BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookRevista shkencore “Lancet" nuk e pranoi për shkak të cilësisë studimin mbi vaksinat

Revista shkencore “Lancet” nuk e pranoi për shkak të cilësisë studimin mbi vaksinat

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se vdekjet e papritura të shkaktuara nga vaksinimi kundër Covidit janë censuruar nga revista mjekësore “Lancet”

Studimi tregon se 74% e vdekjeve nga sëmundja e papritur pas vaksinimit kundër Covid-19 u shkaktuan nga vaksinat dhe më pas u censuruan nga Lancet!”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendimeve, duke iu referuar të dhënave zyrtare që vijnë nga institucionet përkatëse.

Sipas verifikimeve të bëra nga kolegët e “Logically Facts”, “The Daily Sceptic” një faqe interneti që njihet për shpërndarje të informacioneve të rreme përhapi këtë informacion, i cili më pas u përhap masivisht në mediat sociale, madje edhe në vendin tonë.

Sipas artikullit, një studim i autopsive i botuar në revistën e famshme mjekësore “The Lancet” u hoq shpejt, pasi tregoi se 74% e vdekjeve të ekzaminuara ishin shkaktuar nga vaksinat kundër COVID-19.

Megjithatë, studimi ishte vetëm një printim paraprak dhe nuk e kaloi fazën e botim për “The Lancet”. Ai nuk u rishikua nga kolegët dhe u hoq, pasi metodologjia e përdorur në studim nuk mbështeti përfundimet e studimit.

Më 5 korrik 2023, letra e para-printimit u postua në “Preprints with The Lancet”, një seksion i sajtit ku mund të identifikohet përmbajtja me interes përpara publikimit. Por, materialet e postuara në format drafti nuk janë studime të aprovuara nga “Lancet”, siç pretendon “The Daily Sceptic”.

Një person përgjegjës nga revista mjekësore sqaroi: “Printimet paraprake të disponueshme këtu nuk janë botime të Lancet ose domosdoshmërisht nën shqyrtim nga Lancet. Këto paraprintime janë punime kërkimore të fazës së hershme që nuk janë rishikuar nga kolegët.”

Ky studim i “çalë” u hoq më 6 korrik 2023. Faqja e hoqi me shpjegimin se: “përfundimet e studimit nuk mbështeten nga metodologjia e studimit”, duke shtuar se ai rezervon të drejtën të heqë një letër nëse konstatohet se ka shkelur kriteret e saj të shqyrtimit.

Mitchell Levine, një profesor i mjekësisë dhe metodave të kërkimit shëndetësor në “Universitetin McMaster”, shpjegon se një rishikim sistematik i “raporteve të rasteve” nuk është një metodologji që mund të adresojë atë pyetje kërkimore.

“Së paku, rishikimi sistematik do të duhej të vlerësonte studimet që kanë të paktën dy krahë, njëri me persona të ekspozuar ndaj vaksinës dhe tjetri me persona të paekspozuar. Përndryshe, mund të ndërtohet një studim rast-kontroll dhe grupi krahasues do të ishin njerëz pa rezultatin fatal”, shpjegoi Levine për Logically Facts.

Ai shtoi se raportet e rasteve janë të dobishme në gjenerimin e ideve dhe hipotezave që më pas do të testoheshin duke përdorur metodologjitë e duhura krahasuese.

Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), raportet për vdekje pas vaksinimit kundër COVID-19 janë të rralla. Përveç 9 vdekjeve pas vaksinimit nga vaksina Janssen, CDC nuk ka gjetur vdekje të lidhura me vaksinimin. Besohet se vaksina Janssen në raste të rralla shkakton sindromën e trombocitopenisë trombotike (TTS), një ngjarje negative serioze që përfshin mpiksjen e gjakut, që në disa raste mund të çojë në vdekje.

Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar shumë dezinformata potencialisht të rrezikshme, ndaj ekspertët sugjerojnë që për këshilla të besueshme qytetarët t’i referohen Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img