BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKartmonedha 200 lekëshe nuk përmban simbole Iluminati

Kartmonedha 200 lekëshe nuk përmban simbole Iluminati

Një artikull i botuar në portalin online ALB365NEWS pretendon se një i ri shqiptar ka zbuluar simbole ‘tronditëse’ në kartmonedhat 200 lekëshe. Një “i ri shqiptar”, thotë artikulli, i frymëzuar nga një video në TikTok që zbulonte ‘figura të fshehura’ në kartmonedhat angleze, bashkoi dy kartëmonedha shqiptare, 200 lekëshe. Si pasojë, “u formuan disa figura të ngjashme me simbolet e iluminatit”.

Artikulli i botuar më 16 tetor 2022 duket se ka ricikluar një postim të portalit JOQ Albania nga më shumë se një vit më parë.

Postimi origjinal në JOQ Albania, i datës 28 gusht 2021

Megjithatë, postimi origjinal i JOQ, i 28 gushtit 2021, flet vetëm për “figura të ndryshme” që shfaqen nga bashkimi i dy kartmonedhave. Ai nuk bën insinuata për teori konspirative si ajo e Iluminati.

Dritarja e tejdukshme e kartmonedhës është një element sigurie që garanton vërtetësinë e kartmonedhës. Sipas faqes zyrtare të Bankës së Shqipërisë, “një dritare e tejdukshme shfaq portretin e kartëmonedhës, vlerën 200 lekë dhe kolonadën e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë.”

Screenshot nga faqja zyrtare e Bankës së Shqipërisë

Kartmonedha 200 lekëshe përmban portretin e rilindasit Naim Frashëri. Simbolet që pretendohet se ka zbuluar i riu janë forma të rastësishme që formohen nga pasqyrimi i këtij portreti, kur bashkohen dy imazhe gjysëm të tejdukshme.

Figurat që artikulli pretendon se janë simbole të iluminatit, në fakt vështirë se përngjasojnë piramidës dhe syrit, simbolet e shoqëruara më shpesh me këtë teori konspirative. Nëse një sy arrin të formohet me bashkimin e kartmonedhave, kjo është e paevitueshme nëse kemi të bëjmë me pasqyrimin e portretit të dikujt me dy sy. Ndërkohë që ‘piramida’ e prezantuar në artikull, nuk i plotëson as kushtet gjeometrike për t’u emërtuar e tillë, duke i përngjasuar më shumë një froni apo cdo figure tjetër ku mund të udhwtojë fantazia e lexuesit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img