BallinaPertejNjë letër e hapur për kreun e YouTube nga Rrjeti Ndërkombëtar i Organizatave Fact-checking

Një letër e hapur për kreun e YouTube nga Rrjeti Ndërkombëtar i Organizatave Fact-checking

80 organizata anëtare të Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN), të alarmuara nga rreziku që po shkakton dizinformimi në harmoninë sociale, demokracinë dhe shëndetin publik, i kanë dërguar një letër të hapur kreut ekzekutiv (CEO) të YouTube. Në këtë letër tërhiqet vëmendja se kjo platformë po shfrytëzohet nga përhapës të informacionit të rremë. Duke propozuar një zgjidhje me 4 pika, IFCN kërkon që YouTube të angazhohet në përpjekje domethënëse dhe transparente për të shmangur dizinformimin.

—————

Më shumë se 80 organizata që verifikojnë faktet në botë, i kanë kërkuar YouTube që të luftojë më mirë dezinformimin, duke thënë se është “një nga kanalet kryesore të keqinformimit në internet në mbarë botën”.

Në një letër të hapur drejtuar Kreut Ekzekutiv (CEO) të YouTube, Susan Wojcicki, 80 organizata anëtare të IFCN që vveprojnë në 60 shtete të Botës, japin alarmin se kjo platformë po kthehet “një nga kanalet kryesore të keqinformimit në internet në mbarë botën” duke u shfrytëzuar nga përhapës të informacionit të rremë.

“Si një rrjet ndërkombëtar i organizatave që kontrollojnë faktet, ne monitorojmë se si gënjeshtrat përhapen në internet dhe çdo ditë, ne shohim se YouTube është një nga kanalet kryesore të dizinformimit në mbarë botën. Ky është një shqetësim domethënës midis komunitetit tonë global të verifikimit të fakteve. Ajo çfarë ne shohim është mungesa e përpjekjes nga YouTube për të zbatuar politikat që adresojnë problemin. Përkundrazi, YouTube po lejon që platforma e tij të armatoset nga aktorë të paskrupullt për të manipuluar dhe shfrytëzuar të tjerët dhe për të organizuar dhe mbledhur fonde vetë. Masat aktuale po rezultojnë të pamjaftueshme”- shkruhet në letër.

Për shkak të rritjes së përhapjes së dezinformatave lidhur me pandeminë e koronavirusit, platformat e mediave sociale i janë bashkuar luftës kundër keqinformimit. Facebook, i cili ka qenë prej kohësh i angazhuar në luftën kundër keqinformimit, tha në vitin 2021 se hoqi rreth 18 milionë dezinformata të lidhura me COVID-in të cilat ishin publikuar në platformën e tij.

YouTube ka bërë gjithashtu përpjekje për të frenuar përhapjen e dezinformatave, por IFCN ende beson se kjo nuk është e mjaftueshme, pasi grupet konspirative përtej kufijve, vitin e fundit kanë lulëzuar duke bashkëpunuar në këtë platformë.

“Vitin e fundit ne kemi evidentuar grupe konspirative të cilat bashkëpunojnë përtej kufijve, duke përfshirë një lëvizje ndërkombëtare që filloi në Gjermani, kaloi në Spanjë dhe u përhap në Amerikën Latine, të gjitha në YouTube. Ndërkohë, miliona përdorues të tjerë po shikonin video në greqisht dhe arabisht që i inkurajonin ata të bojkotonin vaksinat ose të trajtonin infeksionet e tyre COVID-19 me kura false. Përtej COVID-19, videot në YouTube kanë promovuar kura false për kancerin për vite me radhë”- thuhet në letër.

“Në Brazil, platforma është përdorur për të përforcuar gjuhën e urrejtjes kundër grupeve vulnerabël, duke arritur në dhjetëra mijëra përdorues. Edhe zgjedhjet nuk janë të sigurta. Në Filipine, përmbajtje të rreme me mbi 2 milionë shikime që mohojnë abuzimet e të drejtave të njeriut dhe korrupsionin gjatë viteve të ligjit ushtarak po përdoren për të ngritur reputacionin e djalit të diktatorit të ndjerë, një prej kandidatëve në zgjedhjet e 2022. Në Tajvan, zgjedhjet e fundit u dëmtuan nga akuza të pabazuara për mashtrim. E gjithë bota dëshmoi pasojat e dezinformimit kur një turmë e dhunshme sulmoi Kapitolin e SHBA-së vitin e kaluar. Që në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA e deri në ditën e nesërme, videot në YouTube që mbështesnin narrativën e “mashtrimit” u shikuan më shumë se 33 milionë here”-argumenton IFCN.

Rrjeti beson se nxjerrja në sipërfaqe e informacionit të kontrolluar nga faktet është më efektive sesa fshirja e përmbajtjes së rreme pasi ruan lirinë e shprehjes duke pranuar nevojën për përhapjen e informacionit të duhur.

Duke parë një pjesë të madhe të shikimeve në YouTube që vijnë nga algoritmi i tij i rekomandimeve, IFCN thotë se YouTube duhet të sigurohet që të mos promovojë në mënyrë aktive dezinformimin për përdoruesit e tij ose të rekomandojë përmbajtje që vijnë nga kanale jo të besueshme.

Nënshkruesit e IFCN-së vërejnë se YouTube po shmang mundësinë për të bërë atë që është vërtetuar se funksionon.

“Përvoja jonë si verifikues faktesh së bashku me provat akademike na tregon se nxjerrja në sipërfaqe e informacionit të verifikuar nga faktet është më efektive sesa fshirja e përmbajtjes. Kjo gjithashtu ruan lirinë e shprehjes, ndërkohë që pranon nevojën për informacion shtesë për të zbutur rreziqet e dëmtimit të jetës, shëndetit, sigurisë dhe proceseve demokratike”

Duke propozuar një zgjidhje me 4 pika, rrjeti dëshiron që YouTube të angazhohet në përpjekje domethënëse dhe transparente për të shmangur dezinformimin në platformën e tij.

  • Një angazhim për një transparencë kuptimplote në lidhje me dizinformimin në platformë: YouTube duhet të mbështesë kërkime të pavarura në lidhje me origjinën e fushatave të ndryshme të tij, shtrirjen dhe ndikimin e tyre, si dhe mënyrat më efektive për të demaskuar informacionin e rremë.
  • Përtej heqjes së përmbajtjes për papajtueshmërinë ligjore, fokusi i YouTube duhet të jetë në ofrimin e kontekstit. Kjo mund të vijë vetëm nga një bashkëpunim kuptimplotë dhe i strukturuar duke marrë përgjegjësinë dhe duke investuar sistematikisht në përpjekjet e pavarura të kontrollit të fakteve në mbarë botën.
  • Marrjen e masave kundër shkelësve të përsëritur që prodhojnë përmbajtje që raportohet vazhdimisht si dizinformim dhe keqinformim, veçanërisht ata që fitojnë para nga ajo përmbajtje brenda dhe jashtë platformës, duke parandaluar algoritmet e rekomandimit të promovojnë përmbajtje nga burime të tilla dizinformimi.
  • Zgjerimi i përpjekjeve aktuale dhe të ardhshme kundër dizinformatave dhe keqinformimit në gjuhë të ndryshme nga anglishtja, dhe duke ofruar të dhëna specifike për vendin dhe gjuhën, si dhe shërbime transkriptimi që funksionojnë në çdo gjuhë.

Rrjeti i verifikuesve të fakteve shkruan se është i gatshëm dhe në gjendje të ndihmojnë YouTube për të diskutuar këto çështje dhe për të gjetur mënyra për një bashkëpunim të frytshëm.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img