BallinaPertejPremtimi për rajonalizimin e produkteve bujqësore u ‘mbajt’ vetëm virtualisht

Premtimi për rajonalizimin e produkteve bujqësore u ‘mbajt’ vetëm virtualisht

ILDA KURTI

Në fushatën e vitit 2013 gjatë vizitës në fshatin Vreshtas të Korçës, kreu i PS, Rama premtoi se do të kryente hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor, një politikë që synonte stimulimin e prodhimit, bazuar në specifikat e secilit rajon. 8 vite pas këtij premtimi, procesi i rajonalizimit duket se është përmbushur vetëm virtualisht. Në nëntor të 2014-s u publikua një hartë që ilustronte rajonalizimin, por për ekspertët politikat e rajonalizimit nuk mund të shërbejnë për asgjë, sa kohë ato janë të bazuara në hulumtime shkencore të 40-50 viteve më parë.


Në 5 qershor 2013, teksa vendi përgatitej për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, kryetari PS, Edi Rama deklaroi në fshatin Vreshtas të Korçës :

Ne do të bëjmë hartën e prodhimit. Ne do të bëjmë rajonalizimin e prodhimit, bazuar mbi specifikat e territoreve, bazuar mbi kostot, bazuar mbi traditën, bazuar mbi eksperiencën dhe do të stimulojmë prodhimin sipas kësaj harte, duke e ditur shumë mirë çfarë prodhon fusha e Korçës dhe çfarë duhet të stimulojmë dhe si do ta mbështesim fermerin. Ashtu sikundër do të bëjmë një mbështetje të lidhur me nxitjen për t’u bashkuar dhe me padyshimin më të vogël, për këtë unë ju zotohem që ne do të luftojmë dhëmb për dhëmb bashkë me ju për të mos lejuar që një kuintal i vetëm prodhim të mbetet pa shitur.”

Faktoje vendosi të verfikojë vërtetësinë e kësaj deklarate dhe fillimisht dërgoi dy kërkesa për informacion pranë institucionit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë së  Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

                       Kërkesë për informacion drejtuar AZHBR, datë 08.02.2021

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural nuk u përgjigj në lidhje me informacionin e kërkuar, por u mjaftua duke e deleguar kërkesën tek Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Edhe pas insistimit të Faktoje, që shpjegoi qartë se jemi në kërkim të një përgjigjeje zyrtare nga institucioni i AZHBR-së, kjo kërkesë mbetet ende pa përgjigje.

                                                       Foto e përgjigjes së AZHBR, datë 09.02.2021

Ndërkaq, Faktoje siguroi përgjigjen zyrtare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Foto e përgjigjes së Ministrisë së Bujqësisë, datë 11.02.2021

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “Harta e rajonizimit të bujqësisë është realizuar në vitin 2014, bazuar në një studim të ekspertëve të fushës, në kuadër të nismës “Muajt e Bujqësisë Shqiptare.”

Përgjigjia shoqërohej edhe me hartën në fjalë.

Fotoja e hartës së rajonalizimit të prodhimit bujqësor në Republikën e Shqipërisë. Burimi: Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural.

Nga një verifikim i mëtejshëm, rezulton se në konferencën “Bujqësia e së Ardhmes”, u prezantua për herë të parë harta e rajonalizimit të produkteve bujqësore në nëntor të 2014, në praninë e ministrit të Bujqësisë në atë kohë Edmond Panariti.

Foto ilustruese nga faqja zyrtare e “Për herë të parë fermerët kanë Hartën e Rajonalizimit të Produkteve

Ndër të tjera, në deklaratat e mbajtura përgjatë këtij evenimenti thuhet:

“Unë e konsideroj këtë moment, momentin e shpalljes më në fund, të kësaj harte të rajonalizimit të prodhimit bujqësor si moment konsolidimi të pozicionit të Qeverisë dhe shtetit në raport me individin dhe me fermën dhe mbi kapacitetet mbështetëse, nga të cilat individi dhe ferma mund të përfitojnë duke iu drejtuar Qeverisë. Pra, është e qartë që kjo hartë vendos një marrëdhënie shumë transparente mes Qeverisë dhe sektorit. Në të njëjtën kohë përcakton në mënyrë të saktë, të gjitha piketat ku synohet të intensifikohet prodhimi bujqësor dhe ku synohet transformimi rajon për rajon.

Fotografi e një prej ligjëratave të mbajtura në konferencën “Bujqësia e së Ardhmes”. Burimi: Kryeministria

Ndërkohë që harta e rajonalizimit pritej të ndiqej nga një politikë e mirëfilltë bujqësore mbarëkombëtare, me raporte specifike, studim të zgjeruar mbi baza të hulumtimit shkencor, kjo nuk ndodhi.

Për më tepër, kjo hartë duhet përditësuar sipas periudhave stinore të secilit vit prodhimi, duke ndjekur po të njejtën praktikë pune, të bazuar në hulumtime të mirëfillta shkencore dhe të bazuara në statistikat vjetare, për të ndjekur konkretisht ndikimin që kjo politikë bujqësore ka dhënë.

Bazuar në përgjigjen zyrtare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faktoje shfletoi publikimet e bëra nga INSTAT për fushën e bujqësisë. Nga kërkimi ynë, e vetmja statistikë që jepte një pasqyrë më të plotë të situatës së prodhimit në vend ishte raporti “Statistikat e Bujqësisë 2019”, i publikuar në 19 qershor 2020. Këto të dhëna, nuk na tregojnë konkretisht ndikimin që ka patur rajonalizimi në prodhimin bujqësor por vetëm kryejnë raportimin rutinë të INSTAT. Përgjegjësia e mbikqyrjes së politikës së rajonalizimit duhej të kryhej nga vetë Ministria e Bujqësisë si institucioni dizenjues i saj.

Faktoje provoi të kontaktojë me ishministrin e Bujqësisë por ende nuk kemi një reagim nga zoti Panariti në lidhje me këtë proces.

Për të kuptuar më qartë situatën, Faktoje kontaktoi me profesorin Lush Susaj nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të rajonalizimit në bujqësinë shqiptare.

Susaj shprehet i zhgënjyer me mënyrën se si po funksionon sistemi, pasi sipas tij, ‘në asnjë rast nuk janë dëgjuar specialistët e mirëfilltë të fushës, as fermerët e prodhimit të mirëfilltë dhe as institucionet e kërkimit shkencor dhe inovacionit. Susaj shprehet se politikat e rajonalizimit nuk shërbejnë për sa kohë ato janë të bazuara në të dhënat e hulumtimeve shkencore të bëra rreth 40-50 vjet më parë, bazuar në kushte klimatike të ndryshme dhe struktura varietore që nuk ekzistojnë më.

“Në të gjithë botën, rajonizimin dhe strukturat varietore i hartojnë universitetet dhe departamentet e kërkimit shkencor, ndërsa qeverisjet tona këto punë ua besojnë shoqatave politike. Në këtë mënyrë, studimet, rajonizimet dhe strukturat nuk u bënë kurrë si duhet. Për më keq, rajonizimet, strukturat varietore, etj, sa herë që është folur janë bërë të gjymtuara e duke u bazuar në studimet e viteve 1970-1985. Janë studime që bazohen në të dhënat klimatike të para 40 viteve, të cilat nuk ekzistojnë më. Janë struktura varietore që bazohen në kultivarët e para 50 viteve të cilët nuk ekzistojnë më. Në këtë mënyrë, janë jashtë funksionit e nuk shërbejnë për asgjë.” – tha Susaj për Faktoje.

Gjithashtu ai shprehet i indinjuar ndaj shmangies që bëhet sipas tij, ndaj  kapaciteteve të një universiteti kombëtar, i cili duhej të ofronte fushën e tyre të dijes për të ndihmuar në udhëheqjen drejt të politikave kombëtare bujqësore:

“Studimet, teknologjitë dhe standardet e prodhimit shqiptar në vend që t’i hartonte, drejtonte dhe mbikëqyrte Universiteti Bujqësor, u degraduan në dorën e klaneve dhe strukturave të korruptuara të politikës së kaosit dhe regresit.

Në çdo fushatë elektorale, politikanët tanë bëhen agronomë dhe ekspertë, bëhen topografë e mjekë, kujtojnë se i dinë të gjitha. Kështu ka ndodhur në vitin 2013, ndodhi edhe në vitin 2017, kështu po ndodh edhe tani. Na u premtuan edhe struktura varietore konkurruese për Korçën e gjithë Shqipërinë, ndërsa u zhgarravitën letra e dosje nga zyrat e pa dalur asnjë ditë në terren. Kështu u premtuan aq shumë rajonizime e specializime, e në fakt nuk u bë asgjë. Situata u përkeqësua edhe më shumë, mollët e Korçës në vitet 2009-2013, nuk shiteshin dhe hidheshin në kanal, ndërsa në vitet 2013-2021, fermerët filluan të presin pemëtoret dhe vreshtat e tyre. Madje dy fabrikat e prodhimit të verës në Korçë pothuajse kanë pushuar së ekzistuari dhe gjithë habitati fantastik i muskateve, i pamidit, i mavrudit, etj, nuk jep më asgjë për punësimin dhe as për ekonominë tonë kombëtare.” – u shpreh eksperti Susaj për Faktoje.

Faktoje kontaktoi gjithashtu edhe me fermerë për t’i pyetur për impaktin që ka patur mosrealizimi i rajonalizimit të hartës së prodhimit bujqësor në organizimin e punëve të tyre të përditshme.

Fermeri O.A. nga Durrësi tha për Faktoje:

“Mungesa e rajonalizimit të kulturave bujqësore shqiptare përbën një problem shumë të madh pasi ka bllokuar zinxhirin e prodhimit. Pikat e grumbullimit do të funksiononin më mirë nëse do të kryhej rajonalizimi ashtu sikundër duhej, pasi fermerët kanë pritshmëri të drejtpërdrejtë sipas sezoneve të prodhimit. Sasia është ende e paparashikueshme pasi nuk dihet se sa prodhohet konkretisht nga jashtë.”

Fermerët gjithashtu shprehen për Faktoje se krijimi i një sistemi mbarëkombëtar do të lehtësonte punën për prodhuesit shqiptarë.

“Shteti duhet të krijojë një sistem pasi lehtëson punën për prodhuesin shqiptar. Kjo krijon një sistem të drejtpërdrejtë prodhues-shtet, pasi shteti mund t’i administrojë më mirë X rajone që ka nën kontroll. Do lehtësonte sistemin e rimbursimeve apo bonuseve nga shteti.” – u shpreh fermeri O.A për Faktojen.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img