BallinaFaktometerE PavërtetëPortali unik qeveritar i rindërtimit, mungesë transparence dhe amulli informacionesh

Portali unik qeveritar i rindërtimit, mungesë transparence dhe amulli informacionesh

Ina Allkanjari

Programi i rindërtimit nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, i shtrirë në 11 bashki të prekura, duhej të karakterizohej nga transparenca dhe llogaridhënia. Për të unifikuar informacionin dhe për ta përcjellë atë me transparencë për publikun, u vendos të krijohej një portal unik qeveritar rindertimit.gov.al

Faktoje evidentoi se portali nuk përmbush kriteret e parashikuara me ligj, për të përcjellë transparencë. Kjo e fundit “çalon” dhe nga mungesa e botimeve të raporteve periodike për ecurinë e punës në lidhje me zbatimin e programeve të rindërtimit.

——————–

“Duke iu referuar transparencës, portali unik qeveritar që kemi për rindërtimin, pra webiste i rindërtimit për dijeninë tuaj (mund edhe ta checkoni, të na mësoni, të na kritikoni ose të na vini në dukje çfarë duhet të përmirësojmë), përditësohet minimalisht një herë në dy ditë”- kështu deklaroi në 22 korrik 2020 Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë një komunikimi për mediat lidhur me transparencën në kuadër të procesit të rindërtimit.

Akti Normativ Nr. 9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, neni 10, i cili ka në fokus parimin e informimit dhe transparencës specifikon:  Autoritetet publike bëjnë publike çdo të ardhur, donacion apo shpenzim që kryhet me qëllim përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore. Ndërkohë sipas nenit 38, i po këtij akti, dëshmohet krijimi i portalit unik qeveritar në funksion të transparencës së procesit të rindërtimit dhe kriteret që duhet të përmbushë.

Neni 38, akti normativ nr.9 datë 16.12.2019

Portali unik qeveritar do të duhet të zbatonte prej rreth dy vitesh tashmë, pikat e sipërpërmendura për të përmbushur objektivat e transparencës.

Portali i rindërtimit, datë 18 nëntor 2021

Në mbledhjen e katërt të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, që u mbajt më 12 shkurt, Ahmetaj theksoi se ky portal do të ofroj të gjithë informacionin për rindërtimin: “Portali unik që iu referua kryeministri, ne tani e kemi aktiv, por gjithsesi edhe kjo është punë në proces. Praktikisht këtu do të kemi të gjithë informacionin për rindërtimin, zonë më zonë, proces për proces, shtëpi për shtëpi, donacion për donacion, aktivitet për aktivitet.”

Gjatë kontrollit të platformës së rindërtimit, më datë 11 nëntor 2021, Faktoje evidentoi kategoritë, të cilat figurojnë në këtë portal për të verifikuar transparencën dhe raportimin e procesit. Ato listohen si më poshtë:

Paketa Ligjore e cila ka të përfshira Ligje, Akte Normative dhe Vendime, të cilat paraqesin vështirësi për të gjetur informacionin e nevojitur, pasi shoqërohen vetëm me datat përkatëse në mungesë të një shkrimi referues të vendimit. “Programet e Rindërtimit”, ku sipas nenit 38 duhet të disponojë të dhëna mbi fondin e rindërtimit, burimin e krijimit të tij, projektet e realizuara, grantet apo përfituesit nga ky projekt, të cilët janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 etj. Ndërkohë në këtë kategori nuk figurojnë të dhëna specifike, mungon informacioni se kush po rindërton, sa kantiere janë etj. Ajo çfarë evidentohet janë nënkategoritë të cilat përbajnë programet e mëposhtme:

Screenshot, portali Unik Qeveritar rindertimi.gov.al

“Ndërtimi i objekteve të reja” Kjo nënkategori paraqet të dhëna të përgjithshme rreth funksionimit të procesit të rindërtimit, ku figuron i bashkangjitur akti normativë nr. 9 datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, por nuk rezulton asnjë e dhënë se cilat janë objektet e reja të ndërtuara, cilat janë ato të përfunduara apo ato në proces.

“Infrastruktura publike dhe kritike” sërish paraqitet vetëm një informacion i përgjithshëm ku figuron i bashkangjitur akti normativ nr. 9, datë 16.12.2019.

“Krijimi i fondit të banesave” është një tjetër nënkategori e përfshirë në Programin e Rindërtimit. “Për nevoja të strehimit të familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore, Enti Kombëtar I Banesave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe/ose njësitë e vetëqeverisjes vendore, krijon fondin e banesave të nevojshme për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, që konsiston në banesat e blera me fonde nga fondi i rindërtimit në tregun e lirë, si dhe nga banesat e dhuruara nga subjektet e treta në favor të shtetit, me qëllim përballimin e fatkeqësive natyrore”, ky është i vetmi informacion i publikuar në këtë nënkategori.

Në këtë proces transparenca mbi “Grantet e rindërtimit”, ka rëndësi tejet të lartë, por evidentojmë se në këtë hapësirë paraqitet informacioni se kush kategori përfiton grantet e rindërtimit apo të rikonstruksionit, por nuk ka të dhëna se kush janë përfituesit, vlerat e grantit apo si po vijon procesi.

Screenshot portali Unik Qeveritar rindertimi.gov.al, kategoria programet e rindërtimit

Në nënkategorinë e fundit të Programeve të Rindërtimit “Rimëkëmbja ekonomike sociale”, paraqitet një përshkrim i shkurtër rreth kompensimit të dëmeve që familjet duhet të përfitojnë nga fatkeqësia natyrore.

Prokurimet

Një ndër kategoritë e përfshira në këtë platformë, janë Prokurimet. Sipas nenit 38 të transparencës, kjo kategori duhet të përfshijë të dhëna mbi procedurat e prokurimit në funksion të procesit të rindërtimit.  Në këtë kategori përballesh me amulli informacionesh të cilat nuk disponojnë struktur kërkimi kohor apo emërtime tematike, duke sjellë vështirësi në gjetjen e informacionit të dëshiruar. Kjo kategori nuk përmbush parimet e Open Data.

Për sa më sipër, rreth dy vite më parë gjatë informimit për ecurinë e procesit të rindërtimit, Ahmetaj foli rreth programeve të cilat në bazë të ligjit janë aktive në këtë platformë duke treguar specifikat e secilit program.

Screenshot, Informimi i Ahmetaj për ecurin e procesit të rindërtimit, datë 22.07.2020

Prej vitit 2020 këto programe të përfshira në kategorinë “Programet e Rindërtimit” nuk rezultojnë të kenë asnjë azhornim, dhe nuk evidentohen raporte ecurie të botuara në zbatim të programit të rindërtimit.

Kategoria “Shtëpia ime”

Nëse vijojmë të shqyrtojmë platformën, në fund të faqes na shfaqet edhe aplikacioni “Shtëpia ime”. Në pamje të parë, çdokush do të mendonte që duke klikuar në këtë seksion do të gjeneroheshin të dhëna që kanë të bëjnë më banesat, apo me procese në vijimi lidhur me to. Por, çdo klikim mbi seksionet e platformës “Shtëpia ime”, të kthen te faqja kryesore që shfaq vetëm aktivitete dhe foto të kryeministrit dhe qeverisë që kanë lidhje me tërmetin.

Screenshot, aplikacioni “Shtëpia Ime”, portali Unik Qeveritar

Kategoria “Ndiq Projektet”

Në fund të faqes së rindërtimit figuron dhe kategoria “Ndiq Projektet”. Nëse provon të klikosh, ky buton të delegon në një hartë të Shqipërisë ku paraqiten të dhëna nga Planet e Përgjithshme Vendore (PPV) dhe Planet e Detajuar Vendore (PDV) të bashkive. Në këtë hartë shfaqet vështirësi për të kuptuar nëse janë të përfshira projektet e rindërtimit dhe faza në të cilën ndodhet ky proces.

Screenshot harta e implementuar në opsionin Ndiq Projektet, faqja e rindërtimit

Pjesë e këtij portali është gjithashtu platforma Eu4schools, e cila mund të shërbejë si një shembull konkret se si mund të raportohet në mënyrë të qartë dhe ta kuptueshme mbi ecurinë e proceseve.

Screenshot, portal Eu4schools

Portali “Eu4schools” siguron informacion të detajuar dhe në kohë reale për 63 objekte arsimore të dëmtuara në nëntor të vitit 2019. Gjatë verifikimit të portalit vihet re se ka të përfshirë kategori të ndryshme të cilat janë të azhornuara dhe sigurojnë transparencë në këtë proces.

Screenshot, portal Eu4schools

Pas verifikimit të kësaj platforme, duke iu rikthyer deklaratës së muajit shkurt të ministrit Ahmetaj, mbi rëndësinë e transparencës si një nga parimet kryesore të rindërtimit, mund të themi se shumë prej kritereve të përcaktuara në ligj për transparencën nuk janë përmbajtur.

Lidhur me procesin e rindërtimit në Shqipëri, ajo çfarë Faktoje konstatoi është se gjithashtu nuk ka nje kategori ku të bëhen raportim periodike, apo vjetore dhe se raporti i fundit rezulton të jetë në vitin 2020, mbi përdorimin e fondeve buxhetore për rindërtimin.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në 16 shtator 2021 datë, ka bërë një raportim në kuadër të programit “Shqipëria 2030”, ku paraqet disa nga të dhënat e ecurisë së procesit të rindërtimit deri në shtator, duke mos raportuar u ndalur te  numri i banesave individuale dhe apartamenteve të përfunduara dhe në proces, numrin e objekteve arsimore të përfunduara dhe në proces, si dhe të dhëna rreth infrasturkturës publike etj.

Në lidhje me transparencën Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë kërkuar prej qeverisë shqiptare të bëjë publike numrin e banesave, apartamenteve, shkollave, apo objekteve publike të përfunduara, sa janë në proces e sa janë për t’u nisur deri në fund të këtij viti. I njëjti informacion kërkohet edhe për grantet e rindërtimit. Nga ana tjetër Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e fundit deklaron qartazi se në këtë proces është vërejtur mungesë në dokumentacione, nuk ka monitorim periodik të ecurisë së procesit të rindërtimit duke mos siguruar kështu transparencë për performancën e procesit.

Lexo edhe: https://faktoje.al/procesi-i-rindertimit-klsh-dhe-fmn-transparenca-calon-nuk-ka-nje-program-te-pergjithshem-rindertimi/

 

*Foto kryesore marrë nga portali rinndertimi.gov.al

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img