Pretendimi se fluori që përmban pasta e dhëmbëve është helmues është i pasaktë. Si çdo element kimik, fluori ka efekte si negative dhe pozitive, në varësi të dozës. Një i rritur që peshon 72 kg do t’i duhej të hante 33 tubeta paste dhëmbësh për të ndjerë ndonjë efekt helmim nga fluori në të.
————————————-
Një video që po qarkullon edhe në hapësirat online shqipfolëse pretendon se fluori në pastat e dhëmbëve është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve.
Gruaja në video është Charlotte Gerson, e bija e Max Gerson, një doktor amerikan, i cili promovonte “Terapinë Gerson”, një trajtim ‘alternativ’ kundër kancerit që përfshin një dietë të caktuar dhe enema me kafe. Megjithëse nuk ka prova shkencore se kjo mënyrë trajtimi është efektive kundër kancerit, e madje Shoqëria Amerikane e Kancerit paralajmëron se ajo mund të jetë shumë e dëmshme për trupin e njeriut, Charlotte Gerson vazhdoi të promovonte terapinë Gerson me anë të Institutit Gerson që ajo themeloi.
Në videon e mësipërme, Gerson pretendon se fluori në pastën e dhëmbëve është helmues. Ajo shton se nuk ka prova që fluori ndikon në parandalimin e kaviteteve.
Si provë për këto pretendime, Gerson i referohet etiketës në një kuti paste dhëmbësh që mban në dorë, i cili paralajmëron që kutia duhet të mbahet larg vendeve ku mund ta arrijnë fëmijët nën 6 vjeç dhe këshillon që nëse aksidentalisht gëlltitet më shumë pastë dhëmbësh seç përdoret për të larë dhëmbët, duhet të kërkoni këshillim mjekësor ose të kontaktoni qendrën për kontrollin e helmeve.
Megjithëse etiketa e mësipërme mund të duket si një përpjekje për të evituar skenarin kur një fëmijë i vogël arrin të zërë në dorë një tubet paste dhëmbësh dhe vijon duke e ngrënë të gjithë tubetin, Gerson e sheh atë si dëshmi se fluori në pastën e dhëmbëve është helmues.
Në të vërtetë, si çdo element kimik, fluori ka efekte si negative dhe pozitive. Një nga parimet bazë të toksikologjizë është se “doza e bën helmin”.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) “marrja e fluorit ka si efekte të dobishme – në uljen e incidencës së karieve dentare – dhe efekte negative – në shkaktimin e fluorozës së enamelit të dhëmbëve dhe të skeletit pas ekspozimit të shumtë dhe të zgjatur.”
Aftësia e fluorit për të parandaluar prishjen e dhëmbëve është arsyeja pse shumë shtete i hedhin ujit të pijshëm fluor. Kjo metodë ishte aq e suksesshme në parandalimin e prishjes së dhëmbëve sa Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e listoi fluorizimin e ujit të pijshëm si një nga dhjetë arritjet më të mëdha për shëndetin publik në ShBA në shekullin e XX.
Enameli, shtresa e jashtme mbrojtëse e dhëmbëve, përbëhet nga kalciumi dhe fosfati. Pështyma e njeriut, gjithashtu, përmban kalcium dhe fosfat. Bakteret që ndodhen në gojë dhe ushqehen me karbohidrate prodhojnë acide që dëmtojnë enamelin duke e zhveshur dhëmbin nga kalciumi dhe fosfati dhe duke e bërë atë më të ekspozuar ndaj kaviteteve. Kur kalciumi dhe fosfati në pështymë bashkohen me fluorin, krijohet një mineral i quajtur fluorapatit, që gjendet edhe në dhëmbët e peshkaqenëve, dhe është më rezistent ndaj trejtes nga acidi, e si rrjedhojë, kur i mbështjell dhëmbët, i bën më rezistentë ndaj prishjes.
Doza që do ta bënte pastën e dhëmbëve me fluor helm do të ishte 33 tubetë për një person që peshon rreth 72 kg.
Përllogaritet se një dozë gojore fluoridi natriumi që mund të ishte vdekjeprurëse për një njeri të rritur varion nga 70-140 mg për kg të peshës trupore. Një tubet 136ml paste dhëmbësh përmban rreth 152 mg fluorid natriumi. Një person që peshon 72 kg do t’i duhej të hante 33 tubetë paste dhëmbësh përnjëherë për të përjetuar efekte helmimi nga fluoridi i natriumit.