BallinaFaktometerE PavërtetëVokshi: Ka mësues që s’duhet ta bëjnë vaksinën, por detyrohen se nuk përballojnë kostot e testit PCR

Vokshi: Ka mësues që s’duhet ta bëjnë vaksinën, por detyrohen se nuk përballojnë kostot e testit PCR

Më 1 nëntor, deputetja demokrate Albana Vokshi deklaroi se edhe mësuesit e sëmurë janë të detyruar që të bëjnë vaksinën, pasi nuk përballojnë kostot e testit PCR. Por Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar konfirmoi për Faktoje se mësuesit që kanë një indikacion mjekësor përjashtohen nga vaksinimi i detyruar kundër Covid-19, por edhe nga paraqitja çdo javë e testit PCR. Sipas kësaj drejtorie, ekziston një pikë e veçantë në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinimin që përjashton nga detyrimi këtë kategori mësuesish.

……………………………………………………..

“Ka mësues që janë të sëmurë dhe nuk duhet ta bëjnë vaksinën, por detyrohen ta bëjnë vaksinën”- deklaroi deputetja demokrate Albana Vokshi më 1 nëntor në studion e “Abc News”.

Në lidhje me këtë çështje, Faktoje kërkoi informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, se si po veprohet me mësuesit që paraqesin një letër nga mjeku, ku për arsye shëndetësore përjashtohen nga vaksinimi. DPAP sqaron ndër të tjera se në grupin e mësuesve të pavaksinuar janë ata që kanë probleme shëndetësore dhe një kategori tjetër, e cila e ka kaluar Covid -19 jo më larg se 6 muaj.

Kërkesa për informacion dërguar DPAP, datë 4 nëntor 2021 

“Në lidhje me procesin e vaksiminit ju bëjmë me dije se ky proces ka vijuar normalisht për punonjësit në Institucionet Arsimore. Në grupin e mësuesve të pavaksinuar bën pjesë kategoria e personave që kanë problem shëndetësore dhe një kategori tjetër, e cila e ka kaluar Covid -19 jo më larg se 6 muaj, për të cilët mjeku deklaron se nuk janë gati për të marrë dozën e vaksinës. Këta mësues vijojnë rregullisht punën duke zbatuar protokollin për mbajtjen e maskës dhe duke ruajtur distancën fizike nga kolegët dhe nxënësit”- sqaron DPAP.

Por, kush përjashtohet nga vaksinimi dhe paraqitja e testit PCR? Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar njofton zyrtarisht për Faktoje se në urdhrin e Ministres së Shëndetësisë përcaktohet se rastet me indikacion mjekësor përjashtohen nga detyrimi i paraqitjes së certifikatës së vaksinimit, kartës së vaksinimit apo testit PCR.

“Të gjitha përjashtimet nga vaksinimi janë në zbatim të Urdhrit Nr. 413, datë 24.9.2021 ‘Për marrjen e masave për parandalimin e infeksionit Covid-19, për personelin e institucioneve arsimore dhe studentët’ (ndryshuar me urdhrin nr. 413/1, datë 27.9.2021  i Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në pikën 6 të tij përcaktohet se rastet me indikacion mjekësor përjashtohen nga detyrimi i paraqitjes së certifikatës së vaksinimit, kartës së vaksinimit apo testit PCR”, thekson DPAP.

Faktoje bisedoi me mësuesen e gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, Ina Kasimati, e cila për shkak të problemeve shëndetësore nuk mund të vaksinohet. Mësuesja sqaroi se ajo nuk është e detyruar të paraqesë testin PCR, edhe pse nuk ka bërë vaksinën kundër Covid-19.

“Unë nuk bëj as vaksinë, as tampon pasi tek urdhri ishte një pikë që thoshte që personat me letër nga mjeku me arsye shëndetësore përjashtohen nga detyrimi i vaksinimit ose i paraqitjes se tamponit çdo javë. Unë kam çuar fletën e mjekut të familjes dhe fletën që bëra terapinë e radhës tek onkologjiku, ku është edhe diagnoza. Unë nuk detyrohem të bëj as vaksinë dhe as tampon”- sqaroi mësuesja e gjimnazit “Çajupi”.

Çfarë parashikon ndër të tjera Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë mbi vaksinimin e stafit mjekësor?

Screenshot nga urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë

Personeli i institucioneve arsimore dhe studentët duhet të depozitojnë pranë qendrës së punës dhe studentët pranë zyrave të përcaktuara nga IAL-të përkatëse, Certifikatën e Vaksinimit COVID-19 nga e-Albania apo kartën e vaksinimit.

Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në këtë urdhër bëhet vetëm për rastet që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosaplikimin e vaksinës. Instituti i Shëndetit Publik të marrë masat dhe të monitorojë mbulimin vaksinal te grupet e përmendura në pikën 2 të këtij urdhri dhe të raportojë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ngarkohet Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik të bashkëpunojnë me institucionet e arsimit të lartë, për zbatimin e këtij urdhri.

Më 1 nëntor, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se janë vaksinuar mbi 90% e stafit të mësuesve në shkollat fillore dhe ato të mesme.

Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e deputetes së PD Vokshi, ta kategorizojmë si të Pavërtetë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img