Pretendimi: Kjo video provon inskenimin e situatave në spitale gjatë pandemisë Covid-19
Verdikti: Mungon konteksti
Edhe pse kanë kaluar katër vite nga pandemia e Covid-19, në rrjetet sociale vijojnë të publikohet prova që përpiqen të vënë në dyshim ekzistencën e virusit të rrezikshëm. Një prej tyre edhe dhe një video e një programi televiziv të transmetuar në Rai 1, ku shfaqetnjë pacient gjatë një transmetimi live në një dhomë spitali, i cili nuk ka asnjë masë mbrojtëse ndaj Covid-19.
Ndryshe nga ky pacient, personeli mjekësor, ekipi i televizionit dhe një pacient tjetër në të njëjtën dhomë, mbajnë veshje mbrojtëse dhe maska. Ky kontrast mes pacientëve dhe mjekëve pretendohet se është një mangësi e skenarit të montuar, që synonte të frikësonte shikuesit për rrezikun e virusit.
Videoja ka një mbishkrim në të cilin thuhet “4 vjet më parë” kur bota u përball me një virus të panjohur siç ishtë ai i Covid-19.
Duke verifikuar më tej këtë video zbulojmë se këto imazhe janë shkëputur vërtet nga një episod i emisionit La vita in diretta, i transmetuar më 16 nëntor 2020 dhe i disponueshëm për t’u parë në Rai Play. Segmenti në videon që ripostohet në rrjet fillon në minutën e 43 të episodit dhe tregon një pjesë të reportazhit të drejtpërdrejtë nga departamenti i kujdesit postintensiv të spitalit Amedeo di Savoia në Torino.
Sipas verifikimit të katër viteve më parë nga kolegët tanë italianë të Facta.it, pacienti i shtrirë në shtrat, i cili nuk mban maskë, është një person që është diagnostikuar pozitiv me Covid-19, por që ndodhet në gjendje jo kritike dhe nuk ka nevojë për kujdes intensiv.
Mungesa e pajisjeve mbrojtëse te pacienti është e kuptueshme dhe në përputhje me protokollet e shëndetësisë, ndërsa ekipi televiziv dhe personeli i kujdesit shëndetësor janë të pajisur plotësisht për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të përhapjes së infeksionit.
Ky është një protokoll standard, i cili ishte në përputhje me udhëzimet e Institutit të Lartë të Shëndetësisë për kujdesin ndaj pacientëve me Covid-19. Sipas këtyre udhëzimeve, pajisjet mbrojtëse ishin të detyrueshme për personelin shëndetësor, por jo të detyrueshme për pacientët, duke marrë parasysh që disa prej tyre nuk mund të përballonin maskat në situatën e rënduar të frymëmarrjes në të cilën ndodheshin gjatë prekjes nga virusi.
Sipas protokollit, videoja tregon qartë se punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe anëtarët e ekipit të televizionit janë të pajisur me mbrojtje të plotë, përfshirë doreza, maska, vizore dhe pantallona të gjera duke kufizuar mundësinë e shpërndarjes së mëtejshme të virusit.