BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKëshillat e pasakta mjekësore për gjendrat dhjamore

Këshillat e pasakta mjekësore për gjendrat dhjamore

Mos harxhoni kot ushqimet si veza e mjalti në këto kohëra rritjeje çmimesh për të trajtuar probleme shëndetësore. Këshilla që sugjerohen nga faqet online për trajtimin në kushte shtëpie të gjendrave dhjamore apo lipomave, rezulton se është e pavërtetë dhe nuk mbështetet në asnjë studim apo provë jetësore.

Granit Sokolaj

Statistikat tregojnë se një në njëqind persona midis moshës 40-60 vjeç zhvillon lipoma (gjendra dhjamore nën lëkurë, jo kancerogjene). Për këtë arsye, edhe trajtimi i tyre bëhet shpesh herë objekt diskutimi, por edhe abuzimi për shkak të interesit të madh që ka tek njerëzit e prekur të cilët duan të ‘shpëtojnë’ prej këtyre masave dhjamore me sa më pak dhimbje e kosto.

Një këshillë e postuar më 5 shtator nga faqja në Facebook “Shëndeti i Njeriut”, u këshillon personave të prekur nga këto gjendra të kurojnë masat dhjamore me produkte që gjenden lehtësisht në kuzhinën e tyre.

Këshilla e sugjeruar nga “Shëndeti i njeriut” në Facebook

Ky lajm i publikuar më parë në dhjetor 2021 nga portali the24hrnews.com, është ndarë (share) plot 175 herë në Facebook nga lexues të ndryshëm.

“Një nga mjetet praktike kundër lipomas përbëhet nga përzierja e një veze me 2 lugë kripë. Përbërja e fituar duhet të aplikohet 4 herë në ditë dhe tashmë pas 24 orësh lipoma do të ketë zvogëluar madhësinë e saj,” shkruan kjo faqe. Madje ajo shkon më tej, duke shtuar se një alternativë tjetër kurimi është duke përdorur një përzierje të mjaltit dhe miellit dhe aplikimit ët tyre me një garzë mbi lëkurën.

Më herët lajmi i publikuar në faqen online the24hrnews.com

 Përballë këshillave të tilla është rasti të thuhet: Mos i provoni këto metoda në shtëpi!

Faktoje verifikoi më tej studimet shkencore dhe rekomandimet e klinikave më të njohura shëndetësore, të cilat theksojnë se e vetmja mënyrë për të hequr lipomat është kirurgjia. Nuk ka asnjë provë, studim apo përvojë njerëzore që të vërtetojë se lipomat mund të hiqen apo trajtohen me trajtime të tilla apo sic thuhet në Shqipëri “me mjekime popullore”. E kundërta është e vërtetë.

Sipas rekomandimit të Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në Angli NHS, lipomat nuk shkaktojnë dhembje dhe zakonisht shumë njerëz nuk i trajtojnë ato, pasi nuk kanë asnjë pasojë në shëndet përveç aspektit estetik. Sigurisht, këshilla kryesore për ata që dëshirojnë të shpëtojnë nga këto gjendra është këshillimi me mjekun dhe më pas ndërjyrka kirurgjikale në klinika të specializuara.

Po kështu, edhe Mayo Clinic, qendra më e njohur mjekësore amerikane shpjegon se nëse lipomat kthehen në shqetësim për personat që i kanë ato mund të hiqen me rekomandimin e mjekut. Mënyrat e heqjes së lipomas janë nëpërmjet kirurgjisë dhe thithjes me anë të një gjilpëre.

E para, heqja kirurgjikale bën të mundur prerjen e masës dhjamore. Përsëritja e tyre mund të ndodhë, por në raste të rralla. Efektet e mundshme të kësaj ndërhyrjeje janë mavijosja e zonës ku bëhet prerja dhe teknika konsiderohet shumë e suksesshme dhe efektive. Ndërsa mënyra e dytë, mundëson heqjen e gjendrave dhjamore nëpërmjet shiringave të posaçme që mundësojnë shkrirjen e masës dhjamore dhe eleminimin e tyre.

Këshilla të tilla në internet mbeten jo vetëm keqinformuese, por edhe rrezikojnë që të shtyjnë lexuesit e tyre drejt zgjidhjeve që mund të dëmtojnë shëndetin apo vonojnë vizitën tek mjekët specialistë.

 

Shënim: Data 26 tetor 2022:

Portali https://web.news32media.com/ e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje, https://web.news32media.com/u-jane-shfaqur-gjendra-dhjamore-ja-si-mund-ti-zhdukni/ Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook

 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img