BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookThemeluesi “klubit të elitave globaliste”, Claus Schwab, gëzon shëndet të plotë

Themeluesi “klubit të elitave globaliste”, Claus Schwab, gëzon shëndet të plotë

Pretendimi: Themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror, Claus Schwab, është shtruar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë

Verdikti: E pavërtetë

Themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror, Claus Schwab, është gjallë dhe gëzon shëndet të plotë, ndryshe nga çfarë pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë. Verfikimet tregojnë se informacionet që po qarkullojnë online janë të pavërteta dhe të pabaza.

Themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror, Claus Schwab, është shenjëstruar prej kohësh nga grupet konspiracioniste si mbështetës i elitave të pasura dhe frymëzues i globalizmit. Së fundmi, profesori gjerman i politikave të biznesit po përbën lajm për gjendjen shëndetësore të tij.  

Përdorues të ndryshëm të Facebook po shpërdajnë lajmin se në mbrëmjen e 14 prillit, z. Schwab është shtruar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sot në spital, ky. Nuk e dimë nëse e ka bërë të katrën”-shkruan analisti i teorive konspiracioniste Afred Cako, duke aluduar për dozën e katërt të vaksinës ndaj Covid-19.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

“Sa kohë kam që kam thënë se Klaus Schwab është ekzekutuar”- shkruan një tjetër përdorues, njëjtazi me një profil tjetër që ndan lajmin e sëmundjes së rëndë.

Në lidhje me këto pretendime që po qarkullojnë online në vendin tonë, ne vendosëm të bëjmë një verifikim, duke iu referuar informacioneve që vijnë nga mediat e rëndësishme ndërkombëtare. Raportimet e “Associated Press” tregojnë se Klaus Schwab nuk është shtruar në sptital dhe gëzon shëndet të plotë.

Yann Zopf, një zëdhënës i organizatës tha për kolegët e AP se se themeluesi i WEF as nuk është i sëmurë dhe e as ka ndërruar jetë.

“Këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe të pabaza. Shëndeti i profesor Schwab është i shkëlqyer. Ashtu si shumë individë dhe organizata të profilit të lartë, ai dhe Forumi Ekonomik Botëror janë shenjëstruar nga narrativat konspirative, si dhe nga fushatat e dezinformimit dhe keqinformimit”, sqaroi zëdhënësi.

Ky informacion u përhap fillimisht nga një faqe online e quajtur “Weekly Crier”, ku shkruhej: “Themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror Klaus Schwab u shtrua në spital”. Artikulli nuk citon asnjë burim, duke thënë vetëm se ai: “U raportua se u pranua në spital mbrëmë vonë” dhe se detaje të tjera “nuk janë zbuluar zyrtarisht”.

Kjo faqe online njihet edhe për postimin e artikujve satirikë, opinioneve dhe editorialeve.

Artikulli mbi shëndetin e themeluesit të WEF është vlerësuar si i rremë edhe nga kolegët e mediave të tjera të huaja. 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img