Protesta/ Mes qepenave të ulur, kafeneve plot, dhe tensioneve me policinë, dy realitetet e Tiranës 

17
Foto e shkeuputur nga protesta para Kuvendit Foto: Atdhe Mulla

Erjon Abule 

Protesta e sotme e “Flamingove” në Tiranë u shoqërua me një prani të konsiderueshme të forcave të policisë, veçanërisht përgjatë Rrugës së Elbasanit, ku situata në terren ishte e dominuar nga forca speciale, furgonët dhe autobotet e policisë.

Në këtë segment të kryeqytetit, më shumë se 500 efektivë, sipas vëzhgimit në terren të Faktoje.al, kishin zënë të dyja anët e rrugës, duke krijuar një perimetër të gjerë sigurie. 

Pesë rreshta me policë të pajisur me skafandra dhe shkopinj gome ishin vendosur në të dyja krahët e Rrugës së Elbasanit, si nga ana e Xhamisë së Namazgjasë, ashtu edhe në drejtim të segmentit që të nxjerr nga Piazza drejt Monumentit të Ushtarit të Panjohur.

Bllokimi

Bllokimi nuk ishte kufizuar vetëm në akset kryesore. Edhe rrugicat dytësore ishin të bllokuara nga policia, duke e bërë të vështirë kalimin drejt zonës pranë Kuvendit. 

Turistë të huaj dhe qytetarë të tjerë ndalonin pranë efektivëve për të kërkuar shpjegime mbi situatën dhe për të kuptuar se cilat rrugë mund të përdornin për të vijuar lëvizjen.

Foto gjate paqartesise per te kaluar ose jo mes qytetareve dhe policise Foto: Erjon Abule Faktoje.al

Në mungesë të një njoftimi zyrtar për qytetarët mbi rrugët e bllokuara dhe alternativat e qarkullimit, një pjesë e njerëzve në zonë shfaqeshin të paqartë se cilin itinerar duhej të ndiqnin. 

Bllokimet e njëpasnjëshme krijonin vështirësi edhe për këmbësorët, të cilët përpiqeshin të gjenin rrugë alternative për të kaluar zonën.

Bizneset 

Ndërkohë, aktiviteti i bizneseve në zonë vijonte në masë të madhe normalisht. Vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre kishin mbyllur qepenat, kryesisht nga frika e trazirave të mundshme. 

Foto e nje argjendarie te mbyllur perballe Kuvendit gjate protestes se lajmeruar Foto: Erjon Abule Faktoje

Pjesa tjetër vazhdonte aktivitetin, ndërsa lokalet dhe njësitë e shërbimit kishin klientë përpos zhvillimeve paralele vetëm pak metra para Kuvendit.

Foto nga momenti i perplasjes nga ana tjeter e rruges Foto: Erjon Abule

Qendra tregtare pranë Kuvendit vijonte të ishte e hapur. Argjendaritë në zonë kishin mbyllur qepenët, ndërsa dyqanet që tregtonin akullore, bar kafetë dhe njësi të tjera shërbimi vijonin aktivitetin dhe frekuentoheshin bollshëm nga klientët.

Pak metra me tutje kishte perplasje mes policise dhe proitestuesve per lirimin e rrugeve Foto: Erjon Abule Faktoje.al

Pamja e krijuar në Rrugën e Elbasanit ishte e pazakontë: një prani e madhe e forcave të rendit, mjete të shumta policie dhe barriera njerëzore në një zonë të frekuentuar të kryeqytetit, ndërsa jeta e përditshme vijonte vetëm pak metra më tej.

Protesta 

Deputetët e të gjitha kaheve politike  hynë të qetë në sallë para orarit të përcaktuar, ndërsa tensioni ndihej më shumë tek forcat e policisë.  Në fillim të seancës, efektivët u qëlluan me vezë dhe domate, ndërsa dy protestues u shoqëruan pasi thyen perimetrin e sigurisë. Gjatë zhvillimit të seancës, jashtë ambienteve u vu re  një prani e qetë e protestuesve.

Pas përfundimit të seancës plenare,, protestuesit të grumbulluar jashtë godinës bllokuan makinën me të cilën po largohej deputetja e PS, Ilva Gjuzi duke qëlluar me vezë e domate. Ndërkohë situata u përshkallëzua rreth 15 minuta pas përfundimit të seancës mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Disa deputetë mbetën të bllokuar në ambientet e Kuvendit, ndërsa forcat e policisë tentuan të krijojnë një hapësirë për kalimin e automjeteve dhe lirimin e rrugës. 

“Policia e krimit”, “Shporrrini hajdutët” ishin disa nga thirrjet e protestuesve. Efektivët e Policisë shoqëruan disa persona gjatë përplasjes, ndërsa Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë iu bashkuan edhe Forcat Shqiponja. “Ju erdhi fundi”, vijonin thirrjet e protestuesve.

Paradoksalisht pak metra me tutje aty ku ishte liruar edhe rruga tek lulishtja para Kuvendit forcat e policisë u panë të gjithë të shkujdesur duke ndjekur zhvillimet në celular.    

Foto nga forcat e Policise duke pare celular ndersa pak metra me tutje vijonin perplasjet per lirimin e rrugeve Foto: Erjon Abule

Seanca 

Më herët, seanca e parë plenare për këtë sesion në Kuvend u mbyll pa debate politike.

Me refuzimin për të vijuar me votimin për propozimin e Taulant Ballës për zgjedhjen e Evis Kushit si zv.kryetare të Kuvendit (duke pasuar Klodiana Spahiun), opozita u largua nga salla.

Pas votimit të dekretit të presidentit Bajram Begaj për emërimin e Klodiana Spahiut si ministre të Shëndetësisë, kryetari Niko Peleshi njoftoi mbylljen e seancës plenare.