Prej vitesh mijëra banorë në Grizë, Zharrëz dhe Frashër të Patosit nuk kanë një rrjet të kanalizimeve të ujërave të ndotura. Në dimër dhe në verë banorët përballen më probleme të ndryshme, ndaj premtimi i kryebashkiakes Balilaj ishte i mirëpritur prej tyre por që nga vetë bashkia rezulton i vështirë për tu mbajtur.
—
“Do të ndërhyjmë edhe në rrjetin e ujërave të zeza në Grizë, Zharrëz dhe Frashër”.
Kështu tha Rajmonda Balilaj në një intervistër për BIRN në vitin 2015.
Faktoje pyeti zyrtarisht Bashkinë Patos nëse është kryer ndërhyrja e premtuar në rrjetin e ujërave, por në përgjigjen e saj konfirmohet se është e vështirë kryerja e saj.
Zharrëz
Zharrëza e shpërthimeve të naftës nuk ka një sistem të mirëfilltë të kanalizimeve të ujërave të zeza.
“Nëpër lagje nuk ka kanalizime, e zgjidhim me puseta vetë, në lagjen e Furrit për shembull ku jetoj unë nuk ka fare kanalizime. Në vende me shumë shtëpi këtu në rrugë kryesore ka dhe janë bërë qëkur!”- i tha Faktoje një banor i zonës.
Frashër
Frashëri është një vendbanim fare afër Zharrëzës që ka problem të madh me ujërat e zeza. Ato janë të hapura dhe janë shndërruar në një problem serioz për banorët.
“Në dimër janë problem se mblidhen ujërat dhe bllokohen. Në verë vjen era. Janë të hapura dmth. Po ca i kanë në shpi pusetat, ca i kanë i hedhin kështu në të hapur.”- i tha një banor tjetër Faktojes.
Grizë
Griza është një fshat i vogël në hyrje të Patosit. Banorët që Faktoje pyeti nëse ka kanalizime për ujërat e zeza, thanë se ato nuk ekzitojnë në këtë fshat.
“Tani është bërë ky tubacioni i ujit. Se kshu kanalizim ujërash të zeza nuk kemi. Me puseta private e kemi”- tha për Faktoje një nga banorët e Grizës.
Banorët ndër të tjera ishin entuziastë se pas aq shumë kohësh po u vinte uji i pijshëm. Ata e quanin këtë një arritje për fshatin e tyre pasi prej kohësh mbushnin ujë tek çezma e fshatit.
Nisu nga të gjithë të dhënat e mbledhura nga Faktoje këtë premtim do ta kategorizojmë TË PAMBAJTUR.