Dosja e një prej hetimeve më të rëndësishme të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë kalon në gjykatë.
Prokuroria e Posaçme njofton se ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 136/2025 dhe ka dërguar për gjykim ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, 25 persona të tjerë fizikë dhe dy shoqëri tregtare, të akuzuara për përfshirje në një skemë të dyshuar korrupsioni dhe manipulimi të procedurave të prokurimit publik.
Sipas SPAK, Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim, në 9 raste, korrupsion pasiv, fshehje të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Hetimet pretendojnë se ajo ka ndërhyrë dhe orientuar procedurat e prokurimit për të paracaktuar fituesit e kontratave publike, duke favorizuar kompani të caktuara në këmbim të përfitimeve të parregullta, përfshirë pasuri të paluajtshme.
Përveç njoftimit zyrtar, lajmi është konfirmuar edhe nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi informal me gazetarët, ku ishte i shoqëruar edhe nga dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Braho pohoi se për hetimin e kësaj çështjeje janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së hetimit.

Dyshimet e SPAK
Në fokus janë nëntë procedura tenderimi të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe një procedurë e Albcontrol, me vlerë të konsiderueshme financiare.
Mes tyre janë ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, lotet 1, 2 dhe 4-7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, segmentet Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, rruga Porto Romano–Durrës dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol.
Një nga gjetjet kryesore të hetimit lidhet me dëmin ekonomik prej rreth 7.5 miliardë lekësh ndaj shtetit, i konstatuar nga ekspertimet dhe hetimet e SPAK në lidhje me përllogaritjen dhe rishikimin e preventivave të Tunelit të Llogarasë.
Konkretisht, përllogaritja e fondit limit dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 2 miliardë lekësh, ndërsa miratimi i preventivit të rishikuar gjatë zbatimit të kontratës një dëm tjetër prej rreth 5.47 miliardë lekësh.

Tenderët dhe mekanizmi
Sipas akuzës, në tenderin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit rreth 18.96 miliardë lekë pa TVSH, Balluku ka orientuar procedurën në favor të bashkimit të kompanive turke “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”.
Ndërsa në tenderat e tjerë dyshohet se janë favorizuar shoqëritë “Salillari”, “4A-M & ED Konstruksion” dhe “IDK Konstruksion”, “Albstar”, “Euroteorema Peqin”, “PE-VLA-KU” dhe “Nova Construction”, “G.P.G Company” dhe “Senka”, “Gjoka Konstruksion”, “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”, si dhe “Geci” dhe “Eurocol”.
SPAK pretendon se mekanizmi i favorizimit përfshinte ndërhyrjen në përcaktimin e kritereve të tenderave, shkurtimin e afateve të paraqitjes së ofertave, kufizimin e konkurrencës dhe kualifikimin e operatorëve ekonomikë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit.
Të pandehurit
Në dosjen e dërguar në gjykatë janë përfshirë edhe ish-drejtues dhe punonjës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar: Viola Haxhiademi, Evis Berberi, Ergys Verdho, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Genti Raça, Miranda Shkurti, Jetmira Dervishi, Mirzeta Kashnica, Jonida Çeçe, Klarita Konomi, Arbër Troka, Adja Strazimiri, Anila Sulollari, Adrian Kroi, Gëzim Noni, Nikollaq Mihali, Eduart Agalliu, Arlinda Gordani, Denis Xhoxhi dhe Dhurata Lazaj.
Në mesin e të pandehurve janë edhe Joana Bushi, Igli Tare, Pandeli Carapuli dhe Arbër Abazi, ndaj të cilëve rëndojnë akuza që lidhen me pastrimin e parave, korrupsionin aktiv dhe falsifikimin e dokumenteve.
Në proces janë përfshirë edhe dy persona juridikë, “Alko Impex General Construction” dhe “Eurocol”.

Pasuritë e sekuestruara
Një tjetër pjesë e rëndësishme e dosjes lidhet me pasuritë e dyshuara të përfituara nga Balluku në këmbim të favoreve në tendera.
Sipas SPAK, ish-ministrja dyshohet se ka përfituar dhe fshehur përmes dokumentacionit fiktiv dy vila në zonat turistike të Palasës dhe Dhërmiut, të regjistruara në emër të Igli Tares.
Bëhet fjalë për vilën në kompleksin “Green Coast”, në Palasë, me vlerë të përllogaritur 1.11 milionë euro, dhe vilën F6 në resortin “White Rocks”, në Dhërmi, me vlerë aktuale tregu 720 mijë euro. Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara arrin në 1.83 milionë euro.
Sipas hetimeve, vila në Palasë dyshohet se është financuar fillimisht me 250 mijë euro nga ish-futbollisti i kombëtares Igli Tare, ndërsa punimet e mëtejshme janë kryer nga Arbër Abazi, në një vlerë që SPAK e lidh me favorizimin e kompanisë “Alko-Impex” në tenderin e Unazës së Tiranës, Loti 7.
Ndërsa vila në Dhërmi, me vlerë 145 mijë euro në kontratën e porosisë, dyshohet se është përfituar në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në tenderin e Albcontrol.

Kërkesa (e rrëzuar) për arrestim
Gjatë takimit me gazetarët, kreu i SPAK, Klodian Braho, u ndal te ecuria procedurale e hetimit dhe kërkesa e mëparshme për marrjen e autorizimit nga Kuvendi.
Ai sqaroi se SPAK kishte paraqitur një kërkesë vitin e kaluar dhe përfaqësuesit e institucionit kishin marrë pjesë në seancën e Këshillit të Mandateve, por Kuvendi kishte vendosur mospranimin e kërkesës.
“Kuvendi, në këtë vendim, ka bërë vlerësimin e provave ligjore dhe ky vendim ka qenë detyrues për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Prokuroria ka pasur detyrimin ta zbatojë, pavarësisht se ky vendim ishte në kundërshtim me qëndrimin tonë”, u shpreh Braho.
Braho shtoi se, pavarësisht këtij vendimi, hetimet kanë vijuar dhe gjatë kësaj periudhe SPAK ka arritur të dokumentojë edhe tri akuza të tjera, të cilat, sipas tij, nuk ekzistonin në momentin kur ishte paraqitur kërkesa fillestare.
Ndërkohë, pas paraqitjes së deputetes socialiste Sara Mile në SPAK, kryeprokurori Klodian Braho u pyetur nëse ajo është marrë zyrtarisht nën hetim për korrupsion në zgjedhje.
Në përgjigjen e tij, Braho deklaruar: “Braho ka deklaruar se çështja është ende nën hetim, ku shtoi se nuk mund të japë ende një përgjigje”.






