Pretendimi: Ish-komisarit Oltion Bistri i rikthehen nga SPAK pronat e sekuestruara
Verdikti: Mungon konteksti
VJOLANDA PECA
Vendimi i fundit i Gjykatës Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pronat e sekuestruara të ish-shefit të operacionales Oltion Bistri, është interpretuar në disa media si një tërheqje e Drejtësisë ndaj goditjes së krimit. Disa artikuj kanë krijuar këtë paqartësi në titujt dhe përmbajtjen e tyre duke anashkaluar thelbin e procesit gjyqësor.
Më konkretisht, titulli i datës 9 tetor i portalit Syri, njofton se pronat e sekuestruara i rikthehen Oltion Bistrit, ndërsa përmbajtja përmend se apartamentet dhe dyqanet i kthehen shoqërisë “Arlis”.
Titulli:
Fjalia që e bën të paqartë artikullin për lexuesin:
Në titullin e artikullit, shfaqet qartë se Oltion Bistri do të marrë pronat e tij të sekuestruara. Megjithatë, përmbajtja e artikullit, në veçanti një pasazh kyç, e ndryshon këtë narrativ. Duke thënë se “apartamentet dhe dyqanet i kthehen shoqërisë ‘Arlis’, lexuesi mund të ngatërrohet mbi atë se kush është në të vërtetë pronari i ri i këtyre pasurive.
E njëjta paqartësi është transmetuar në publik edhe në kronikën e Top Channel, ku njoftohet se Gjykata e Posaçme hoqi sekuestron nga disa prona të Bistrit, përfshirë dy apartamente dhe tre dyqane, në prag të shqyrtimit të ankesës së të pandehurve të tjerë në çështjen ndaj ish-komisarit në gjykatën Kushtetuese për mënyrën se si janë marrë si prova përgjimet e dosjes Sky Encro chat nga drejtësia shqiptare.
Nevojitet të theksohet se GJKKO në vendimin e saj të datës 9 tetor 2024, i ktheu 5 pasuritë e sekuestruara kompanisë “Arlis Ndërtim”, që ishin porositur nga Oltion Bistri dhe familjarët e tij, për të cilat kishin paguar 1 milion e 300 mijë euro. Çështja ishte kundërshtuar në Gjykatë nga avokati i kompanisë “Arlis”.
Ndërsa apartamentet dhe dyqanet iu kthyen shoqërisë ndërtuese, paratë që kompania kishte marrë nga Bistri dhe familjarët, iu kaluan Drejtorisë së Administrimit të Aseteve të Pasurive të Sekuestruara.
Në një kontekst ku besimi në institucionet është i ulët, një informacion i paqartë rreth vendimeve gjyqësore mund të përkeqësojë këtë situatë. Për të shmangur keqkuptime të tilla, është e domosdoshme që mediat të përpiqen për të ofruar një pasqyrë të saktë dhe të qartë të ngjarjeve.