MERXHAN DACI
Qeveria Shqiptare bëri pjesë vitin që shkoi ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar në projektin “1 Miliardë për Rindërtim”. Ky segment rrugor prej 20,8 kilometrash u shpall i rëndësishëm pasi do të lidhte më mirë aeroportin e vetëm funksional të vendit me veriun, Portin e Durrësit dhe Kosovën dhe po ashtu do të lehtësonte ndjeshëm trafikun në aksin ekzistues.
Këtë projekt e fitoi kompania Gener 2. Gjatë kësaj kohe nga fitimi i koncensionit, opinioni publik u përfshi në një debat shifrash mbi vlerën e ndërtimit të kësaj vepre ku fillimisht u planifikuan 169 milionë euro për të arritur në një shifër disa herë më të madhe prej 440 milionë eurosh.
Fill pas kriticizmit se një kilometër i kësaj rruge kushtonte afro 20 milionë euro, (më i shtrenjti ndonjëherë në Shqipëri), protestave të studentëve dhe skandalit me kompaninë offshore të Unazës së Tiranës, qeveria vendosi të anulonte kontratën me kompaninë koncensionare.
————————————————————————————————————————————————————-
Qeveria miratoi në mars të vitit 2018 vendimin që i jepte një bonus prej 8.5 pikësh kompanisë Gener 2 lidhur me projektin e paraqitur si ofertë e pakërkuar për ndërtimin e rrugës Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar.
Dhënia e bonusit për Gener 2 solli më pas hapjen e garës për ndërtimin e rrugës por që prej faktit se kompania dha një ofertë të pakërkuar ajo ishte në avantazh ndaj konkurentëve të tjerë. Projekti i propozuar përfshinte ndërtimin dhe mirëmbajtjen e aksit rrugor. E gjithë kontrata parashikohej dhjetë vjet, ku dy vitet e para ishin ndërtim dhe tetë vjet mirëmbajtje.
Projekti i autostradës Thumanë – Kashar përfshinte ndër të tjera ndërtimin e 12 urave, dhjetra nënkalimeve, mbikalimeve dhe rrugëve dytësore.
Por ajo që rezulton është se kostoja e rrugës është rritur disa herë në vetëm pak muaj.
Qeveria shqiptare hartoi në qershor të vitit të shkuar monitorimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit për periudhën 2016-2020.
Në këtë dokument, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë listoi të gjitha akset kombëtare në ndërtim, apo që do të ndërtohen për periudhën 2016-2020.
Siç shkruhet qartë, për rrugën Thumanë-Kashar kostoja totale preventive ishte 169.3 milionë euro.
Pak ditë më vonë, në 11 qershor të vitit të shkuar qeveria zhvilloi tenderin për dhënien e ndërtimit të kësaj rruge me koncesion dhe mirëmbajtjen e saj nga kompania private për 13 vjet.
Konçensionin e fitoi Gener 2. Shuma e këtij Partneriteti Publik Privat ishte 31,738,710,000 lekë ose afro 250 milionë euro.
Disa ditë më vonë, në 24 qershor do të ishte ish- ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri që do të komunikonte nisjen e punimeve në shtator.
“Rruga Thumanë-Kashar besoj nga shtatori do të fillojë, do të thotë që do të ketë një lehtësim të trafikut drejt Kamzës po ta marrim pjesa e veriut do të shkojë drejt autostradës Tranë-Durrës dhe pjesa që lidhet fushë krujë kamëz po ashtu do të etë një lehtësim të trafikut”, tha Gjiknuri për mediat.
Më pas ishte kryeministri Rama që me një postim në Facebook në 3 korrik shpjegonte disa detaje teknike të projektit.
“Mirëmëngjes dhe me projektin e rrugës së re Thumanë-Fushë Krujë-Kashar, pjesë e Programit Kombëtar ‘1 Miliardë për Rindërtim’ (Shpejtësia e projektuar 140 km/h, 14 nënkalime, 34 rrugë dytësore, 12 ura dhe 3 mbikalime), e cila do të lidhë me infrastrukturë moderne veriun e Shqipërisë e Kosovën me aeroportin ‘Nënë Tereza’ e me Portin e Durrësit dhe tanimë është në fazën finale të përgatitjes për zbatim, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruante Rama.
Projekti Thumanë-Kashar do të ishte projekti rrugor më i kushtueshëm ndonjëherë në Shqipëri pas Rrugës së Kombit.
Në 4 tetor, Banka Botërore përmes një prej përfaqësueseve të saj Hilda Shijaku, shprehu rezervën e saj për përdorimin e lartë të konçensioneve.
“Ne mendojmë që përdorimi i propozimeve të pakërkuara është pak më i lartë se ç’duhet të jetë. Konsolidimi fiskal mbetet prioritet i vendit”, tha ajo teksa Banka Botërore publikoi raportin për Shqipërinë ku vlerësoi rritjen ekonomike të qëndrueshme por shprehu shqetësim për përdorimin e Partneritetit Publik Privat në investime publike.
Në relacionin shoqërues të buxhetit 2019, qeveria raportoi si kosto buxhetore për aksin Thumanë-Kashar shumën prej 45.5 miliardë lekë. Pra kostoja e rrugës do të rritej edhe më shumë, afro 358 milionë euro total.
Ndërkohë ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ahmetaj atëherë në detyrë raportoi në Kuvend në dhjetor se kosto totale buxhetore e këtij projekti do të shkonte në 56.3 miliardë lekë ose plot 440 milionë euro.
“Për projektin e koncesionit/PPP “Për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar, një nga akset kryesore që lidh Veriun me Jugun. Këta i thonë Veriut dhe Jugut: “prisni 25 vite, se nuk i dihet çfarë ndodh”, ndërkohë që ne, nëpërmjet këtij projekti do të bëjmë të mundur një nga akset më të rëndësishme të vendit. Kostoja buxhetore totale e parashikuar është 56, 3 miliardë lekë”, tha ish-ministri Arben Ahmetaj në 24 dhjetor të 2018-ës.
Ky ishte zyrtarisht një projekt me një kosto shumë të lartë. Sipas vlerës së fundit që raportoi ish-ministri Ahmetaj, sapo kishte njoftuar se kostoja për kilometër arrinte në mbi 20 milionë euro.
I menjëhershëm ishte reagimi i opozitës e cila denonconte koston e lartë të kësaj vepre infrastrukturore.
Thumanë-Kashar u konsiderua si një rast i pazakontë në historinë e investimeve publike në Shqipëri ku një kilometër i kësaj rruge do të kushtonte ndoshta si në asnjë vend tjetër.
Belinda Balluku, e sapo emëruar ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një dalje për mediat në 21 janar të këtij viti njoftoi se kishte anuluar koncensionin me kompaninë Gener 2 për ndërtimin e këtij aksi.
“Kam vendosur ndërpjerjen e procedurës së partneritetit publik privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti, qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve për Paktin e Universitetit në fushën e infrastrukutrës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike”.
Dukej qartë se protesta e studentëve kishte bërë të vetën. Një nga projektet më të sulmuara në publik praktikisht kishte rënë. Megjithatë qeveria tha se akoma e kishte prioritet projektin por në këtë moment fondi i dedikuar do t’i shkonte nevojave të arsimit.
Erjon Braçe, tashmë Zv/Kryeministër, në studion e “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi pranoi se projekti Thumanë-Kashar kishte qenë sipas tij me një kosto të lartë, gjë që sipas tij solli edhe anulimin e kontratës me kompaninë.
“Kemi të bëjmë me kostot, ndërkohë që kemi një rrugë alternative që të sjell sot nga Thumana e të lidh me rrjetin e autostradave. Çmimi për mua ka qenë i lartë, në gjykimin tim. Besoj unë që organet e specializuara të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë pasur edhe këtë aspekt parasysh”, tha Braçe në 22 janar.
“Faktoje” ishte në Thumanë pasi u njoftua se në fakt punimet kishin nisur pavarësisht debatit që e shoqëronte projektin.
Fotoja më poshtë e vërteton këtë pasi edhe më herët ishte raportuar se kompania konçensionare do të fillonte disa muaj më parë punimet.
Siç u shpreh Zv/Kryeministri Braçe së fundmi, qeveria siç duket ishte “në ajër” gjë që solli më pas revoltën e studentëve të cilët “fituan” vëmendjen e ekzekutivit dhe shpëtuan fondet e një rruge që ishte nisur të bëhej një nga projektet më të shtrenjta infrastrukturore në vend.