Projekti i rrugës së vjetër të Pilurit?

“Një nga projektet më të rëndësishme që ne do të bëjmë në këto 4 vitet e ardhshme është projekti i rrugës së vjetër të fshatit, që ta kthejmë Pilurin në qendrën e turizmit kulturor dhe natyror.”

Kështu premtonte kandidati socialist për bashkinë Himarë, Jorgo Goro gjatë fushatës elektorale përpara zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023. Goro nuk i fitoi zgjedhjet vendore në Himarë edhe pse me një diferencë të vogël në vota me rivalin e tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

*Rezultati i votimeve për kryebashkiak në himarë, zgjedhje vendore 14 Maj 2023

Për shkak të mbajtjes në qeli të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri i cili nuk u lejua të kryejë betimin për të marrë zyrtarisht mandatin, Goro ka vijuar të qëndrojë në krye të bashkisë.

Informacion zyrtar

Duke marrë parasysh se në karrigen e kryetarit të Bashkisë qëndron Jorgo Goro, ne kërkuam informacion nga kjo bashki lidhur me premtimin e tij për rrgullimin e rrugës së vjetër të fshatit Pilur.

përgjigjen e saj bashkia na informoi për një tender të dhënë për “rrugën panoramike në Pilur”.

Bashkia Himarë ka zhvilluar procedurën e tenderit “Procedurë e hapur, punë”, me NR. REF- 52618-12-09-2022, me objekt: “Rikonstruksion i rrugës panoramike Pilur”, me fond limit 16 618 754 lekë pa TVSH”.

Fitues i tenderit është shpallur operatori ekonomik, “ED KONSTRUKSION” SHPK, me NUIS: K61625001I, me ofertën e paraqitur me një vlerë 13 456  890 lekë pa TVSH.

Me këtë operator ekonomik është nënshkruar kontrata e sipërmarrjes dhe kanë vijuar punimet për zbatimin e saj”. – Bashkia Himarë.

Me një kërkim në rrjet gjetëm projektin e përmendur nga bashkia. Tenderi në fjalë është hapur në janar të vitit 2023 dhe është njoftuar në Mars të po këtij viti, pra përpara zgjedhjeve të 14 Majit.

Edhe pse shpallja e tenderit nuk specifikon koordinata apo vendndodhje në hartë të rrugës që pritet të rikonstruktohet, nga ajo që mund të shihet në fotot 3D të projektit, bëhet fjalë për një pedonale turistike të Pilurit.

Verifikimi në terren

Për të kuptuar cila është “rruga e vjetër e fshatit” që i referohet Jorgo Goro, pyetëm banorë të zonës të cilët na informuan se rruga e vjetër quhet ajo që lidh fshatin Pilur me rrugën e re të Lumit të Vlorës.

Nga kjo rrugë, tabela që shënon hyrjen në fshatin Pilur, të orienton drejt një ure të vjetër përmbi lumin e Vlorës.

*kthesa për në fshatin Pilur nga rruga e re e Lumit të Vlorës, 22 dhjetor 2023

Në hyrje të rrugës nuk ka asnjë tabelë që njofton nisjen e punimeve. Pasi kaluam urën e vjetër, rruga e ngushtë dhe e prishur bëhej shpejt e pakalueshme nga makina.

*rruga që lidh rrugën e re të lumit të Vlorës me fshatin Pilur

Për këtë arsye u kthyem pas, për të shkuar në Pilur nga rruga ekzistuese, ajo që lidh fshatin me qytetin e Himarës.

*Kthesa për të shkuar në Pilur nga Himara

Nga kthesa e rrugës kombëtare të Himarës në bregdet, deri në fshatin Pilur, rruga është 8.5 kilometra e gjatë.

Gjysma e parë e rrugës, nga Himara në Vumblo (4.7km) është shtruar në vitin 2018 dhe ka kushtuar mbi 166 milionë lekë me TVSH.

*rruga nga Himara drejt fshatit Pilur
*Kontrata e shtrimit të rrugës nga kthesa e Pilurit në Himarë tek kthesa Vumblo me gjatësi rreth 4.5 km.

Asfalti përfundon tek kthesa në Vumblo, aty ku gjendet një pikë e përpunimit të gurëve.

*Shënuar me blu pjesa e rrugës së fshatit Pilur e shtruar në vitin 2018
*Pika e përpunimit të inerteve ku përfundon rruga e asfaltuar
*Hyrja e fshatit Pilur, ku përfundon rruga e shtruar dhe gjendet pika e përpunimit të inerteve
*Hyrja e fshatit Pilur, ku përfundon rruga e shtruar dhe gjendet pika e përpunimit të inerteve

Për të mbërritur deri në Pilur përshkuam edhe 3 kilometra e gjysmë rrugë të amortizuar.

*Pjesa e pashtruar e rrugës së fshatit Pilur
*3.5 kilometrat e fundit te rrugës Himarë – Pilur

Kur mbërritëm në fshatin Pilur, aty takuam Pavllo Balën.

Ai na konfirmoi se rruga që lidh fshatin me Himarën u shtrua disa vite më parë, por nuk erdhi deri tek fshati Pilur ku ai jeton me gruan e tij. Kur e pyesim nëse ka dëgjuar për rregullimin e rrugës së vjetër të fshatit Pilur, Pavllo ngre supet.

Përfundim

Piluri ka qenë destinacioni i disa investimeve të qeverisë qendrore dhe lokale të viteve të fundit. Premtimi i fundit i kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro fliste për “rrugën e vjetër të fshatit Pilur”.

Në mungesë të të dhënave shteruese nga ana e Bashkisë, që në vend të projektit për rrugën e vjetër të fshatit, na dha informacion për rrugën panoramike në Pilur, ne kontaktuam kryebashkiakun në detyrë Goro për të konfirmuar përgjigjen e Bashkisë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm përgjigje prej tij.

Për të kuptuar nëse Bashkia ka një plan apo buxhet të parashikuar për shtrimin e kësaj rruge ne kërkuam buxhetin afatmesëm të bashkisë në faqen e saj zyrtare. Por buxheti i fundit i ngarkuar në faqen e Bashkisë Himarë është ai i vitit 2021, ndërsa buxhet afatmesëm është ai i viteve 2021 – 2023, edhe ky i paaksesueshëm nga qytetarët.

Nga verifikimi në terren rezulton se për rrugën që lidh fshatin Pilur me rrugën e re të Lumit të Vlorës, që nga banorët e zonës njihet si rruga e vjetër e fshatit, puna nuk ka nisur, ndaj premtimin e konsiderojmë deri tani të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img