Para 16 muajsh kryetari aktual i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha kandidat për kryetar bashkie, në këmbim të votës u premtoi qytetarëve “Rikualifikimin total të tregjeve”.
Faktoje i vizitoi këto tregje, në dhjetor të 2023 dhe për të dytën herë pas nëntë muajve, 20 shtator 2024, dhe nga verifikimet e 3 tregjeve të Vlorës, rezulton se nuk është bërë asnjë ndryshim në përmirësimin e kushteve të tregjeve ekzistuese.
VJOLANDA PECA
Një ndër premtimet prioritare përgjatë fushatës së 14 majit 2023, të kryetarit aktual të Bashkisë Vlorë Ermal Dredha, ishte rikualifikimi total i tregjeve të qytetit.
Bashkia (më datë 04.12.2024) tha se ka ndërmarrë tre projekte të lidhura me ndërhyrjet infrastrukturore në tregje.
“Ndërhyrja e parë i referohet tregut të fruta-perimeve me shumicë… Investimi është në vlerën 131.000 euro…Projekti i dytë është nga programi IADSA 2, i cili do të zbatohet përgjatë vitit 2024-2025 me titull “REVCON”, investim dhe rijetëzim i tregut të vjetër të qytetit, me një vlerë prej 300.000.000 lekë. Projekti i tretë, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, synon rivitalizimin e një hapësire të rëndësishme ekonomike në Vlorë, duke transformuar ish-Tregun e Orizit në qendër moderne të tregtisë, agroushqimit dhe turizmit.”
Pas verifikimeve në terren konstatuam që në Vlorë janë 4 tregje: tregu i Konfeksioneve (Sahatit), tregu i Çoles, tregu i shumicës dhe tregu i orizit të cilin nuk arritëm t’a vizitonim.
Tregu i Sahatit
Tregu i Konfeksioneve i cili njihet me emrin “Tregu i sahatit” gjendej përmes rrugicave të ngushta të një lagjeje të qytetit.

Banorët e zonës shisnin nën kushte aspak të përshtatshme, me çadra e tenda të grira nga qielli, rrugë të prishura, me gropa, që në ditët me shi kthehen në pellgje llumi, duke e bërë dhe më të trishtë panoramën e një zone tregtare që po vuan dhe rënien e numrit të blerësve.
Ky treg njihet ndryshe si tregu i vjetër për të cilin Bashkia Vlorë është shprehur se do të jetë pjesë e projektit “REVCON” dhe do të zbatohet përgjatë vitit 2024-2025. Bashkia shtoi se investimi dhe rijetëzim i tregut të vjetër të qytetit do të ketë një vlerë prej 300.000.000 lekë.
Në shtator të 2024 kur Faktoje.al vizitoi tregjet e Vlorës, nuk evidentuam investim të dukshëm, nisur jo vetëm nga verifikimi në terren por edhe nga bisedat e zhvilluara me shitësit.
Për një çadër të vogël dhe disa dërrasa, një shitësi i duhet të paguajë 2.500 lekë në muaj.

“Unë punoj në këtë treg që me ardhjen e demokracisë dhe paguaj qiranë aq sa s’më del fitimi” shprehet një shitës pensionist, duke shtuar më tej se detyrohet të punojë sepse, sipas tij, pensioni i ulët që merr nuk i del për të mbuluar shpenzimet.
Tregu i Çoles
Tregu i Çoles, i njohur për fruta dhe perime, ka pësuar një rënie dramatike, me numrin e tezgave që ka rënë në vetëm 10, nga afro 100 që ishin disa vite më parë.

Një nga shitëset na tregoi se nuk ka realizuar asnjë fitim për një javë të tërë, duke e lidhur këtë me uljen e numrit të blerësve dhe vështirësitë ekonomike që po përjetojnë njerëzit.
Ajo thekson se tregu nuk ka pësuar asnjë rregullim dhe gjendja është e njëjtë si më parë, duke reflektuar një mungesë totale angazhimi për përmirësimin e kushteve.

“Unë shes rroba të përdorura, ama në këtë treg s’kanë bërë asnjë herë rregullim, siç edhe duket sepse çfarë bie jashtë, bie dhe brenda” tha ajo për Faktoje.
Tregu i Shumicës
Tregu i Shumicës punon në orët e para të mëngjesit dhe shpërndan fruta-perime.



Sipas Bashkisë Vlorë investimi për rehabilitimin e këtij tregu është në vlerën 131.000 euro, specifikisht në ndërhyrje infrastrukturore për rehabilitimin e magazinave dhe pajisjeve frigoriferike. Por në ambientet e brendshme të tregut nuk arritëm të futeshim dot sepse disa punëtorë nuk na lejuan duke thëne: “Kushtet janë shumë të mira sepse janë bërë restaurime hera-herës”.
Përfundim
Premtimi i bërë më 9 maj 2023 nga kandidati Ermal Dredha për rikualifikimin e tregjeve deri më tani, nuk është përmbushur plotësisht. Verifikimet në terren bëjnë që ky premtim të konsiderohet pjesërisht i mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Shënim: Kategorizimi i premtimit u ndryshua më datë 16 dhjetor nga premtim i pambajtur në pjesërisht i mbajtur pas përgjigjes zyrtare të Bashkisë Vlorë. Edhe përmbajtja e artikullit reflektoi disa ndryshime të cilat mbështeten në përgjigjet zyrtare që Bashkia e Vlorës i dërgoi Faktoje.al.