.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookUshtria serbe nuk përdori “armë zanore” kundër protestuesve

Ushtria serbe nuk përdori “armë zanore” kundër protestuesve

Pretendimi: Ushtria serbe përdori armë zanore kundër protestuesve të mbledhur në Beograd

Verdikti: E paprovuar

Në artikuj të shpërndarë në mediat online në vendin tonë thuhet se forcat e sigurisë serbe përdorën një armë zanore të nivelit ushtarak për të shpërndarë dhe trembur protestuesit në një tubim të madh antiqeveritar që u mbajt më 15 mars në Beograd.

Ja momenti kur shpërthen ‘topi zanor’ në Beograd”- shkruajnë mediat online.

Postimet e shpërndara online

Pamjet e publikuara tregojnë një grup protestuesish që po kishin bllokuar një nga rrugët kryesore në Beograd. Në momentin që po mbahej një minutë heshtje për viktimat e stacionit të treni në Novi Sad, që është edhe arsyeja e këtyre protestave, turmën e kapi paniku dhe të gjithë largohen nga rruga duke parë nga pas me frikë. Audio e videos nuk zbulon një zhurmë të fortë pavarësisht se në ato momente po mbahej heshtje. Ndërkohë, largimi i turmës duket si një proçes zinxhir i nxitur nga ikja e pjesës së fundit të turmës dhe të tjerët që e ndoqën në panik.

Gjatë protestave të javëve të fundit janë regjistruar të paktën dy raste të mjeteve civile që kanë sfiduar bllokimet e rrugëve dhe kanë përplasur protestuesit duke krijuar pasiguri ndaj studentëve dhe protestuesve të tjerë për sulme të ngjashme.

Mirëpo, deri më tani nuk ka asnjë informacion nëse kemi të bëjmë me një “top zanor”, siç pretendohet në artikujt e shpërndarë online.

Zyrtarët serbë mohuan të dielën se forcat e sigurisë përdorën një armë akustike të gradës ushtarake për të shpërndarë dhe frikësuar protestuesit në protestën kundër qeverisë në Beograd.

Kjo është mohuar në një deklaratë edhe nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç. “Është një gënjeshtër e shëmtuar”- tha ai në një fjalim drejtuar kombit.

Më tej, lideri serb shtoi: “Kam pasur mundësinë të shoh këtë armë jashtë shtetit dhe ajo lëshon një tingull të fortë dhe shqetësues. Ky tingull nuk u dëgjua në rrugët e Beogradit të shtunën në mbrëmje. Duhet gjithashtu të ndiqen penalisht ata që e publikuan një gënjeshtër kaq të turpshme”.

Zyrtarët e opozitës dhe grupet e të drejtave të njeriut në Serbi denoncuan përdorimin e kësaj arme akustike bazuar mbi zhurmën e dëgjuar nga turma e protestuesve. Ata thanë se do të paraqesin akuza në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në gjykatat vendase kundër atyre që urdhëruan sulmin.

Sipas ekspertëve, përdorimi i një arme të tillë është i paligjshëm, referuar ligjit të policisë serbe.

Më shumë se 100,000 njerëz u mblodhën në Beograd të shtunën në një protestë masive, e cila u pa si kulmi i protestave disa mujore kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij. Protesta ishte pjesë e një lëvizjeje kombëtare kundër korrupsionit, që shpërtheu pas shembjes së një strukture betoni në një stacion treni në Novi Sad në nëntor, ku humbën jetën 15 persona.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img