BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTuneli nën sinagogën e New York nuk u përdor për trafikim fëmijësh

Tuneli nën sinagogën e New York nuk u përdor për trafikim fëmijësh

Nuk ka prova se tuneli nëntokësor poshtë sinagogës në New York është përdorur për trafikim apo sakrifikim fëmijësh. Autoritetet nuk gjetën asgjë veç inerteve dhe veglave të punës në të, ndërsa policia e qytetit nuk ka ngritur asnjë akuzë lidhur me trafikimin.

—————————————————————

Zbulimi i një tuneli të fshehtë nëntokësor të lidhur me një sinagogë në New York ka ngjallur një valë dezinformimi dhe teorish konspirative antisemitike në rrjet.

Në rrathët konspiracioniste, veçanërisht, po pretendohet se në këto tunele u gjetën dyshekë dhe shtretër “që mendohet se shërbenin për tortura satanike dhe sakrifikim të fëmijëve të vegjël”. Disa postime shoqërohen me një imazh që tregon një grup burrash me veshje ortodokse hebraike duke nxjerrë një dyshek nga një tunel.

Megjithatë, imazhi i mësipërm është i gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI). Kjo mund të dallohet në shtrembërimet tek duart dhe pozicionimi trupor i personazheve.

Pretendimi se në tunel u gjetën dyshekë është gjithashtu i rremë. Një zëdhënës nga Departamenti i Ndërtesave i New York tha për USA Today se hetuesit nuk gjetën veçse mbetje nga punimet, dhe “mjete pune si lopata“ në vendgërmimin e tunelit.

Megjithëse qëllimi dhe prejardhja ekzakte e tunelit mbetet e debatuar, nuk ka prova se ai është përdorur për trafikimin, torturën, apo sakrifikimin e fëmijëve.

Tuneli lidhej me sinagogën që shërbente edhe si seli e lëvizjes fetare hasidike Chabad-Lubavitch. Mendohet se ai fillonte në bodrumin e një godine banimi prapa sinagogës, duke kaluar nën një sërë zyrash dhe sallash përpara se të lidhej me sinagogën.

Motti Seligson, një zëdhënës i Chabad, tha se tuneli ishte veprimi i një grupi të rinjsh mendjelehtë, të cilët i quajti “ekstremistë që çanë murin e sinagogës, duke e vandalizuar vendin e shenjtë, në një përpjekje për të ruajtur aksesin e tyre të paautorizuar.”

Ndërkohë, mbështetësit e tunelit thanë se ata ishin duke kryer planin e “zgjerimit” të parashikuar për shumë gjatë nga ish-kreu i lëvizjes Chabad, Rebbe Menachem Mendel SchNewrson, i cili ndërroi jetë në 1994. 

Sipas Associated Press, shumë mbështetës së ndërtimit të tunelit besojnë se SchNewrson është ende gjallë dhe ai është Messiah (“shpëtimtari”). Kjo ide refuzohet nga Chabad dhe kjo ka krijuar një krisje brenda lëvizjes.

Pyetur nga AP mbi pretendimet lidhur me trafikimin e fëmijëve, Departamenti i Policisë së New York dërgoi një listë të akuzave lidhur me çështjen, por asnjëra nuk përfshinte rrëmbimin e fëmijëve. 

Nëntë persona u arrestuan si pasojë e sherrit në selinë e Chabad. Ato u akuzuan me krime përfshi prishje të qetësisë, rrezikim jete, dhe pengim i zyrtarëve të adminstratës. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img