Pretendimi: Shkenca parashikon uljen e temperaturave, përkundër alarmeve të Greta Thunberg

Verdikti: Mungon konteksti


Një studim mbi diellin risillet në tavolinë prej shumë vitesh për të gjithë ata që janë të dëshpëruar të shpjegojnë ndryshimin e klimës me çdo gjë, përveç emetimeve të gazrave serrë të shkaktuara nga njeriu.

Ky studim është ndarë së fundi në rrjetin Facebook nga një përdorues shqiptar, duke e shoqëruar me komentin “Astrofizika thotë një epokë e vogël akulli?! Pyesni Gretinën e gjithë Gretinët e tjerë çfarë thonë”. Aludimi në këtë rast është për aktivisten e re të klimës, Greta Thunberg, e vendosur në qendër të sulmeve nga grupimet që shprehin dyshime për masat e vendosura nga Bashkimi Evropian në industri dhe bujqësi si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër, për reduktimin e ndryshimeve klimatike.

Duke verifikuar më tej nëpërmjet kërkimit në motorin e kërkimit të Google Image arrijmë të konsultojmë artikullin origjinal në italisht ku është shkëputur imazhi i ndarë në rrjet. Bëhet fjalë për një blog që publikon informacione të ndryshme të lidhura me shkencën dhe klimën.

Artikulli i publikuar në 16 prill i referohet deklaratave të astrofizikantes Valentina Zharkova për të argumentuar se është Dielli dhe jo CO2 ai që nxit ndryshimet klimatike dhe për shkak të aktivitetit të tij në rënie ne duhet të jemi gati për një periudhë më të ftohtë.

Profesoreshë Zharkova, një astrofizikante me origjinë ukrainase që ka vendosur punën e saj kërkimore pranë Universitetit Northumbria në Britani, bëri lajm në mediat britanike në vitin 2015 me paralajmërimin e saj për një “Mini Epokë të Akullnajave” që pret Tokën.

Ky informacion është verifikuar më parë si i keqinterpretuar nga “Faktoje”. Studimi i vitit 2015 i profesoreshë Zharkovës, i prezantuar në Takimin Kombëtar të Astronomisë në Britani dhe publikuar në revistën Scientific Reports – një revistë me akses të hapur – paraqet një model për fushën magnetike të diellit dhe njollat e diellit, i cili parashikon një rënie prej 60% të numrave të njollave diellore kur ekstrapolohet në vitet 2030.

Pas një sërë kritikash ndaj përfundimeve të publikuara nga profesoreshë Zharkova, revista Scientific Reports e tërhoqi zyrtarisht studimin. Në shënimin e tërheqjes thuhet se “shqetësimet u ngritën në lidhje me interpretimin se si distanca Tokë-Diell ndryshon me kalimin e kohës dhe se disa nga supozimet mbi të cilat bazohen analizat e paraqitura në artikull janë të pasakta”.

Studimi mbi diellin nuk e përmendte klimën dhe vetë Zharkova nuk është një ekspertë e klimës, por pas kritikave të marra për studimin e saj, ajo është bërë më e zëshme publikisht për të vënë në dyshim argumentin se njerëzit janë përgjegjës për rritjen e CO2 në atmosferë.

Zharkova thekson se ngrohja globale do të bëhet e parëndësishme në tre dekadat e ardhshme gjatë minimumit modern të madh diellor (GSM), i cili filloi në vitin 2020 dhe do të zgjasë deri në vitin 2053. Ky GSM do të shkaktojë një ulje të temperaturës mesatare tokësore deri në 1 gradë Celsius në 30 vitet e ardhshme përkundër parashikimeve të shkencëtarëve për rritjen e temperaturave për shkak të gazrave serrë. Gazrat serrë lëshohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile si qymyri dhe nafta.

Lëshimi në atmosferë i këtyre gazrave të prodhuara nga aktiviteti njerëzor nxit ndryshimet klimaterike. Kur ato mblidhen në atmosferë, nuk e lejojnë nxehtësinë të dalë jashtë saj. Si rrjedhim, temperatura në sipërfaqen e Tokës ngrihet, duke çuar kështu në ndryshime klimaterike.

“Arsyeja e ndikimit të madh që dioksidi i karbonit ka mbi klimën është aftësia e tij për të përthithur nxehtësi të lëshuar nga sipërfaqja e planetit, duke mos e lënë të dalë jashtë në hapësirë. Sot, niveli i CO2 është më i lartë se kurdoherë tjetër në histori,” shkruan profesori i shkencës së mjedisit në University of North Caroline, Jason West.

Në përfundim, përllogaritjet e profesoreshës Zharkova synojnë të parashikojnë ciklet e diellit duke mos analizuar nivelet e gazeve serrë, të provuara në rritje gjatë shekullit të fundit nga matjet shkencore. Argumentimi i saj se aktiviteti diellor mund të ulë temperaturën globale në 30 vitet e ardhshme dhe si rrjedhojë nuk duhet të shqetësohemi për emetimet e dioksidit të karbonit nuk përjashton alarmin e ngritur nga aktivistët e klimës për të ndërmarrë reformat e nevojshme për dekarbonizimin e ekonomive evropiane.  

Artikulli paraprakPornografia me të mitur në Gjermani vijon të dënohet me burgim
Artikulli tjetërI rremë premtimi për shërimin në një ditë të diabetit
Aimona Vogli
Aimona Vogli është Menaxher Editorial pranë Faktoje.al prej qershorit 2021. Aimona i bashkohet ekipit të Faktoje pas një eksperience 13-vjeçare në media, atë televizive, të shkruar e digjitale, por dhe pas një eksperience 3-vjeçare, si pjesë e shoqërisë civile në sektorin e Komunikimit & PR. Aimona e ka nisur karrierën e saj në 2005 në Gazeta Shqiptare, si gazetare ku ka mbuluar ndër të tjera çështjet sociale. Prej vitit 2010 Aimona ka qenë pjesë e Televizionin Kombëtar Klan, ku ka punuar si gazetare për disa programe televizive dhe më pas redaktore përgjegjëse e programit të pasdites “Rudina” me autorësi të Rudina Magjistarit. Për dy edicione radhazi (2015-2016) Aimona ka mbuluar dhe pozicionin e gazetares dhe përgjegjëse për Marrëdhëniet me Shtypin, për Festovalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.