Rikonstruksioni i kompleksit sportiv të Fierit ishte një nga premtimet e mandatit të parë si kryebashkiak të zotit Armando Subashi. Ndërsa premtimi tjetër i z.Subashi dhe kryeministrit Rama në vitin 2019 ishte ndërtimi i një pallati të ri sporti. Të dy këto projekte janë akoma të parealizuara.
—
“Do të kryhet përfundimi i projekteve infrastrukturore – sportive të nisura (Kompleksi
sportiv pranë ETC, Qendra e sporteve të rënda)“, ishte premtimi fillestar i z. Subashi në 2015.
Kompleksi sportiv 2018
Kompleksi sportiv 2020
Dera e palestrës sportive
Nga vëzhgimi në terren Faktoje pa që nuk punohej teksa palestra sportive ishte e mbyllur me kyç.
Faktoje pyeti zyrtarisht Bashkinë Fier se çfarë ka bërë 5 vjet pas premtimit të Z. Subashi dhe përgjigja që mori ishte se “është duke u përfunduar rikonstruksioni i plotë i Pallatit të Sportit ekzistues pranë ETC Fier. Rikonstruksioni po kryhet me fonde dhe burime njerëzore të Bashkisë Fier”.
Bashkia quan “pallat sporti” një kompleks sportiv por në fakt pallati i sportit është projekt tjetër.
Pallati i ri i sportit
Kryeministri Rama në 2019 premtoi:
“Në sheshin e ri kur të festojmë fitoren e Armandos, ne do të fillojmë punën për Pallatin e ri të Sportit se kishit një skuadër kampione në basketboll, që stërvitej në Durrës dhe luante në Tiranë dhe thoshte Apollonia. Stërvitu në Durrës e luaj në Tiranë dhe as nuk i shikonit, as nuk ju shikonin. Pallatin e Sportit do ta ndërtojmë aty ku ka qenë këndi i vjetër i lojërave”-u shpreh Kryeministri Rama.
Kryebashkiaku Armando Subashi në 6 mars 2019 tha:
“Është një nga gjërat e munguara një pallat sporti. Ndjej dhimbje kur pallat sporti kanë shumë qytete të Shqipërisë shumë më të parëndësishme se Fieri në aspektin financiar”.
Duke prezantuar më hollësisht projektin, kryetari Subashi tha:
“Gjithë ai kompleks, nuk do ketë vetëm një sallë, por një zonë atraktive për qendrën si vlerë e shtuar. Do t’i japë atë që na mungon të gjithëve dhe do jetë shtysë për zhvillimin dhe ngritjen e disiplinave në një nivel tjetër, aty ku Fieri e meriton që të jetë”.
Faktoje shkoi në terren dhe konstatoi që punime në vendin e projektuar për ndërtim nuk kishte.
Vendi ku do të ndërtohet pallatit të sportit
Projekti
Në datën 11 mars 2019 në sallën e konferencave të Bashkisë Fier u bë prezantimi për pallatin e sportit të dizejnuar nga studioja italiane “MAU ARCHITECTURE”.
Projekti është pjesë e procesit për rizhvillimin e qendrës së qytetit, të fituar nga studioja në fjalë.
Projekti i Pallatit të Sportit Fier
Në buxhetin e Bashkisë Fier për vitin 2020 parashikohej se në vitin 2021 ishin llogaritur 35 milionë lekë për projektin e pallatit të sportit. Ndërkohë në vitin pasardhës, në 2022, do të shtoheshin edhe 50 milionë lekë të tjera.
Faktoje pyeti zyrtarisht Bashkinë Fier për projektin e Pallatit të Sportit dhe përgjigja ishte se “kanë filluar procedurat e shpalljes”.
Duke qenë se premtimi i parë ishte dhënë në vitin 2015, dhe si projekt duhet të ishte mbyllur, Faktoje e konsideron premtimin për rikonstuksionin e kompleksit sportiv si ende të papërfunduar dhe për rrjedhojë TË PAMBAJTUR. Rikonstruktimi duhej të ishte mbyllur brenda mandatit. Ndërkaq, edhe pse ka kaluar më pak kohë nga premtimi për pallatin e ri të sportit (1 vit e gjysmë), edhe këtë projekt do ta konsiderojmë deri tani TË PAMBAJTUR.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.