Pretendimi: Kjo është foshnja shqiptare që mori emrin më të çuditshëm në botë
Verdikti: Mungon konteksti, clickbait
Lajmi intrigues për një foshnjë shqiptare që ka emrin më të çuditshëm në botë, i publikuar në 7 shtator nga portali “Kape Lajmin” ka tërhequr vëmendjen e lexuesve në rrjetet sociale. Në brendësi të artikullit sqarohet historia kurioze e një çifti kosovar, i cili vendosi të quajë vajzën e tyre të lindur në Gjermani me emrin Krefelda, emër i frymëzuar nga qyteti gjerman Krefeld.
Lajmi shoqërohet edhe me foton e një foshnjeje, që prezantohet si vajza me emrin që ka habitur gjermanët.
Duke verifikuar më tej këtë lajm, zbulojmë se kemi të bëjmë me një lajm të ricikluar dhe titull që keqinterpreton historinë me qëllim tërheqjen e klikimeve.
Më konkretisht, historia e emrit Krefelda është trajtuar nga media gjermane në mars 2017, kur familja Konxheli vendosi ta regjistronte me emrin e qytetit ku jetonte. Babai i fëmijës, Flamuri, shpjegoi në atë periudhë për gazetën Bild se prindërit “vendosëm ta pagëzojmë vajzën me emrin Krefelda si një shenjë mirënjohjeje për qytetin e Krefeld-it për gjithçka që ka bërë për ne.”
Ngjarja u trajtua nga mediat gjermane pasi autoritetet e qytetit ndërhynë, duke përmendur ligjet strikte të emërtimit në Gjermani. Këto rregulla ndalojnë vendosjen e emrave që mund të konsiderohen të papërshtatshëm ose të krijojnë konfuzion. Si rezultat, autoritetet refuzuan emrin, dhe çifti ra dakord që vajza e tyre të quhej Elda.
Vlen të theksohet se fotografia e vajzës gjithashtu nuk është e vërtetë. Fotoja e përdorur në disa artikuj nuk është e foshnjës në fjalë, por një foto stok nga Amazon.
Tashmë Elda duhet të ketë mbushur 7 vjeç dhe ndoshta edhe mund të argëtohet ndërsa lexon titujt e shkrimeve që e trajtojnë historinë e emrit të saj si një lajm të javës së fundit.