BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëÇfarë ndodhi me premtimin për shtimin e parqeve, këndeve të lojërave dhe sheshet para pallateve në Elbasan?

Çfarë ndodhi me premtimin për shtimin e parqeve, këndeve të lojërave dhe sheshet para pallateve në Elbasan?

Rijetëzimi i shesheve të pallateve, shtimi i parqeve dhe këndeve të lojërave në Elbasan, u premtuan në mënyrë të përsëritur nga Gledian Llatja gjatë fushatës për zgjedhjet vendore. Më shumë se një vit nga marrja e detyrës si Kryetar i Bashkisë, premtimet mbeten të parealizuara, siç dëshmon situata në terren dhe programi i shpenzimeve që Bashkia Elbasan parashikon edhe për vitin e ardhshëm.


“Sfida jonë për 4 vitet e ardhshme është që Rilindja Urbane të shtrihet në çdo Njësi Administrative të Elbasanit, rivitalizimi i shesheve të pallateve dhe qendrave të Njësive Administrative, hapësira të gjelbra dhe rekreacioni si dhe kënde lojrash për fëmijë” – shkruante në një postim në rrjetin social “Facebook” kandidati për kryetar Bashkie të Elbasanit më 16 qershor 2019.

Screenshot nga postimi i Gledian Llatja, 16.06.2020

“Faktoje”, në muajin qershor 2020 pyeti në Bashkinë Elbasan lidhur me projektet e zbatuara për shtimin e hapësirave të gjelbra, parqet e lodrave për fëmijë dhe rijetëzimin e shesheve para pallateve, gjatë një viti.

Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Elbasan

Asnjë kënd i ri lojrash në 1 vit dhe degradim i atyre ekzistues!

“Referuar pikës ku kërkohet informacion se në çfarë faze është projekti për këndet e lojrave për fëmijë, ju bëjmë me dije se po studiohen hapësirat që kanë nevojë imediate për një shërbim të tillë rekreativ” – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Elbasan.

Bashkia Elbasan konfirmon se është ende në fazën e verifikimit për këndet e lojrave që kanë nevojë për rehabilitim.

“Faktoje”, në mesin e tetorit 2020 ishte në Elbasan dhe më konkretisht në dy prej këndeve të lojrave në afërsi të qendrës së qytetit.

“Ka ca vite që nuk është vënë dorë. Të dy këndet e lojrave u bënë kohën e ish- kryetarit Qazim Sejdini. Këto lodrat kanë filluar të prishen. Rrimë dhe ne me fëmijët për t’i kontrolluar, pasi rrezikojnë të vriten te pjesët e prishura të lodrave” – i tha “Faktojes” Bardha Duka, gjyshe e një djali 5-vjeçar.

Kënd lojrash në afërsi të qedrës, Elbasan

Situatë e njëjtë, madje e përkeqësuar gjendej edhe në parkun tjetër të lojërave që ndodhet gjithashtu në afërsi të qendrës së qytetit.

Kënd lojrash në afërsi të qedrës, Elbasan

Rehabilitimi dhe gjelbërimi i shesheve të pallateve ishte një tjetër premtim i kryebashkiakut Llatja gjatë fushatës elektorale të vitit 2019.

“Referuar pikës ku kërkohet informacion se në çfarë faze ndodhet projekti për rehabilitimin e shesheve të pallateve dhe qendrave të njësive administrative, ju bëjmë me dije se janë bërë disa ndërhyrje në disa sheshe të cilat janë përzgjedhur nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje” – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Elbasan.

“Faktoje” vëzhgoi edhe disa prej hapësirave të pallateve në Elbasan nga ku konstatohet lehtësisht, jo vetëm mungesa e hapësirave të gjelbra, por edhe degradimi infrastrukturor.

*Infrastruktura në zona të banuara, Elbasan

Referuar të dhënave nga Bashkia Elbasan të Buxhetit Afatmesëm 2019-2021, mbi shpenzimet për “Shërbimet rekreative dhe sportive”, vërehet se shumat e akorduara në vite mbeten në nivele thuajse të njëjta.

Buxheti afatmesëm 2019-2021, Bashkia Elbasan

Tendenca në ulje e shpenzimeve për shërbimet rekreative dhe sportive për vitin 2021, dëshmojnë për zotime elektorale ende të papërmbushura të kryebashkiakut të Elbasanit.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img