Propozimi i reformës territoriale e ka vendosur Kavajën në një pozitë disi të veçantë.
Kavaja është një bashki e drejtuar nga Partia Demokratike e cila kërkon rikthimin te një harte me 100 bashki, duke kundërshtuar modelin me 46 njësi vendore. Por, kur debati zbret në nivel lokal, Kavaja nuk duket se e sheh hartën e re territoriale si një skenar për t’u kundërshtuar.
Përkundrazi, bashkimi me Rrogozhinën shihet si një mundësi për një bashki më të madhe, ku turizmi i Kavajës dhe potenciali bujqësor i Rrogozhinës do të mund të funksiononin së bashku.
Mes të qenit një bashki që politikisht mbështet 100 bashki, por lokalisht nuk thotë “jo” ndaj bashkimit, Kavaja duket se e ka gjetur zgjidhjen duke mbajtur një qëndrim pragmatik ndaj Rrogozhinës.
Qasja vihej re edhe gjatë dëgjesës publike për reformën territoriale të zhvilluar së fundmi në qytetin e Kavajës.
Takimi mezi arriti të mblidhte pjesëmarrës. Pasi u shty për rreth një orë në pritje të disa syresh prej tyre, në sallë u mblodhën me terësi rreth 10 qytetarë.
Sipas zyrtarëve të bashkisë, në dy takimet e tjera të zhvilluara më herët, në fshatrat Helmes dhe në Luz i Vogël, pjesëmarrja e banorëve kishte qenë më e lartë.

Por megjithatë, ata pak qytetarë që morën pjesë, e shihnin bashkimin me Rrogozhinën si të drejtë e madje si një korrigjim të territoreve që duhej të ishte bërë më kohë.
Rrogozhina si bashkim “natyral”
Në Kavajë bashkimi me Rrogozhinën shihet më shumë si një plotësim ekonomik.
Kavaja ka detin, turizmin dhe ekonominë që lidhet me bregdetin. Rrogozhina ka një profil më të fortë bujqësor. Dy territoret, sipas kësaj qasjeje, nuk do të konkurronin domosdoshmërisht me njëri-tjetrin, por do të mund të plotësonin njëri-tjetrin.
Edhe historia përdoret si argument.
Mbështetësit e bashkimit rikthejnë në diskutim faktin se Rrogozhina ka qenë në të kaluarën pjesë e Kavajës. Kështu, bashkimi nuk shihet si krijimi i një lidhjeje të re, por si rikthim i një hapësire që ka ekzistuar më parë.
Një Kavajë me Rrogozhinën do të shtrihej deri në lumin Shkumbin, në kufi me territorin e Lushnjës, duke sjellë nën administrimin e saj edhe zona të reja bregdetare dhe natyrore.
Mes tyre përmenden Plazhi i Grethit, Plazhi i Spillesë dhe Guri i Lëmuar, si edhe territori pyjor i zonës.
“Nëse Rrogozhina bashkohet sot me Kavajën, ne po rregullojmë një ndarje që nuk u bë siç duhet atëherë”, tha një prej banorëve në dëgjesë.
I njëjti argument është artikuluar edhe më herët nga kryebashkiaku Fisnik Qosja. Në një intervistë ai e cilësoi reformën territoriale të vitit 2015 si “një gabim”, duke argumentuar se disa prej fshatrave që sot janë pjesë e Rrogozhinës, kryesisht Kryevidhi, Lekaj, Gërrmani dhe Gosa kanë lidhje me Kavajën.
“Po t’i thuash dikujt nga këto fshatra nga je, ai do të thotë jam nga Kavaja”, tha Qosja.
A mund ta përballojë Kavaja një bashki më të madhe?
Por zgjerimi i territorit nuk sjell vetëm më shumë mundësi. Sjell edhe më shumë përgjegjësi për bashkinë që do ta administrojë.
Nënkryetari i Bashkisë Kavajë, Genc Gjylsheni, nuk sheh ndonjë problem në këtë drejtim.
I pyetur nga Faktoje.al nëse Kavaja do të ishte ekonomikisht e aftë të përballonte një territor dhe popullsi më të madhe pa cenuar shërbimet për banorët e saj, Gjylsheni vëren se bashkia i ka kapacitetet njerëzore dhe profesionale për ta përballuar një zgjerim të tillë.

“Specialistët dhe ekspertët që ka aktualisht bashkia kanë dëshmuar se mund të menaxhojnë zhvillimin e qytetit, ndërsa me ekspertë, konsulentë dhe grupe interesi mund të përballohet edhe një bashki e zgjeruar me Rrogozhinën”, thotë ai për Faktoje.al
Shkëmbi i Kavajës, kërkesa e banorëve për zgjerimin e territorit
Për banorët që morën pjesë në dëgjesë, një Kavajë më e madhe nuk do të duhej të ndalej vetëm te Rrogozhina.
Në diskutim u ngrit edhe Shkëmbi i Kavajës. Banorët kërkuan që kufijtë e bashkisë të shtrihen deri atje, duke e konsideruar zonën të lidhur ngushtë me Kavajën dhe me zhvillimin e saj.
“Ne duam një Kavajë që të ketë mundësi të administrojë dhe të zhvillojë edhe zonat që lidhen natyrshëm me të. Shkëmbi i Kavajës është një prej tyre”, tha një prej banorëve të moshuar në dëgjesë.

Kërkesa merr një tjetër peshë edhe për shkak të karakterit turistik të zonës. Nëse Rrogozhina do t’i shtonte Kavajës një territor me potencial të madh bujqësor, Shkëmbi i Kavajës do të sillte në diskutim një tjetër aset: bregdetin dhe turizmin.
Në këtë mënyrë, qytetarët duket se po e shohin reformën jo vetëm si një çështje kufijsh në hartë, por si një mundësi për të zgjeruar edhe hapësirën ekonomike të bashkisë.
Por kjo dëshirë për zgjerim vjen në një moment kur vetë modeli i reformës mbetet i diskutueshëm.
Kavaja nuk po kërkon të mbetet domosdoshmërisht jashtë një riorganizimi të ri territorial. Përkundrazi, drejtuesit vendorë dhe banorët që folën në dëgjesë duket se janë të gatshëm ta shohin ndryshimin si një mundësi, nëse ai sjell një territor që i shërben më mirë bashkisë.
Për Kavajën, duket se çështja nuk është vetëm sa bashki do të ketë Shqipëria, por çfarë Kavaje do të ketë harta e re.
Nëse Shqipëria do të shkojë drejt 100 bashkive, Kavaja do të mbetet siç është.
Por nëse harta do të shkojë drejt 46 njësive, sipas linjës së PD-së, Kavaja po e sheh bashkimin jo si një humbje të identitetit të saj, por si një mundësi për t’u zgjeruar dhe për të përfshirë territore me potencial të ri ekonomik e turistik.






