Titrimi i serialit “Rrushe” në Top Channel, duke transkriptuar në shqip aktorët shqiptarë të Kosovës, ka ngjallur shumë debate për një diskriminim gjuhësor dhe nxitjes së një diferencimi të panevojshëm mes dy vendeve shqipfolëse. “Faktoje” verifikoi se titrat janë përdorur edhe në shfaqjen e serialit në Kosovë, si një ndihmë për personat me vështirësi në të dëgjuar.

————————-

Këtë javë, në hapësirat online shqipfolëse ka ngjallur debat vendosja e titrave në shqip serialit “Rrushe” të prodhuar në Kosovë, transmetuar në televizionin “Top Channel”.

Portali zoom.al ka kontribuar në këtë debat me një artikull të 24 majit të titulluar “Top Channel përkthen (shqip-shqip) serialin Rrushe, kritika në Kosovë.

Vendosja e titrave gjatë transmetimit është interpretuar si një përpjekje nga ana e televizionit për të ‘përkthyer’ dialektin e shqipes që flitet në Kosovë në dialektin e shqipes që flitet në Shqipëri. Një interpretim që nxit natyrshëm indinjatë tek qytetarët e të dyja vendeve shqipfolëse. 

Në vazhdën e këtyre interpretimeve, disa nga aktorët e serialit kanë shpjeguar në media sociale qëllimin e vendosjes së titrave.

Aktori Shkumbin Istrefi, me anë të një postimi në Facebook, më 23 maj, sqaroi se titrat shërbejnë për ta bërë transmetimin e aksesueshëm edhe për persona me vështirësi në të dëgjuar.

Njësoj, edhe aktorja protagoniste e serialit, Doresa Rexha, ka sqaruar se titrat janë vendosur duke patur në mend nevojat e personave që kanë vështirësi në të dëgjuar.

Ajo ka thënë gjithashtu se seriali ka qenë i titruar edhe gjatë transmetimit të tij në Kosovë, dy vite më parë.

Me anë të një postimi të 25 maji, Rexha ripohoi se zgjedhja për të titruar serialin ka patur qëllim kryesor aksesueshmërinë e serialit për personat që kanë vështirësi në dëgjim.

“Faktoje” verifikoi më tej këtë argumentim që rrëzon interpretimin e një “padrejtësie” të kryer nga Top Channel ndaj shqipes së Kosovës. Në fakt, disa klipe të shkëputura nga seriali që janë hedhur në Youtube një vit më parë janë të titruara në shqip për publikun kosovar. 

Vendosja e titrave në të njejtën gjuhë si zëri është një praktikë e përhapur që në vitet 1970, dhe në ShBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë nga vendet e BE ajo është e detyrueshme për mediat e financuara nga shteti, si pjesë e ligjeve kundër diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara (PAK).