Në Shqipëri, përvojat e studentëve që jetojnë në konvikte mbeten të fshehura pas keqkuptimeve, paragjykimeve dhe stereotipeve që shënjestrojnë kryesisht vajzat. Nëpërmjet dëshmive personale, studente dhe ish-studente që kanë jetuar në konvikt, rrefejnë sfidat me të cilat përballen, që nga stigmatizimi social, gjuha e urrejtjes e deri te pasojat që sjell fenomeni, si shqetësimet me karakter psikologjik. Ky artikull synon të shpalosë realitetin me të cilin përballen vajzat që etiketohen me termin “konviktore” dhe opinionin e ekspertëve për ta refuzuar këtë fenomen.
Osman Stafa
“Për të bërë një jetë të shthurur, nuk është nevoja të qëndrosh në konvikt, madje kam përshtypjen se konvikti e privon pak ‘mbarëvajtjen’ e jetesës së shthurur”, i përgjigjet Emanuela të gjithë atyre që me fjalën “konviktore” nënkuptojnë një vajzë të pakontrolluar.
22-vjeçarja merr një ton serioz dhe të indinjuar kur flet për këtë fenomen, duke shpjeguar se “konviktore” nuk ka asnjë kuptim tjetër, veçse një person që banon në këtë institucion.
Në Vlorë, siç rrëfen Besarta, në mes të klasës një pedagoge e gjuhëve të huaja iu drejtua me pyetjen: “E di ti Besarta si i quajmë ne këto të konviktit të Fakultetit të Infermerisë Vlorë? Çunat tanë thonë: -Po dalim njëherë nga pularia”. Në dy dekadat e fundit, tregojnë studentet, po merr përmasa shqetësuese një fenomen i cili i etiketon konviktoret si të papastra, të paushqyera, të shthurura, lehtësisht të arritshme seksualisht, duke i paragjykuar, bullizuar dhe nxitur gjuhën e urrjetjes ndaj tyre.
Këtë e konfirmon edhe psikologia dhe pedagogia Lenida Halilaj, kur shpjegon se me zhvillimin e bizneseve dhe mosarritjen e një niveli optimal të ardhurash nga ky komunitet, grupe të caktuara filluan të bëjnë ndarje të tilla. Sipas Halilajt, këto dallime janë ekzibicioniste, vetëm e vetëm për të marrë emocione apo reagim nga të tjerët, duke shfaqur luksin.
Suela, një vajzë nga Korça, e cila ka jetuar disa vite në konviktin e Qytetit “Studenti” në Tiranë tregon: “Për arsye ekonomike kam jetuar në konvikt. Me konviktore nënkuptonin një njëri të palarë, një njeri që s’dinte të vishej, një njeri që nuk dilte për dreka e darka Tiranës, një njeri që çdokush mund ta shfrytëzonte seksualisht”.
Njëherë që ajo tentoi të fliste me studentët që e etiketonin si “konviktore”, mori si përgjigje mbrapsht: “Ik mi ti je një konviktore, m’trego ti mua qytetarinë”.
Presioni që shumë vajza përjetojnë nga ky fenomen i përhapur, ka detyruar shumë prej tyre të lënë konviktin dhe të jetojnë në shtëpi me qira, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar gjuhës së urrjetjes, bullizimit dhe ofendimeve.
Anisa nga Përmeti, e cila sot jeton jashtë Shqipërisë, tregon: “Ndonjëherë ajo situatë ishte mbytëse, se, përpos stresit, mërzisë dhe mungesës së familjes, duhet të kaloje pjesën më të madhe të kohës me ‘njerëz’ që të ofendonin.”
“Ua u bë kjo nga Përmeti të na tregojë ne si mësohet, kjo konviktorja!”, – ishte fjalia që asaj i përplasej në fytyrë.
“Nuk qëndorva në konvikt as 5 muaj për t’i shpëtuar këtyre epiteve të shëmtuara.”, – përfundon Anisa.
Anjeza është nga Burreli. Ajo tregon se është përballur me shumë situata dhe probleme të këtij lloji në konviktin ku jetonte.
“Një hall ishte t’i përgjigjeshe me “jo” një ngacmimi të një djali dhe hall të mos i përgjigjeshe. Nëse nuk ia prisje shkurt, do të ta merrte si dakordësi me ngacmimet, po t’i përgjigjeshe “jo”, të kthehej: “O konviktore, po t’gjith iu kapin me nji dhall e byrek me gjiz”.
Psikologia Halilaj komenton këtë situatë:
“Asocimi me mungesën e pastërtisë apo jetës seksuale që është i turpshëm, zakonisht vjen nga stereotipat e krijuar në shoqëri prej vitesh, stereotipa krahinorë, gjinorë etj.”
Ajo shton se shoqëria jonë ka krijuar disa skema vlerësimi të njerëzve, duke përfshirë statusin socio-ekonomik, vendin e punës, zonën e banimit, grupin ku aderojnë.
Marsela, studente nga Vlora tregon se ka edhe pedagogë të rreshtuar me ata që ushqejnë gjuhë urrejtjeje, duke iu drejtuar në mes të auditorit: “Po ça me ju pyt juve të shkretave, ju në konvikt a patët ujë për t’u larë të paktën?” ose “A s’doli ndonjë çun për t’ju shëtit pak edhe juve?”.
“Më është bërë zemra mal”, – vijon Marsela “në mes të asaj errësirës psikologjike, kur një pedagoge e cila kishte qënë vetë konviktore ia ktheu reston bullizuesve dhe ofenduesve të klasës, duke u shprehur: “Më vjen keq që ju që jetoni me prindërit nuk provoni jetën e konviktit. Ajo është një eksperiencë e mrekullueshme, e cila të rrit, të bën të ndash të mirën nga e keqja, të duhurën nga e gabuara, të moralshmen nga imoralja”.
Psikologia Lenida Halilaj shpjegon se si ndikon etiketimi “konviktore” tek një studente. “Bullizmi që lidhet me kushtet ekonomike apo të jetesës, i vë personat para një dileme absurde. Nga njëra anë përballen me etiketime negative, që nuk bazohen në cilësi karakteri apo sjellje, ndërkohë që janë duke punuar për zhvillimin e identitetit të tyre, socializimit dhe identifikimit në një qytet të ri dhe larg familjes. Zakonisht bullizmi shoqërohet me vetë-izolim, ulje të vetëvlerësimit, ndjenja faji të brendësuara nga komentet e të tjerëve, disociim (shkëputje nga mendimet, ndjenjat ose sensi i identitetit), por edhe agresivitet”.
Ajo shton gjithashtu se viktimat e këtyre etiketimeve, nëse vuajnë rëndesë të fortë psikologjike, duhet të kërkojnë ndihmën e psikologut. “Shumë prej viktimave mund të zhvillojnë ankth social, i cili mund t’i izolojë nga bashkëmoshatarët, por edhe t’i ulë performancën në shkollë, pasi do shmangin punën në grup, prezantimet para auditorit, diskutimet në leksion/seminar etj”.
Pedagogia Halilaj thotë se ky fenomen nuk mund të zgjidhet duke marrë masa sporadike, por kërkohet nxitja e një fushate ndërgjegjësimi mbi bullizmin, format e tij dhe pasojat që sjell. Ajo këshillon dhe është e mendimit se duhet të punohet individualisht me viktimat e bullizmit, prandaj shprehet se prania e psikologëve në godinat e konvikteve duhet stimuluar dhe shtuar.
Ndërsa shoqëria kërkon të ndërgjegjësohet për fenomenin e bullizmit të të etiketuarave si konviktore, është koha që institucionet arsimore të marrin masa të nevojshme për të mbrojtur dhe ndihmuar të rinjtë në këto mjedise.
Shënim: Personazhet e mësipërm nuk kanë dashur të identifikohen me fotografi të tyre apo me emrat realë, nisur edhe nga e shkuara e tyre, kur kanë qenë bullizuar dhe ofenduar prej faktit që kanë jetuar në konvikt.
Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrejtjes”, mbështetur nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.
Pikëpamjet e shprehura këtu janë përgjegjësi e autorit dhe nuk shprehin domosdoshmërisht ato të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Paqen , UNDP-së apo UNFPA-së.