BallinaFaktometerE PavërtetëSa muze janë hapur gjatë 7 viteve në Shqipëri

Sa muze janë hapur gjatë 7 viteve në Shqipëri

AURORA SHPATAJ

Edhe pse pandemia ka sjellë shumë kufizime në jetën e përditshme, Ministria e Kulturës ka promovuar vazhdimisht se po punon për mbajtjen gjallë të jetës kulturore në vend. Gjatë një interviste të pak muajve më parë, drejtuesja e Monumenteve të Kulturës deklaroi se çdo vit është hapur nga një muze i ri (referuar periudhës së qeverisjes Rama). Por nga verifikimi i “Faktoje”, rezulton se nuk janë hapur më shumë se 3 muze të rinj gjatë këtyre 7 viteve të fundit.


“Çdo vit është bërë një muze nga Ministria e Kulturës”. Kjo ishte deklarata e drejtoreshës së monumenteve të kulturës, Arta Dollani gjatë një interviste më datë 5 tetor të këtij viti.

Pas kësaj deklarate, “Faktoje” i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Kulturës, ku kërkoi të mësonte se sa muze të rinj janë hapur.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Kulturës

Ministria e Kulturës na u përgjigj me një listë prej 7 muzesh, nga viti 2013 deri në vitin 2020, ku bie në sy se jo të gjithë janë të rinj dhe shumica e tyre janë ekzistues, por i janë nënshtruar rikonstruksionit.

Përgjigja e Ministrisë së Kulturës

“Faktoje” vendosi të verifikojë në terren secilin nga objektet muze, për të cilat na informoi zyrtarisht ministria.

Verifikimin e nisëm në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës, një vend mes modernes e të vjetrës, që brenda mjedisit bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. Muzeu, i vendosur në bulevardin “Fan Noli”, është ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016-n.

Ciceroni i Muzeut të Artit Mesjetar të Korçës tha për “Faktoje” se rihapja për publikun është bërë në vitin 2016.

“Ka mbaruar restaurimi i këtij muzeu që para 4 vitesh dhe hapja për publikun u realizua më 3 tetor 2016. Muzeu është i vizitueshëm nga ora 9:00-17:00”- thotë ai.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, foto:Aurora Shpataj

Faktoje vizitoi edhe Muzeun “Gjon Mili”, një ndër godinat simbol të qytetit të Korçës, që ndodhet në pedonale. Ky muze është hapur në vitin 2018 për vizitorët.

Muzeu Gjon Mili, Korçë, foto:Aurora Shpataj

Muzeu “Gjon Mili”, përmes 240 fotografive të ekspozuara në dhomat e ish-shtëpisë së fotografit është krijuar në një mënyrë të tillë që çdo vizitor të njohë të gjitha fazat e krijimtarisë së tij.

“Faktoje” vazhdoi verifikimin me Muzeun e Arsimit në qytetin e Korçës, apo Mësonjtorja e parë shqipe e cila është hapur më 7 mars të vitit 1887. Muzeun e gjetëm të mbyllur, sepse po restaurohej pas dëmeve që pësoi nga tërmeti i qershorit të vitit 2019.

Muzeu i Arsimit, Korçë, foto:Aurora Shpataj

“Për momentin është mbyllur se po bëjmë restaurime, janë dëmtuar disa gjëra për shkak të tërmeteve që kanë rënë në qytet”- shprehet një punëtor. Muzeu i Arsimit mori statusin e muzeut në fundin e viteve ‘60 dhe konsiderohet monument kulture i kategorisë së parë.

“Faktoje” vijoi verifikimin në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, në Shkodër. Fototeka Kombëtare “Marubi”, që deri në vitet 2000 ka qenë pjesë e muzeut historik të qytetit, mbetet i vetmi institucion përfaqësues i artit të fotografisë në Shqipëri, me një histori 157-vjeçare.

*Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër, foto:Joel Çela

Muzeu i Fotografisë është hapur në vitin 2016. Edhe këtë muze e gjetëm të hapur për vizitorët.

“Qëndron i hapur për vizitorët, nuk ka qenë asnjë moment i mbyllur. Thjesht tani jemi më të kujdesshëm për shkak të situatës, çdo vizitor që hyn duhet të jetë me maskë e të ruajë distancën aq sa është e mundur”- shprehet një punonjës i muzeut.

Faktoje vazhdoi me verifikimin në Durrës, ku vizitoi Muzeun Arkeologjik, i hapur në mars të vitit 1951 dhe ku ekspozohen objektet e zbuluara në nëntokën e zonës së Durrësit. Sipas Ministrisë së Kulturës, muzeu iu nënshtrua një procesi rikonstuksioni, për t’u rihapur në mars të 2015-s.

*Muzeu Arkeologjik Durrës

“Është i hapur nga ora 9:00-16:00, përveç të hënave që është i mbyllur. Madje ne bëjmë dhe aktivitete, prezantime, trajnime. Jo më larg se ditën e djeshme u zhvillua sesioni i gjashtë i trajnimit në kuadër të një projekti”- tregon për “Faktoje” ciceroni i muzeut.

Verifikimin e vazhduam në Muzeun “Shtëpia me gjethe”, (ndërtesë ekzistuese) që ndodhet në kryeqytet, përballë Kishës Ortodokse. “Shtëpia me gjethe” është hapur më 23 maj 2017 dhe është muzeu më i ri në Shqipëri, që dëshmon për periudhën e regjimit komunist.

“Shtëpia me Gjethe”,Tiranë,foto:Aurora Shpataj

Së fundmi, “Faktoje” shkoi në qytetin e Vlorës për të verifikuar se çfarë ka ndodhur me Muzeun e Hebrenjve, i cili edhe sipas minstrisë së Kulturës, është në fazën e projektimit.

“Ngritja e muzeut të hebrenjve është një projekt i cili po realizohet si bashkëpunim i Fondit Shqiptaro-Amerikan (AADF) dhe Ministrisë së Kulturës pasi ka përfunduar projekti “Rikualifikimi në zonën urbane, pranë qendrës së qytetit të Vlorës, restaurimi i monumenteve të kulturës në këtë zonë dhe rikonstruksioni i objekteve të tjerë.” – thuhet në përgjigjen e ministrisë, e cila konfirmon:

“Është miratuar me vendim nr.1. datë 23.07.2020 projekt-ide e muzealizimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Po vijon puna për realizimin e hapave të tjerë deri në krijimin e muzeut të ri.”

Përgjigja e Ministrisë së Kulturës.

Në përmbledhje të verifikimit në terren, Faktoje konstatoi se nga 7 muze, për të cilët drejtuesja e monumenteve të kulturës thotë se janë hapur në 7 vite rezulton se gjatë kësaj periudhe, janë hapur tre muze të rinj:

  1. “Shtëpia e Gjethes” (ndërtesë ekzistuese) në Tiranë
  2. Muzeu “Gjon Mili” në Korçë
  3. Muzeu i fotografisë Marubi, Shkodër

Ndërkohë i janë nënshtruar rikonstruksionit muzetë ekzitues:

  1. Muzeu Arkeologjik, Durrës
  2. Muzeu i Arsimit, Korçë
  3. Muzeu i Artit Mesjetar, në Korçë

Nuk është ndërtuar ende:

Muzeu i Hebrenjve në Vlorë

Nga grumbullimi i informacioneve dhe verifikimi në terren, rezulton se në 7 vite janë hapur 3 muze të rinj, ndaj vendosëm që deklaratën e zonjës Dollani ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img