Pretendimi: Franca po rekruton ushtarë me pagesë për të luftuar në Ukrainë.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se Franca ka nisur të rekrutojë “qytetarët “të aftë për të mbajtur armë” për të shërbyer ‘me pagesë’” për të luftuar forcat ruse në Ukrainë.

Si zakonisht, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë.

Megjithatë, ai mund të jetë frymëzuar nga një faqe interneti që ftonte 200 mijë francezë të regjitroheshin për të luftuar në Ukrainë, duke i dhënë prioritet emigrantëve.

Linku i faqes, i cili i ngjasonte adresës së portalit të rekrutimit të ushtrisë franceze, u shpërnda në Twitter. Më 28 mars 2024, Ministria franceze e Mbrojtjes paralajmëroi në Twitter se kjo faqe, e cila i përngjan vizualisht faqeve qeveritare, është e rreme. 

“Kjo është një faqe qeveritare e rreme,” shkruan postimi i Ministrisë, “dhe është shpërndarë nga llogari dashakeqe si pjesë e një fushate dezinformimi.”
Faqja e rreme u bllokua nga autoritetet franceze. Megjithëse autoritetet nuk deklaruan se kush mund të qëndrojë pas kësaj fushate dezinformimi, një zyrtar anonim tha për AFP se faqja kishte “karakteristikat tipike të një përpjekje ruse ose pro-ruse si pjesë e një fushate dezinformimi që pretendon se ushtria franceze po përgatitet të dërgojë trupa në Ukrainë.”