Qeveria ka dështuar në transparencën mbi funksionarët publikë

Vëzhgimi i Faktoje për ministrat e stafet e tyre zbulon mangësi të shumta

639

Ligji për të Drejtën e informimit detyron autoritetet publike që të publikojnë të dhëna mbi pagën, arsimimin dhe kualifikimin e funksionarëve. Por një vëzhgim i Faktoje në faqet zyrtare të ministrive, konstaton se Qeveria duket se ka dështuar në përmbushjen e këtij detyrimi. Vetë kryeministri Rama nuk ka asnjë të dhënë për kabinetin e tij. Tre ministra Shteti nuk kanë ende një faqe zyrtare

VJOLANDA PECA

“Çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshje, të çdo marrëdhënie kontraktuale që nuk hyn në atë hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit, duhet të jetë publike… Dhënia e informacionit nuk duhet të diskutohet, nuk ka vend për diskutim, duhet thjeshtë dhe vetëm të zbatohet’, deklaroi kryeministri Rama më 26 qershor të këtij viti, në fjalën e tij gjatë konferencës së gjashtë për të drejtën e informimit.

Në 2 shtator në paraqitjen e tij të parë në foltoren e parlamentit si kryetar i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi bëri të ditur se “Qeveria shqiptare po punon për të formuluar një ambicje te re sa i përket transparencës”.

Pak ditë më pas, në Asamblenë e Partisë socialiste, zoti Rama do të njoftonte se “do të bëhet publik së shpejti dhe do të shkojë deri në fund edhe projekti ynë i ri i Shqipërisë transparente, i cili do të shlyejë deri në fund borxhin që u kemi akoma qytetarëve tanë lidhur me sasinë dhe cilësinë e informacionit në kohë reale mbi vendimmarrjet tona në çdo nivel”.

Por ndërsa qeveria premton për ndërhyrje të reja që do të përmirësonin dukshëm transparencën e saj, vetë parashikimet e ligjeve ekzistuese jo gjithmonë vihen në jetë, ose ato, zbatohen sipas vullnetit apo dëshirës së çdo institucioni.

Ligji për të Drejtën e Informimit, në Nenin 7 “Kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesëparashikon ndër të tjera në pikën 1 se “autoritetet publike duhet të vënë në dispozicion të publikut në faqen e tyre në internet “të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë…”

Situata

Faktoje bëri një verifikim të faqeve zyrtare të Qeverisë dhe 11 ministrive dhe 6 ministrave të Shtetit, duke analizuar vetëm kabinetet. I pari i cili nuk ka asnjë të dhënë për stafin e ngushtë që e rrethon, që nga shefi i kabinetit e këshilltarët është kryeministri Rama. Në faqen e qeverisë, në zërin Kryeministri, shfaqet vetëm një biografi e tij, dhe asgjë tjetër. Ndërkohë që për Sekretarin e përgjithshëm, të dhënat ekzistojnë.

Ajo që i bashkon të gjitha institucionet është fakti, se përkundër detyrimit ligjor, nuk ka asnjë informacion mbi pagat e funksionarëve. Ndërsa për pjesën tjetër të të dhënave, vetëm 6 ministri (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë), (Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit), (Ministria e Financave), (Ministria e Drejtësisë), (Ministria e Shëndetësisë), (Ministria e Turizmit dhe Mjedisit), kanë të publikuara anëtarët e kabinetit të ministrit, emrin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të dhënat për arsimin e kualifikimet, të përfshira në curriculum vitae të tyre.

Për pjesën tjetër, mangësitë janë thuajse të njejta. Diku mungon tërësisht emri i Sekretarit të Përgjithshëm, diku tjetër mungojnë të dhënat për anëtarët e kabineteve, ose ato janë të pjesshme.


Një ndër ministritë që nuk kanë shlyer detyrimet ligjore është ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Më problematikë shfaqen ministrat e Shtetit. Nga 6 prej tyre, 3 nuk kanë fare faqe zyrtare. Duke nisur që nga ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla, te ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka apo dhe Ministrja e Shtetit për Administratën publike dhe Antikorrupsionin.

Mungon një faqe zyrtare e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin

Edhe tre ministrat e tjerë të shtetit kanë mangësi në informacionin e ofruar, ku diku mungojnë këshilltarët, diku tjetër jepen vetëm emrat por të pa shoqëruar me arsimimin apo kualifikimet e tyre.

Studiuesi Afrim Krasniqi shprehet për Faktoje se nuk ka nevojë për ndryshim ligjor sa ka nevojë për një instrument presioni, komisioner apo struktura të tjera, për ta detyruar qeverinë që të mos krijojë një sistem propagande siç edhe po kërkon, por të zbatojë ligjin në fuqi.

Është detyrim ligjor të publikohen informacionet publike, të dhënat e çdo zyrtari vendimmarrës në Republikën e Shqipërisë, deklaratat e dekriminalizimit të tyre, deklaratat e pasurisë sipas përcaktimit që ka bërë  ILDKPKI. Pa bërë këto tre hapa, mendoj që transparenca do jetë krejt fiktive dhe formale.”-shprehet më tej z.Krasniqi.