BallinaFaktometerE PavërtetëRikonstruktimi i qendrave shëndetësore, objektiv i papërmbushur i qeverisë

Rikonstruktimi i qendrave shëndetësore, objektiv i papërmbushur i qeverisë

ANXHELA RUÇI

Qeveria Rama ka premtuar se gjatë mandatit të dytë qeverisës 2017-2021 do të rikonstruktojë 300 qendra shëndetësore nga veriu në jug. Loti i parë i këtij projekti ishte për 80 qendra të cilat do të rikonstruktoheshin brenda vitit 2018.

Viti 2018 kaloi, por çfarë ka ndodhur me 80 qendrat shëndetësore që janë premtuar se do të rikonstruktoheshin brenda këtij viti?

Në ditët e para të janarit (2019) Edi Rama inspektoi një nga qendrat e rikonstruktuara në Allias dhe në ERTV shkruhej se kjo ishte një nga 80 qendrat e rindërtuara me themel.

                                                                                                              Postimi i Edi Ramës në Facebook, 7 janar 2019

Pak ditë më vonë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, po nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shkruante se ambulanca në Bushat të Shkodrës, ishte një nga 80 qendrat e rindërtuara në të gjithë vendin.

Postimi i Ogerta Manastirliu në Twitter, 15 janar 2019

Si kryeministri ashtu edhe ministrja, në rrjetet sociale dhe në daljet e tyre publike e bënë fakt të kryer rikonstruksionin e 80 qendrave në total brenda 2018 –ës, pra e konsideruan një objektiv të përmbushur.

Të dhënat e siguruara nga “Faktoje” nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), thonë se në fakt objektivi i 2018-ës për 80 qendra shëndetësore të rikonstruktuara nuk është arritur, por nga 80 qendra brenda vitit që lamë pas, janë rikonstruktuar 67 prej tyre.

Qarku ndaj të cilit duket se qeveria ka qenë më indiferente është Dibra. Në planin fillestar ajo ka pasur vetëm një qendër si objektiv për rikonstruktim dhe sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga MSHMS, as ajo nuk është rikonstruktuar. Devijim nga plani fillestar ka patur edhe në qarkun e Fierit, në të cilin nga 12 qendra shëndetësore që ishin në plan rikonstruksioni, janë restauruar vetëm 2 prej tyre.

Nga sa shpjeguam më lart, në njërën anë është Rama dhe Manastirliu të cilët e quajnë të kryer premtimin për rikonstruksionin e 80 qendrave shëndetësore brenda 2018-ës, e në anën tjetër kemi shifrat e ministrisë së Shëndetësisë sipas së cilave bëhet e ditur se në total janë rikonstruktuar 67 qendra shëndetësore. Këtë herë deklaratat e qeverisë do t’i klasifikojmë GËNJESHTRA, duke shpresuar që 13 qendrat e tjera të jenë gati të paktën në fund të 2019-ës së bashku me 100 qendrat e tjera të premtuara po nga Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img