BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPromovim i gjuhës fyese dhe denigruese në vend të satirës, nga disa portale

Promovim i gjuhës fyese dhe denigruese në vend të satirës, nga disa portale

Me të përfunduar mandatin si president i Republikës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Autoriteti i Dosjeve njoftuan për implikimin e Ilir Metës si ish bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kaq mjaftoi që tituj dhe raportime me përmbajtje të gjuhës fyese dhe denigruese të qarkullonin në web dhe rrjetet sociale.

Barbara Halla

Më datë 26 korrik, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi një postim ku deklaronte se pas verifikimit të 446 kandidatëve për deputet, emrat e pesë prej tyre “figuruan bashkëpunëtorë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.” Këtu përfshihej po ashtu një “një personazh me profil të lartë politik,” me inicialet I.M. Vetëm një ditë me pas, Autoriteti i Dosjeve i dorëzoi Kuvendit të Shqipërisë një dokument ku konfirmon se “I.M.” është ish Presidenti Ilir Meta.

Burim: Faqja e Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

“…Ilir Meta, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendim të datës 28.04.2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit,” shkruhet në dokumentin e hartuar nga Autoriteti.

Të shumta ishin lajmet që pasuan deklaratat e Autoritetit të Dosjeve, duke përfshirë deklarata nga vetë ish-Presidenti Ilir Meta, i cili i hodh poshtë akuzat se ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit.

Përtej refuzimit të akuzave, si Meta dhe Kryeministri Edi Rama kanë përdorur mediat sociale për të thumbuar njëri-tjetrin ndërkohë që dokumentet të cilat provojnë vërtetësinë e pretendimeve të Autoritetit të Dosjeve nuk janë të disponueshme për publikun. Citatet vijnë nga media të ndryshme, si dhe faqja e Kuvendit.

Burim: Facebook

Këto postime në media sociale janë përdorur edhe si “burim” për artikuj të ndryshëm me ton satirik, të cilët përdorin ekzagjerime për të tërhequr vemendjen e lexuesve, paçka se titujt e tyre nuk përkojnë më përmbajtjen.

Një rast i tillë është edhe ky artikull i portalit Prapaskena, titulli i të cilit përmban një lojë fjalësh fyese, dhe një pretendim që ekzagjeron veprimet dhe fjalët e ish-presidentit Ilir Meta.

Burim: Prapaskena

Artikulli në fjalë i referohet dy postimeve në Facebook nga zoti Meta, ku ai ngre dyshime mbi marrëdhënien që kryeministri ka pasur me organet shtetërore, duke marrë parasysh rolin e këtij të fundit si karikaturist i shtypit komunist.

Burim: Facebook

Në postimin e dytë mbi këtë temë, Meta po ashtu flet “për heroizmin e një ‘Mata Hari’ shqiptare të quajtur Neta,” duke iu referuar kështu nënës së ndjerë të Edi Ramës. Meta pretendon se ky profil i Neta Ramës—ku shfaqet dhe një karikaturë me firmën e tij—është bërë me porosi të Sigurimit. Është e qartë se Meta do të bëjë lidhjen midis Ramës dhe ta portretizojë atë si një bashkpunëtor të Sigurimit gjithashtu, por këto postime nuk mund të kategorizohen si “sharje nga nëna” siç pretendon edhe titulli i artikullit të Prapaskenës.

Burim: Facebook

Akuza të ngjashme midis kryeministrit Rama, mamasë së tij, dhe Sigurimit janë bërë edhe nga Tedi Blushi, këshilltar i ish-Presidentit. Në një postim në Facebook, ai ka vënë në dukje po të njëjtin artikull nga gazeta në Shërbim të Popullit, ku paraqitet një karikaturë e bërë nga Edi Rama dhe e cila, sipas Blushit dhe Metës, i dedikohet nënës së tij.

Burim: Facebook

Përtej pretendimeve për sharje, titulli i portalit Prapaskena përdor gjithashtu një togfjalësh të pahijshëm dhe ofendues, duke marrë shkas nga mbiemri i këshilltarit të Metës.

Tituj të tillë kategorizohen si “click bait”: ato përdoren nga portalet si karrem për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, duke qënë se sa më shumë klikime të marrë një portal, i rrit të ardhurat nga publicitetet që shfaq, apo dhe format e tjera të financimit. Pra, portalet kanë incentiva financiare që të krijojnë tituj të ekzagjeruar ose që ofrojnë interpretime të paqena të deklaratave nga figura publike që të shtyjnë lexuesit të klikojnë artikullin në fjalë.

Nëse një titull ka gabime gramatikore, si në rastin e Prapaskenës, si dhe deklarata tepër të forta dhe me tendenca fyese apo që nxisin reagime të dhunshme, shpesh ato janë pjesërisht ose tërësisht të pavërteta. Ato duan thjesht vëmendjen e lexuesit, edhe përse shpërndajnë lajme të rreme me vetëdije.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img