Pretendimi: Ministri i Brendshëm polak ka pranuar se ka përhapur dezinformim lidhur me motivin e terroristit të Krakovit, duke pretenduar se sulmuesi ishte i “ekstremit të djathtë” kur, në të vërtetë, ai ishte anëtar i Antifa
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————————————–
Pas një sulmi me armë që la 6 persona të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Krakov të Polonisë më 7 nëntor 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse po qarkullon pretendimi se ministri i Brendshëm polak ka pranuar se ka përhapur dezinformim lidhur me motivin e terroristit. Sipas këtij pretendimi, terroristi nuk ishte i “ekstremit të djathtë”, por komunist dhe anëtar i lëvizjes së majtë Antifa.

Ironikisht, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Të shtunën e 7 nëntorit, 24-vjeçari Michał Oksiński hyri me automjet në sheshin kryesor të Krakovit dhe hapi zjarr, duke vrarë 6 persona dhe duke plagosur 16 të tjerë, përfshirë dy oficerë policie dhe veten e tij. Ai u arrestua pas një shkëmbimi zjarri me policinë.
Të dielën, prokurorët nisën një hetim për terrorizëm, duke deklaruar se provat tregojnë se ai kishte vrarë gjithashtu tre persona në Ostrowiec Świętokrzyski, të cilët janë identifikuar si prindërit dhe motra e tij. Qeveria polake shpalli datat 8 dhe 9 nëntor si ditë zie kombëtare.
Më 7 nëntor, ditën e masakrës, ministri polak i Punëve të Brendshme Marcin Kierwiński tha se “sulmuesi kishte pikëpamje shumë radikale.” Ai shtoi gjithashtu se “gjithçka tregon se ai ishte i magjepsur me ideologjitë e të djathtës ekstreme.”
Jarosław Kaczyński, kryetar i partisë opozitare Ligj dhe Drejtësi (PiS), i quajti deklaratat e ministrit një “gënjeshtër të pastër.” Një numër deputetësh dhe politikanësh të të djathtës dhe të djathtës ekstreme gjithashtu kritikuan deklaratën e ministrit.
Ministria e Punëve të Brendshme më vonë e tërhoqi këtë vlerësim, duke bërë thirrje për përmbajtje derisa prokuroria të paraqesë gjetjet e saj dhe Kierwiński tha se motivet e autorit mbeten të paqarta dhe se ai po hamendësonte.
“Gjithashtu thashë se kjo kërkon verifikim. E di që kjo po shkakton emocione të forta, veçanërisht në krahun e djathtë të spektrit politik. Nuk është qëllimi im të nxis emocione; gjithçka duhet të verifikohet imtësisht,” shpjegoi ministri më 8 nëntor në TVN24. “Gjithmonë ka informacione fillestare dhe pista të para, prandaj edhe bëra atë deklaratë,” tha Kierwiński. Sipas tij, policia është ende duke e hetuar këtë pistë, por nuk ka nxjerrë ende përfundime.
Më 9 nëntor, Przemysław Nowak, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit Kombëtar tha për mediat: “Nuk kemi të dhëna që do të na lejonin të përcaktonim, të vërtetonim ose të vlerësonim në mënyrë kategorike motivin. Nuk kemi probabilitet të mjaftueshëm për ta thënë këtë me përgjegjësi, kështu që nuk po e themi këtë. Nuk e dimë motivimin, nuk e dimë frymëzimin.”
Njësoj, nuk ka prova se terroristi kishte bindje të majta, ishte pjesë e ndonjë organizate të vetëquajtur antifashiste (“antifa”) apo komuniste.
Më 10 nëntor, Ministri i Drejtësisë i Polonisë, Waldemar Żurek, tha se hetuesit deri më tani kishin gjetur “gjurmë shumë të forta të ekstremizmit të krahut të djathtë” në aktivitetin e terroristit. Historiku i kërkimeve të autorit përfshinte faqe interneti që lidheshin me Anders Breivikun, terroristin norvegjez të ekstremit të djathtë, i cili vrau 77 persona gjatë dy sulmeve në vitin 2011.
Żurek, i cili shërben gjithashtu si Prokuror i Përgjithshëm, foli lidhur me ecurinë e hetimit. Ai konfirmoi se autori nuk kishte lënë pas asnjë letër apo ndonjë lloj tjetër mesazhi që të zbulonte motivet e tij.
“Këto motive po hetohen,” tha ministri. “Ka gjurmë shumë të forta të ekstremizmit të krahut të djathtë. Tashmë mund të konfirmoj disa informacione, pasi shërbimet kanë qasje në kompjuterin e autorit. Në fakt, janë vërejtur vizita në faqe interneti që lidhen me Anders Breivikun.”
Żurek vuri në dukje gjithashtu faktin se, siç njoftuan prokurorët të dielën, në shtëpinë e Oksiński ishte gjetur i ashtuquajturi flamur “Gadsden” (që shfaq një gjarpër mbi fjalët “Mos më shkel”).
Megjithëse Prokuroria theksoi se flamuri nuk lidhet me ndonjë ideologji apo organizatë të caktuar, Żurek vuri në dukje se ai u shfaq gjatë sulmit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara nga mbështetësit e Donald Trump në vitin 2021.
“E dimë mirë se gjatë sulmit në Kapitol, kishte mjaft flamuj të tillë mes grupeve të ekstremit të djathtë në Shtetet e Bashkuara,” tha ministri. “Ky flamur [në shtëpinë e Oksiński] përcjell gjithashtu një sinjal për shërbimet e sigurisë dhe prokurorinë.”
Żurek shtoi se gjatë kontrollit në vendin e punës së autorit u gjetën gjithashtu “elemente simbolike që mund të tregojnë për këtë linjë [të ekstremizmit të djathtë]”, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Megjithatë, ministri vuri në dukje se hetuesit po marrin në konsideratë edhe mundësinë që “çrregullimet mendore” të kenë ndikuar në veprimet e Oksiński
Żurek tha se “duket se ajo që ministri Kierwiński komunikoi në ato orët e para, konfirmohet nga provat.”






