
Në programin e saj, kryebashkiakja e Vlorës Brunilda Mersini ka premtuar eliminimin e 20 pikave të paligjshme të hedhjes së mbetjeve, duke e paraqitur këtë ndërhyrje si një prej masave kryesore për transformimin e menaxhimit të mbetjeve në qytet.
Objektivi në këtë rast është i qartë: një Vlorë më e pastër brenda një periudhe të shkurtër, me rezultate të dukshme për qytetarët dhe vizitorët.
Shifra
Sipas programit, Mersini ka përcaktuar edhe shifra konkrete: eliminimin e pikave të paligjshme të depozitimit të mbetjeve, instalimin e 100 kontenierëve për ndarjen e mbetjeve në burim në Rajonin 3 dhe rinovimin e logjistikës me 800 kontenierë të tjerë, 300 të mëdhenj dhe 500 të vegjël.
Për menaxhimin e mbetjeve, programi paraqet një buxhet të përgjithshëm prej 732 milionë lekësh për periudhën 2025–2028.
Ndërkohë, afati i vendosur për eliminimin e pikave problematike ishte brenda 12 muajve nga koha e shpalljes së programit (në nëntor 2025) , megjithëse projekti mban emrin “Vlora e Pastër 180”, duke iu referuar synimit për ndryshime të dukshme brenda gjashtë muajve.
Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion se çfarë u bë me 20 pikat një vit pas premtimit të kryebashkiakes Brunilda Mersini.

Fillimisht në përgjigjen e parë, Bashkia Vlorë kërkoi se për cilat pika bëhej fjalë dhe ku ishim referuar.
Faktoje e orientoi zyrën e koordinatorit të Bashkisë Vlorë tek programi që kryetarja e Bashkisë kishte publikuar në faqen e saj.
Pas Faktoje i dërgoi edhe linkun referues, në një përgjigje të dytë Bashkia e Vlorës nuk shpjegoi sërish cilat ishin hotspotet problematike, por u përgjigj se, “pikat e evidentuara si vende të depozitimit të paligjshëm të mbetjeve, janë pastruar nga strukturat përgjegjëse”.
Sipas saj, monitorimi dhe ndërhyrjet në terren janë intensifikuar, veçanërisht gjatë sezonit turistik, me qëllim parandalimin e krijimit të vatrave të reja dhe garantimin e vijimësisë së shërbimit të pastrimit.
Bashkia thekson gjithashtu se Ndërmarrja e Pastrimit ka trajtuar problematikat e evidentuara dhe ka marrë masat e nevojshme për ruajtjen e pastërtisë, në bashkëpunim me strukturat përkatëse.



Faktoje në terren
Në mungesë të pikave që duhet të identifikonte, Bashkia e Vlorës bazuar në programin zyrtar të kryetares së Bashkisë, Faktoje ndoqi një verfikim të pavarur nisur nga burime nga brenda Menaxhimit të Integruar i Mbetjeve që është në varësi të institucionit.
Nga informacioni i marrë në këtë rrugë, Faktoje kontrolli pesë pika që iu vunë në dispozicion kur tre prej tyre rezultuan me mbetje urbane, ndërsa tek dy të tjerat nuk konstatuam gjurmë mbetjesh.
Konkretisht, te fusha e mbetjeve urbane te lagjja “24 Maji”, e përfshirë herë pas here nga vatra zjarri, duke shkaktuar përhapjen e tymit toksik në zonë, shihej një grumbull mbetjesh urbane në të djathtë të shinave të hekurudhës, ndërsa vendi rrethohej nga një kanal ujor.
Pranë mbetjeve, dalloheshin dy fadroma, të cilat ndodheshin në të dyja anët e “malit” me mbeturina.
Tek ish-fusha e aviacionit, jo shumë larg qendrës së Vlorës, fusha nuk ishte pastruar plotësisht, ku pirgjet me dhera dhe mbetje të materialeve të ndërtimit, përfshirë dhe goma makinash, dukeshin me sy të lirë.


Në një tjetër pikë (ajo e treta), te fusha e mbetjeve të hyrje të Orikumit, mbeturinat ishin shpërndarë në një sipërfaqe të dukshme pranë një kantieri ndërtimi.
Zona e rrethuar me shkurre, tela dhe bimësi, e bënte të vështirë identifikimin e tyre nga rruga kryesore.
Në dy pika të tjera (siç na u referuar që duhet të ishin atje), në Mifol dhe Panaja, nuk u arrit të identifikoheshin vendgrumbullimet e raportuara, ndërsa banorët e pyetur nuk kishin informacione për vendndodhjen e tyre.
Ndërkohë, në tri prej pikave të tjera që na u referuan si problematike, sipas informacioneve të marra, Bashkia kishte ndërhyrë për pastrimin e tyre, pasi ato ishin kthyer në vende të depozitimit të mbetjeve.
Si në aksin kryesor të rrugës Babicë e Madhe-Sherishtë, i kthyer në vengrumbullimi mbeturinash, ishte ndërhyrë, ashtu dhe në zonën e plazhit publik në Zvërnec dhe në rrugën Spital-Babicë e Madhe.


Përfundimi
Bazuar në përgjigjen e Bashkisë Vlorë (që fillimisht nuk ishte në dijeni as të programit të kryebashkiakes që kishte premtuar eliminimin e 20 hispoteve) dhe nga verifikimi në terren që Faktoje ndërmori duke i nisur nga informacionet e pavarura që ajo mori nga burime të MIM, rezulton se premtimi për eliminimin e pikave të paligjshme të depozitimit të mbetjeve deri në këtë fazë mbetet i pambajtur.
Kështu, Vlora dhe rrethinat e saj vazhdojnë të përballen me problemin e depozitimit të mbetjeve në pika të ndryshme.
Për qytetarët, rëndësi ka jo vetëm nëse Bashkia ka ndërhyrë një herë, por nëse zonat mbeten të pastra dhe nëse parandalohet krijimi i vendgrumbullimeve të reja.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.





