BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPamjet e katakombeve në Paris shiten si eshtrat e gjetura në tunelin e sinagogës në New York

Pamjet e katakombeve në Paris shiten si eshtrat e gjetura në tunelin e sinagogës në New York

Në tunelin e lidhur me sinagogën në New York nuk u gjetën pirgje kafkash dhe eshtrash fëmijësh. Video që sillet si provë është xhiruar në katakombet e Parisit ku ruhen miliona skelete të varrezave të vjetra të qytetit. 

————————————

Zbulimi i një tuneli të fshehtë nëntokësor të lidhur me një sinagogë në New York ka ngjallur një valë dezinformimi dhe teorish konspirative antisemitike në rrjet.

Një postim, i ndarë mbi 100 herë, përmban një video ku tregohen një pirg kafkash dhe eshtrash njeriu, duke pretenduar se këto u gjetën “në themelin e një Sinagoge.” Postimi shoqërues pretendon se eshtrat i përkasin “fëmijëve të sakrifikuar në ritualet satanike”. 

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok në 5 janar.

Sipas përshkrimit që shoqëron videon, pamjet nuk janë të tunelit në New York, por nga katakombet e Parisit, të cilat mbajnë kufomat e mbi 6 milionë njerëzve.

Një zëdhënës nga Departamenti i Ndërtesave i New York tha për USA Today se hetuesit nuk gjetën veçse mbetje nga punimet, dhe “mjete pune si lopata“ në vendgërmimin e tunelit.

Tuneli lidhej me sinagogën që shërbente edhe si seli e lëvizjes fetare hasidike Chabad-Lubavitch. Mendohet se ai fillonte në bodrumin e një godine banimi prapa sinagogës, duke kaluar nën një sërë zyrash dhe sallash përpara se të lidhej me sinagogën.

Pyetur nga AP mbi pretendimet lidhur me trafikimin e fëmijëve, Departamenti i Policisë së New York dërgoi një listë të akuzave lidhur me çështjen, por asnjëra nuk përfshinte rrëmbimin e fëmijëve. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img