BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashPresidenti çek nuk kërkoi që shtetasit rusë të mbyllen në kampe

Presidenti çek nuk kërkoi që shtetasit rusë të mbyllen në kampe

Një intervistë e presidentit të republikës së Çekisë, Petr Pavel është keqinterpretuar si thirrje për të dërguar qytetarët rusë që jetojnë në Perëndim nëpër kampe përqëndrimi. Verifikimi i “Faktoje” tregon se si deklarata e keqinterpretuar është shpjeguar nga vetë presidenca çeke.

Jona Plumbi

Në një intervistë të dhënë për “Radio Evropa e Lirë”, presidenti i republikës së Çekisë Petr Pavel deklaroi se “shërbimet e inteligjencës duhet të monitorojnë shtetasit rusë që jetojnë në perëndim”, duke e quajtur si “çmimin e luftës”. Deklarata është interpretuar si thirrje për të internuar në kampe përqëndrimi qytetarët rusë jashtë kufijve të shtetit rus.

“Presidenti i Republikës Çeke Václav Havel, ka kërkuar që të gjithë qytetarët rusë që jetojnë në Perëndim të dërgohen në kampet e përqendrimit”. – shkruhet në tekstin me të cilën është shpërndarë videoja e intervistës së Pavel.

Nisur nga ky pretendim, “Faktoje” kërkoi informacion në rrjet për të kuptuar me qartë deklaratën e presidentit çek.

Gabimi i parë në shpërndarjen e këtij informacioni është vetë emri i presidentit. Presidenti i Republikës së Çekisë quhet Petr Pavel, i cili ka nisur mandatin e tij presidencial në mars të 2023-shit. Václav Havel ka shërbyer si presidenti i fundit i Çekosllovakisë nga viti 1989 deri në 31 dhjetor 1992 kur Çekosllovakia u shpërbë.

Sa i përket përmbajtjes së intervistës, ajo e datës 14 qershor për RFE, Pavel foli për pikëpamjet e tij mbi mënyrën si shërbimet e inteligjencës së vendeve perëndimore duhet të trajtojnë qytetarët me shtetësi ruse që jetojnë në vendet e tyre.

“Besoj se – ashtu si në rastet e mëparshme të konfikteve botërore – kur ka një luftë në zhvillim, masat e sigurisë që lidhen me shtetasit rusë duhet të jenë më strikte se zakonisht. Ndaj, të gjithë rusët që jetojnë në shtete perëndimore duhet të monitorohen më shumë sesa në të kaluarën sepse janë qytetarë të një shteti që po zhvillon një luftë agresive. Mendoj se mund të më vijë keq për këta njerëz, por njëkohësisht, kur shohim pas, kur Lufta e dytë Botërore nisi, e gjithë popullsia japoneze që jetonte në Amerikë ishte nën një regjim monitorimi. Ky është thjesht çmimi i luftës. – dëgjohet të thotë Pavel në intervistë.

Në një artikull mbi këtë intervistë, “Radio Evropa e Lirë” njofton se ka kontaktuar zyrën e presidentit çek për të sqaruar më tej kuptimin e “regjimit strikt të monitorimit”. Zëdhënësja e presidentit çek, Marketa Rehakova njoftoi RFE-në se nisur nga fakti që shumica e qytetarëve në Rusi mbështesin agresionin ndaj Ukrainës dhe civilëve të saj, “do të ishte një dështim i plotë i shërbimeve tona të sigurisë dhe kërcënim për qytetarët nëse nuk do të kushtohej një vëmendje më e shtuar për komunitetin rus që jeton në vendet tona”.

REL njofton se zëdhënsja tha se kjo nuk i referohet çdo individi, por “atyre që paraqesin faktorë rreziku”. Njëkohësisht, krahasimi i bërë me shtetasit japonezë në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë “në kontekstin se masat kufizuese për shtetas që vijnë nga vende armiqësore nuk është diçka e re dhe është aplikuar në të kaluarën edhe në forma më të ashpra”, shkruan REF.

Presidenti nuk ka thënë se duhet ndjekur tani dhe në asnjë mënyrë nuk ka dashur të thotë “internim apo ndonjë lloj persekutimi”, citohet të ketë thënë zëdhënësja e Pavel.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Presidenti Franklin D. Roosevelt vendosi ngritjen e kampeve japoneze të internimit Urdhrit Ekzekutiv 9066. Nga viti 1942 deri në 1945 qeveria amerikane vendosi të burgosë në kampe të izoluara njerëz me origjinë japoneze, duke përfshirë qytetarët amerikanë. I miratuar si reagim ndaj sulmeve të Pearl Harbor dhe luftës që pasoi, burgosja e amerikanëve japonezë konsiderohet si një nga shkeljet më mizore të të drejtave civile amerikane në shekullin e 20-të.

Gjashtë muaj nga miratimi i urdhërit ekzekutiv nga Roosvelt, 122,000 burra, gra dhe fëmijë u zhvendosën me forcë në “qendra grumbullimi” dhe më pas u evakuuan dhe izoluan në kampe përqëndrimi. Gati 70,000 prej tyre ishin qytetarë amerikanë.

Nisur nga intervista e Pavel dhe deklarata e zëdhënëses së tij, mund të thuhet se pretendimi se Presidenti çek, Pavel bëri thirrje për internim të qytetarëve rusë në kampe përqëndrimi, është i keqinterpretuar.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img