Pretendimi: Familjarët e vrasësit të 14-vjecarit kërcënojnë se do të bëjnë shembull këdo që i shan

Verdikti: Mungon konteksti

Vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij në shkollën “Fan Noli” në Tiranë tronditi shoqërinë shqiptare për rrezikun e dhunës që promovohet në rrjetet sociale. Fill pas ngjarjes tragjike, video e një diskutimi mes dy të rinjsh në rrjetin social Tik-Tok, ku mbështetej kjo vrasje, ka ngjallur reagim tek përdoruesit dhe është publikuar më tej në mediat e ndryshme tradicionale.

Artikujt në këto media kanë përshkruar diskutimin e të rinjve në video si një “kërcënim i të afërme të ekzekutuesit të Martinit për të bërë shembull këdo që i shan”.

Ky interpretim ka nxitur komente urrejtjeje ndaj familjes së të miturit të arrestuar, duke rrezikuar që të vijojë më tej zinxhiri i hakmarrjes ndaj familjes së tij.

Duke verifikuar më tej materialin e TikTok, zbulojmë se bëhet fjalë për një fragment të shkëputur nga një bisedë më e gjatë në grup mes dy të rinjve. Personi që shfaqet me pamje dhe që pretendon se dhe ai do të “bëjë shembull këdo që e shan”, mban profilin me emrin “Gazi Mashtruesi”. Ky person dëgjohet që i drejtohet bashkëbiseduesit të paidentifikuar, si “kushua” nga Kukësi i adoleshentit që kreu vrasjen në shkollën “Fan Noli”. Në asnjë moment, nuk dëgjohet bashkëbiseduesi, që pretendohet se është kushëriri, që të përdorë ndonjë kërcënim publikisht.

Hetimet e policisë së Shtetit kanë konfirmuar më tej se nuk bëhet fjalë për të afërm të autorit të krimit. Në njoftimin e saj zyrtar, Policia e shtetit tha se e ka identifikuar adoleshentin 16 vjeçar në videon e TikTok, banues në SHBA dhe ndaj tij ka nisur procedimi për veprën penale “nxitje e urrejtjeve ose grindjeve”.

Pas këtij njoftimi, “Gazi” nëpëmjet një profili të ri në TikTok, publikoi një video në të cilën i kërkonte ndjesë familjarëve të të ndjerit, miqve dhe çdokujt për fjalët e thëna.