BallinaAktualitetPas konflikteve për hapësirat, mungesa e rojeve po kthehet në problem për sigurinë në plazhin e Velipojës

Pas konflikteve për hapësirat, mungesa e rojeve po kthehet në problem për sigurinë në plazhin e Velipojës

ERGYS KAVAJA

Në plazhin e Velipojës, më i madhi në veri të vendit, janë shënuar 4 viktima nga mbytjet në det, më shumë se gjysma e numrit të shënuar vjet gjatë sezonit turistik. Nga një vëzhgim për Faktoje u konstatua se në vijën bregdetare prej 8 kilometrash, pjesa dërrmuese e plazhit nuk ka roje në kullat e vrojtimit. Shkak për këtë mungesë, siç tregojnë operatorët turistikë, janë jo vetëm zvarritjet në dhënien e lejeve të shfrytëzimit, por edhe paga e lartë që kërkojnë rojet e licensuara bregdetare.

Në më pak se 3 muaj, që prej majit të këtij viti, 4 pushues kanë humbur jetën në ujërat e Adriatikut, në plazhin e Velipojës.

Rasti i fundit u raportua më 5 korrik, ku një 55-vjeçar nga fshati Stajka në Bashkinë Vau Dejës humbi jetën në det. Viktima Pjetër Gjorovia, ishte futur në det, edhe pse në një mot të trazuar dhe pas disa minutash gjeti vdekjen si pasojë e aritmisë dhe panikut, çka ka sjellë edhe mbytjen.

Sipas dëshmitarëve në zonën e Vilunit, ku ndodhi ngjarja, nuk kishte roje bregdetare, i cili do të duhej të paralajmëronte pushuesit të mos hynin në det në një mot të tillë, apo të ofronte ndihmën e shpejtë.

Plazhi i Velipojës, me një vijë bregdetare prej 8 km, është një nga më të preferuarit e turistëve në veriun e vendit, por ky vit e gjen këtë plazh pa roje bregdetare.

Mungesa e lejeve për stacionet e plazhit dhe vonesat e krijuara në këtë proces duket se janë arsyet kryesore të mungesës së rojeve bregdetare. Megjithatë operatorët turistikë tregojnë edhe për një tjetër problem:

“Ka disa ditë që po kërkoj një roje bregdetare të licensuar. Kam kontaktuar me disa prej tyre, por çmimi që ato kërkojnë është i pajustifikueshëm. Nga 100.000 – 120.000 lekë të reja në muaj kërkojnë, madje kanë arritur deri aty sa të më thonë se nuk dalin në kullën e vrojtimit me më pak para. Ministria ta zgjidhë këtë problem dhe rojet e licensuara të jenë të përcaktuar.”

Plazhi i Velipojës

Në të gjithë gjatësinë e plazhit, rreth 80% është pa roje bregdetare. Kjo mungesë penalizon sigurinë e jetës së pushuesve dhe shqetësimin e ngrenë edhe mjekët e Qendrës Shëndetësore në Velipojë. Briselda Danaj, mjeke pranë kësaj qendre thotë:

Është një fluks shumë i madh pushuesish, shtimi i rojeve bregdetare do të ishte edhe në ndihmesën tonë. Këshilla kryesore është që edhe vetë pushuesit të jenë të kujdesshëm kur futen në ujë, jo të futen menjeherë edhe për shkak të temperaturave të larta. Ata që nuk dinë not duhet të shmangin vajtjen në thellësi”.

Brisilda Danaj, mjeke pranë Qendrës Shëndetësore në Velipojë

Gjatë vëzhgimit në Velipojë ne arritëm të takonim një ndër të rrallët roje në plazh. Vladimir Deda, roje i licensuar bregdetare punon prej 4 vitesh në plazhin e Velipojës. Ai tregon për Faktoje:

“Kur deti është i trazuar, është e domosdoshme që afër vijës bregdetare të jetë vrojtuesi me bilbil parandalues për të mos i lënë pushuesit, sepse ata futen në ujë ngaqë nuk e dinë rrezikun. Po të ketë vrojtues, nuk mbytet kush”.

Vladimir Deda, roje bregdetare

Një pushuese në plazhin e Velipojës thotë e shqetësuar:

“Rojet bregdetare duhet të jenë patjetër, mungesa e tyre është rrezik, më shumë për fëmijët!”

“Rojet duhet të jenë, sidomos kur moti është i keq dhe ka dallgë që mund të rrezikojnë pushuesit në det. Eshtë një problem shumë i madh.”- u shpreh një tjetër pushues.

Pushuese në Velipojë

Aktualisht vetëm 8 operatorë turistikë kanë lidhur kontratat me Bashkinë e Shkodrës për stacionet e plazhit. Ndërsa pjesa më e madhe e aplikantëve janë ende në pritje të lejeve nga Agjencia e Bregdetit dhe Ministria e Turizmit, edhe pse jemi në mesin e muajit korrik.

Lexo edhe: A ishte tragjedia e Velipojës një ngjarje e parlajmëruar?

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img