrjete sociale dhe në media të ndryshme, duke u lidhur edhe me fotografitë nga martesa e dytë e futbollistit me partneren e tij, një agjente sporti me origjinë marokene.