I keqinterpretuar studimi për shuarjen e diellit në 30 vitet e ardhshme

342

Një studim që paralajmëron hyrjen e planetit tonë në një “Mini Epokë të Akullnajave” rezulton se është keqinterpretuar. Lajmi i publikuar së fundi nga portalet shqiptare është ricikluar prej vitit 2015 dhe përgënjeshtruar në kohë nga vetë shkencëtarët që e hartuan.

“12 muaj dimër, borë, akull, temperatura deri në -50 gradë…” shkencëtaret paralajmërojne: Ja çfarë e pret Tokën.” Ky është titulli i një artikulli të botuar më 28 prill nga portali shqiptari.net, në të cilin pretendohet më tej se toka mund të përballet me një mot mjaft të ftohtë me stuhi dëborë gjatë 30 viteve të ardhshëm. Artikulli, duke cituar median britanike “The Sun”, përshkruan një të ardhme apokaliptike pasi “Dielli do të hyjë në një “letargji” natyrale, ndërsa kjo pritet të shkaktojë mungesa të ushqimit dhe temperaturat do të bien në të gjithë planetin”.

Lajmi, i ndarë më tej edhe nga portale të tjera, është lexuar nga më shumë se 23 mijë persona brenda pak ditësh. Verifikimet tregojnë se shkrimi është i ricikluar dhe informacioni i përkthyer për lexuesit shqiptarë është i paplotë. Britanikët e “The Sun”, kanë publikuar fillimisht artikullin në fjalë në 2 shkurt 2020, ku paralajmërohet një periudhë e ftohtë për shkak të ndryshimeve të fushave magnetike të diellit. Tetë ditë më pas, artikulli është edituar, duke sqaruar lexuesit se pretendimi i frikshëm për “Mini Epokën e Akullnajave” është i gabuar, sipas shkencëtarëve. “Një studiuese paralajmëroi se hyrja e Diellit në një “letargji” natyrale do të shkaktonte mungesë ushqimi dhe rënie të temperaturës – por të dhënat aktuale sugjerojnë se kjo është krejtësisht e pavërtetë”, saktëson në krye të artikullit tabloidi britanik. Zanafilla e këtij lajmi është një studim i vitit 2015 i matematikanes së Universitetit Northumbria, Valentina Zharkova, i prezantuar në Takimin Kombëtar të Astronomisë në Britani. Studimi paraqet një model për fushën magnetike të diellit dhe njollat e diellit, i cili parashikon një rënie prej 60% të numrave të njollave diellore kur ekstrapolohet në vitet 2030. Më e rëndësishmja, studimi nuk e përmend klimën. Dështimi i parë i komunikimit shkencor është i pranishëm në njoftimin për shtyp të 9 korrikut 2015, i Royal Astronomical Society.  Për fat të keq, njoftimi deklaron se “aktiviteti diellor do të bjerë me 60 për qind gjatë viteve 2030” pa sqaruar se ky “aktivitet diellor” i referohet një rënie të numrit të njollave të diellit, jo një rënie dramatike e dritës që ushqen jetën e emetuar nga dielli. Vetë profesoresha Zharkova, e pyetur nga disa media shkencore të nesërmen e publikimit të studimit (viti 2015), vuri në dukje se “ekipi i saj nuk e dinte se sa ndikim do të kishte kërkimi i tyre në media dhe se ishin gazetarët ata që morën parasysh ndikimin e mundshëm në klimë.” Gjatë këtyre shtatë viteve që kanë rrjedhur pas publikimit të parë, mediat shkencore kanë përgënjeshtruar me studime dhe emra seriozë shkencëtarësh pretendimet për një letargji diellore, megjithatë, të gjithë bien dakord se nëse nuk marrim masat e nevojshme për ndryshimet klimatike, shumë skenarë të frikshëm mund të bëhen realitet në të ardhmen e afërt.