Pretendimi: Qeveritë e botës manipuluan motin dhe krijuan uraganin ‘Milton”

Verdikti: E pavërtetë

Teoritë e zakonshme komplotiste që shpërndahen pas çdo uragani apo fatkeqësie tjetër natyrore, kanë gjetur jehonë edhe në debatet politike gjatë fushatës së fundit presidenciale në ShBA.

Një nga teoritë e promovuara në rrjetet sociale kohët e fundit është pretendimi se uragani Milton, i cili përfshiu Floridën në fillimin e muajit tetor, ishte krijuar nga qeveria amerikane falë teknologjive të manipulimit të motit.  

Një video që po ndahet edhe nga përdoruesit shqiptarë,  pretendon se “Ndryshimi i klimës nuk ka ardhur nga natyra, por është manipuluar, krijuar dhe nxitur nga qeveritë në mbarë botën. Ushtria dhe FBI po merren me këtë krim prej dekadash…”

Ky pretendim u publikua në mediat sociale edhe nga kongresmenja republikane e shtetit të Georgia, Marjorie Taylor Greene, duke nxitur më tej promovimin e akuzave ndaj programeve të “gjeoinxhinierisë”, një term që përshkruan përpjekjet për të manipuluar mjedisin për të frenuar ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Presidenti amerikan Joe Biden, përgënjeshtroi në një fjalim në 9 tetor këtë akuzë duke e përshkruar atë si “përtej qesharakes” dhe “budallallëk që duhet të marrë fund”.

“Gjatë javëve të fundit, ka pasur një promovim të pamatur, të papërgjegjshëm dhe të pamëshirshëm të dezinformatave dhe gënjeshtrave të drejtpërdrejta që shqetësojnë njerëzit. Kjo po minon besimin në punën e jashtëzakonshme të shpëtimit dhe rikuperimit që tashmë është ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmerret, dhe është e dëmshme për ata që kanë më shumë nevojë për ndihme”- u shpreh presidenti Biden.

Pavarësisht përhapjes së teorive të konspiracionit, për të cilat Faktoje.al ka shkruar dhe më parë, faktet shkencore janë të qarta: uraganet janë ngjarje natyrore që ndodhin për shkak të kushteve atmosferike dhe detare.

Të gjitha studimet dhe prova shkencore provojnë se nuk ka asnjë teknologji në dorën e njeriut të aftë të krijojë ose të kontrollojë uragane.

Ajo që duhet të theksohet është fakti që ndryshimet klimatike po i bëjnë uraganet më të fuqishëm dhe shkatërrues si dhe më të shpeshtë.