BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingRritet çmimi i bukës, “firon” pesha

Rritet çmimi i bukës, “firon” pesha

ESMERALDA TOPI

Qeveria shqiptare ngriti një task force për të monitoruar çmimet dhe peshën e produkteve që konsumojnë qytetarët shqiptarë në këtë periudhë kur të gjitha produktet e shportës janë shtrenjtuar. Faktoje ka monitoruar vetëm një produkt” bukën” dhe nga vëzhgimi në të paktën 10 pika në kryeqytet rezulton se çmimi për një bukë masive është rritur me 10 -20 lekë, dhe pesha është më e ulët se 1000gr.

Delina Ibrahimaj

20.03.2022

“Asnjë tregëtar të mos abuzojë me peshat dhe çdo konsumator të marrë atë që paguan. Nëpërmjet task forcës që ne kemi krijuar për mbikqyrjen e çmimeve dhe normave të fitimit, do të kemi shumë kujdes të mbikqyrim edhe peshat edhe funksionimin mirë të tregut në mënyrë që dhe konsumatori të marrë atë që blen.”- deklaroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj gjatë një vizite në një furrë buke në Tiranë në 20 mars 2022.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje bëri një vëzhgim në dhjetë furra të ndryshme në Tiranë me qëllim verifikimin e raportit çmim/peshë për bukën masive, e cila merret si referencë për shkak të përdorimit të gjerë në popullsi.  Furrat u zgjodhën në mënyrë rastësore në pika të ndryshme të kryeqytetit dhe blerjet u shoqëruan me tërheqjen dhe ruajtjen e kuponit tatimor. Bukët u peshuan menjëherë pas blerjes në një peshore elektronike.

 Foto e 10 bukëve masive

Siç shihet në tabelën e mëposhtme, nga vëzhgimi i Faktoje vetëm në dy furra çmimi i bukës masive është 90 lekë, në tetë furrat e tjera buka masive tregtohet me 100 lekë. Pesha e bukës masive në pikat që ne blemë varion nga 600 deri në 770 gramë dhe asnjë nga bukët nuk peshon 1000 gramë.

Tabela me çmimet dhe peshën e 10 bukëve masive

Krahas rritjes të çmimit të bukës me 10-20 lekë për shkak të shtrenjtimit të miellit nga konflikti Rusi-Ukrainë, qyetarët thonë se kanë vënë re abuzim me peshën. Lindita Cici thotë për Faktoje : “ Arrij ta dalloj që është më e lehtë sepse unë kam më shumë se 30 vjet që ble vetëm bukë masive të bardhë. Ka të paktën tre javë që feta e bukës është bërë më e vogël.”

Furrë buke Sulaj, Muhedin Llagami

Pjesë e vëzhgimit tonë ishte dhe furra e bukë që vizitoi Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj. U rikthyem në këtë biznes në 22 mars, dy ditë pas vizitës së Kryeministrit. Tek ‘Bukëpjekës Patria’, buka masive peshonte 770 gr dhe shitej 100 lekë. Alma Patria, pronare e furrës pohoi për Faktoje se gramaturën e bukës masive ja dikton forma e enës që përdor për pjekje.

Bukëpjekës Patria, Tefta Tashko Koço   

“Për ta bërë bukën një kilogramë ti duhet t’i hedhësh 1100 gramë sepse 100 gramë ikën, firon. Dhe format që unë kam nuk e mbajnë 1 kg.”- tha për Faktoje Alma Patria, pronare e furrës në rrugën Tefta Tashko Koço, duke e justifikuar në këtë mënyrë gramaturën që përdorin për bukën masive.

Hasan Stafa nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit thotë për Faktoje se ditët e fundit po përballet me fluks ankesash nga qytetarët për abuzimet me peshën e bukës. “ Kam marrë 314 ankesa për katër ditë. Ajo që shitet si bukë 1 kg, në fakt nuk është aq.”, – thotë Hasan Stafa.

Po sa duhet të peshojë buka masive? Faktoje ka arritur të sigurojë një dokument që përcakton standardin shqiptar për bukën e grurit. Pesha standarde e bukës masive, i korrespodon bukës me miell gruri rreze 70-75 ku pesha përcaktohet të jetë mbi 1000 gramë. Dhe për fat të keq, asnjë nga furrat ku ne shkuam të blemë bukë masive nuk e arrinte këtë peshë.

Drejtoria e përgjithshme e standardizimit

 

Ndërkaq, krahas problemeve me peshën, në 10 furrat që realizuam vëzhgimin vumë re një tjetër problematikë, mungesën e etiketave informuese për çmimin,sasinë dhe përbërësit e bukës. Në furrat e bukës që bëmë blerje, i vetmi përshkrim ishte lloji i bukës dhe çmimi. Por mungonte pesha.

Ndërkohë, referuar VKM Nr. 434, PËR ETIKETIMIN E USHQIMEVE DHE INFORMIMIN E KONSUMATORIT, furrat e bukës sikurse bizneset e tjera kanë detyrim të deklarojnë ato që njihen si të dhëna të detyrueshme ku përcaktohet çmimi, sasia, lista e përbërësve, data e jetëgjatësisëë, etj.

Një shembull se si duhet të jetë etiketa e bukës Faktoje e gjejti tek rrjeti i vetëm i supermarketeve italiane në Shqipëri. Por edhe këtu informacioni i etiketës duket i vakët nëse e krahasojmë me një etiketë buke në Mbretërinë e Bashkuar, ku detajohen vlerat ushqyese, afati i përdorimit, sasia, çmimi, përbërësit si dhe hapësirë e dedikuar informacioni për alergjinë.

ANGLI / SHQIPËRI

Inspektoriati shtetëror i mbikqyrjes së tregut është intitucioni përgjegjës për inspektimin e zbatimit të kërkesave të detyrueshme ligjore në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve. Në një bisedë telefonike për Faktoje.al kreu i këtij institucioni Lavdërim Sahitaj tha se ISHMT-ja verifikon nëse janë të afishuara listat me çmimet dhe gramaturën përkatëse të çdo buke. Në rastet kur listat mungojnë biznesi gjobitet.

“Por ne i kemi gjobat shumë të ulta, i kemi 100 deri në 200 000 lekë. Këtë shumë ai e paguan dhe vazhdon biznesin. Do të duhej të ndryshonin masat administrative. Për naftën u vu masë 2 000 000 lekë, kjo masë do të duhej që bizneset të mos shkelin ligjin.” – thekson Sahitaj për Faktoje. Sipas të dhënave që Faktoje mori nga Qëndra Kombëtare e Biznesit, në Tiranë numërohen 1104 furra aktive.

Përveç problemeve me peshën, mungesën e informacionit të detyrueshem Faktoje gjatë vëzhgimit në furrat e bukës u përball me mungesë gatishmërie për të lëshuar kuponin tatimor. Për të blerë 10 bukë, u paraqitëm në 12 furra të kryeqytetit. Ndërkohë, nga dhjetë bukët e blera vetëm në një furrë shitësi e shoqëroi blerjen me kupon pa e kërkuar, në nëntë furrat e tjera kuponin e kemi kërkuar dhe kemi pritur që të printohej. Si për ironi të fatit, në furrën e bukës që vizitoi Kryeministri na u desh të shkonim dy herë pasi nuk mund të lëshonin kupon për shkak të një problemi me sistemin e fiskalizimit dhe blerja u shoqërua me këtë faturë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img