BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVideo e robotit që sulmon punonjësin, e shkëputur nga një film

Video e robotit që sulmon punonjësin, e shkëputur nga një film

Një video që duket se tregon një robot që ‘nevrikoset’ dhe ‘sulmon’ një punëtor fabrike po qarkullon në rrjet. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video nuk është xhiruar në jetën reale, por është prodhim i një kompanie filmi, krijuar me programe kompjuterike.

—————————————–

Një video që duket sikur është xhiruar nga një kamera sigurie pretendon se tregon një robot që sulmon një punonjës në një fabrikë. Video është shpërndarë edhe në rrjetet sociale shqipfolëse, ndër të tjerë, edhe nga analisti i teorive konspirative Alfred Cako.

Video 22-sekondëshe nis duke na treguar një linjë prodhimi në një fabrikë. Një robot duket se bën një gabim gjatë procesit së prodhimit. Si pasojë, roboti tjetër, që vjen pas tij në linjën e prodhimit, duket se ‘nevrikoset’ dhe thyen një pajisje pranë tij. Një punonjës fabrike duket se po përpiqet ta ‘qetësojë’ robotin si të ishte një kafshë e egërsuar. Si përgjigje, roboti e godet punonjësin dhe fillon të thyejë gjithçka përreth tij. Video mban një titull në anglisht: roboti sulmon punonjësin, një prej skenarëve të supozuar shpesh në rrjetet sociale për të ardhmen e kontrolluar nga robotët dhe inteligjenca artificiale. 

Nëse ky përshkrim i përngjason një skenari të shkurtër filmi, kjo është sepse video e shpërndarë në rrjet është në fakt prodhim i një kompanie filmi nga Georgia, ShBA, e quajtur Sozo Bear Flims.

Video është postuar për herë të parë në llogarinë e njërit prej pronarëve të kompanisë në TikTok, më 31 janar 2022.

Në Mars të 2022, kompania Sozo Bear Films publikoi një video kur shpjegohej se si e kishin prodhuar videon e sulmit robotik, me anë të programeve kompjuterike Blender dhe Adobe After Effects, që përdoren në prodhimin e animacioneve, si më poshtë:

Në fund të videos shpjeguese, njëri nga bashkëpronarët e kompanisë thotë: “Ne donim të bënim diçka që dukej e vërtetë, por në të njejtën kohë, donim edhe të tregonim një histori, prandaj i dhamë robotit disa ‘ndjenja’, gjë që i bëri shumë njerëz ta kuptojnë se video ishte krijuar me kompjuter.”

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img