BallinaAktiviteteNjë kompani gjermane është përgjegjëse për fshirjen e videove kritike për qeverinë shqiptare

Një kompani gjermane është përgjegjëse për fshirjen e videove kritike për qeverinë shqiptare

Acromax Media raporton se shkeljet e pretenduara për çështjen e të drejtës së autorit ndaj platformave si Facebook, bëjnë që edhe materiale me përmbajtje gazetareske të zhduken nga interneti. Kompania me qendër në Hamburg ka punuar, ndër të tjera, edhe për partinë në pushtet në Shqipëri. “Reporterët pa Kufij” e konsiderojnë këtë një përpjekje për të shtypur gazetarinë e pavarur.

Nga Daniel Laufer

Një kompani gjermane ka fshirë nga interneti, në veçanti nga Facebook, video që kritikonin qeverinë shqiptare. Si arsye për këtë, kompania citon shkelje të pretenduara të së drejtës së autorit. Media të pavarura dhe aktivistët janë gjithashtu të prekur. Ata ngrenë akuza serioze: Acromax Media po ndihmon qeverinë shqiptare për të kufizuar lirinë e shtypit dhe të shprehjes.

Kompania i mohon këto akuza. Megjithatë, një investigim i netzpolitik.org në bashkëpunim me ARD FAKT tregon se ajo mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në vend.

“Ne jemi të detyruar të tregohemi kritikë ndaj qeverisë. Kjo na pengon për të bërë punën tonë,” thotë Viola Keta, kryeredaktore e “Faktoje”. Në tetor, web-siti shqiptar i fokusuar në verifikimin e fakteve raportoi mbi Kopshtin Botanik të Tiranës, një nga parqet e fundit të mbetura në kryeqytet. E ardhmja e Kopshtit ishte e paqartë: Ai i përket universitetit Bujqësor, por bashkia kërkon të marrë kontrollin e tij.

Viola Keta, kryeredaktorja e “Faktoje” në Kopështin Botanik në Tiranë. Ajo dhe kolegët e saj kanë raportuar mbi mosmarrëveshjen rreth pronësisë.

Mosmarrëveshja është në fakt një temë tipike lokale: Kur një politikan i lartë lokal pretendoi se vetëm ata që i japin rryshfet rojeve mund të futen në park, Keta dhe kolegët e saj verifikuan deklaratat dhe zbuluan se ai nuk kishte thënë vërtetën. Ata paraqitën gjetjet në një video të publikuar në faqen e tyre të Facebook.

Këto pamje janë problematike për Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën ditë që pamjet u bënë publike, Faktoje merr një e-mail nga Facebook. Në të shkruhet: “Video juaj është bllokuar sepse përmban 26 sekonda muzikë, audio ose video në pronësinë e Acromax Media.”

Gazetarët e ngarkuan ‘online’ sërish më vonë, këtë herë në YouTube.

Acromax Media duket se ka nxitur nje valë fshirjesh

Neritan Sejamini, kryeredaktor i “Exit News”, është përballur me probleme të ngjashme. Portali i drejtuar prej tij raporton në mënyrë kritike mbi punën e qeverisë, duke përfshirë planet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një nga politikanët më të fuqishëm të vendit. Gjatë fushatës zgjedhore, ai kishte premtuar në televizion se do të pakësonte numrin e lejeve të ndërtimit. Që nga mometi kur mori detyrën, ai duket se ka ndryshuar mendje.

“Exit News” ka ngarkuar disa video në Vimeo ku deklaratat e mëparshme të kryebashkiakut janë ballafaquar me fotot aktuale të shesheve të mëdha të ndërtimit. Mesazhi është i qartë: Kryebashkiaku e theu premtimin e tij. Por këto postime janë sinjalizuar dhe fshirë gjithashtu nga interneti.

“Janë të shumta rastet në të cilat Acromax Media ka ndërhyrë për të fshirë videot që bëjnë përgjegjës politikanë”- thotë Sejamini.

Videot në faqet e Facebook të aktivistëve që kundërshtonin planet e qeverisë janë fshirë gjithashtu. Nuk është më e mundur të përcaktosh sa postime u prekën. Nisma Thurje gjithashtu ankohet mbi kufizimet. Në Shqipëri, kjo organizatë po fokusohet tek lufta ndaj korrupsionit. Sipas një raporti të vitit 2014 nga Transparency International, korrupsioni është një problem serioz në vend. “Vështirë të thuhet se është përmirësuar gjë që atëherë”- sipas një vlerësimi të vitit të kaluar.

“Ne duam të promovojmë demokracinë në Shqipëri,” thotë Baroel Feza, një nga zëdhënësit e “Nismës Thurje”. Tashmë shumë nga profilet në Facebook të kolegëve të tij janë zhdukur – për shkak të shkeljeve të pretenduara të së drejtës së autorit.

Operatorët e faqeve të shumta të Facebook kanë marrë mesazhe si ky

Netzpolitik.org dhe ARD FAKT kane siguruar mesazhe të shumta përmes të cilave Facebook ka informuar administratorët e faqeve mbi fshirjet. Një emër vazhdon të shfaqet vazhdimisht: Acromax Media.

Kompania ka firmosur kontrata me pothuajse të gjitha televizionet e mëdha të Shqipërisë

Kompania është e vendosur në një qendër tregtare, në një nga rrugët e dyqaneve më të shtrenjta të Hamburgut. Asnjë panel zileje apo kutie postare me emrin e kompanisë nuk duket aty. Nuk ka asgjë që mund të tregojë se një nga kompanitë më të fuqishme në panoramën mediatike të Shqipërisë është e vendosur në katin e dytë, në një zyrë të marrë me qera në këtë ndërtesë.

Zyrat qëndrore të Acromax Media në Hamburg

Acromax Media-s i janë dhënë të drejta të gjera mbi përdorimin në internet të transmetimeve televizive dhe ajo ndërmerr veprime me nismën e saj, kundër shkeljeve të së drejtës së autorit. E gjitha kjo është e vulosur qartësisht në kontratën që kompania ka nënshkruar me një nga kompanitë më të mëdha mediatike shqiptare, kontratë e cila u sigurua nga netzpolitik.org dhe ARD FAKT*.

Në këtë kontratë specifike, Acromax Media siguron gjysmën e të ardhurave të gjeneruara nga postimi i materialeve në Internet. Se sa para fiton në të vërtetë, nëpërmjet bizneseve të saj me transmetuesit shqiptarë, kompania nuk e deklaron.

Kompania deklaron se ka kontrata me më shumë se 95% të gjithë stacioneve televizive shqiptare. Ky pozicion mbizotërues në treg duket tipik për këtë vend – në sytë e “Reporterëve pa Kufij”,  ky është një problem. “Diçka e tillë lë shteg për keqpërdorimin e pushtetit të medias për interesa politike dhe ekonomike,” thotë drejtori ekzekutiv gjerman i organizatës, Christian Mihr.

Ai thotë se mediat më të rëndësishme të Shqipërisë janë në duart e vetëm disa personave, shumica e të cilëve kanë lidhje të ngushta me politikën. Shumë nga pronarët gjithashtu i fitojnë paratë e tyre përmes industrisë së ndërtimit, e cila është e lidhur me kontratat e qeverisë.

“Reporterët pa Kufij” po monitorojnë me shqetësim këto kushte. “Gjithmonë e më të rëndësishme janë mediat e pavarura ‘online’ që publikojnë informacione që konsiderohen një ‘gjemb’ në këmbën e atyre që janë në pushtet,” thotë Mihr.

“Reporterët pa Kufij” akuzojnë kompaninë për abuzim me të drejtën e autorit

Organizata është gjithashtu në dijeni të akuzave kundër Acromax Media. “Në këndvështrimin tonë, ky është një rast i abuzimit të pastër me të drejtën e autorit, për të kufizuar gazetarinë dhe informacionin e pavarur.”

Aldor Nini, i veshur me një këmishë të bardhë dhe xhaketë të zezë, na mirëpriti në një dhomë konferencash me pamje nga lumi Alster. Drejtori Ekzekutiv i Acromax Media është 36 vjeç. Ai na thotë se vjen nga industria e teknologjisë së informacionit. Sot ai është aktiv në industrinë gjermane të argëtimit. Ai ishte pjesë e jurisë së çmimit muzikor, të ndërprerë tashmë, ECHO dhe u ftua në konkursin për Miss Gjermaninë.

Nini ka lindur në Tiranë dhe ka një pasaportë gjermane. Përmes kompanisë së tij, ai drejton kanalin ArkivaShqip, e cila sipas Fondacionit Otto Brenner ishte ndër 100 kanalet më të mëdha gjermane në vitin 2018. Videoklipet shqiptare që Acromax Media ka ngarkuar në internet janë parë më shumë se 5 miliardë herë.

A është rastësi që kompania fshiu postime që ishin kritike ndaj qeverisë? Nini  dyshon nëse punonjësit e tij janë në gjendje të dallojnë deri në ç’masë përmbajtja e një materiali është politike.

Netzpolitik.org dhe ARD FAKT biseduan me të rreth disa videove që kompania e drejtuar prej tij kishte fshirë. Drejtori ekzkekutiv shpjegon se asnjë prej atyre rasteve nuk ishte I kundërshtueshëm. “Në disa raste, logot e klientëve tanë u hoqën, asnjë burim nuk u vendos me emër dhe nuk kishte ekzaminim të kontekstit, siç kërkohet në bazë të ligjit gjerman mbi citimin,” thotë Nini. Videot thjesht kishin shkelur ligjin për të drejtën e autorit.

Ajo çfarë Nini thotë është të paktën pjesërisht e vërtetë. Disa nga videot, në fakt nuk kishin vendosur emrin e një burimi. Gjithsesi mbi këtë justifikim ka dyshime. Video e Faktoje.al , për shembull, është një postim origjinal për të cilin gazetarët zhvilluan intervistat e tyre. Në fragmentet e shkurtra, të cilat portali i verifikimit të fakteve nuk i regjistroi vetë, emri i televizionit shqiptar Top Channel mund të shihet përgjatë gjithë kohëzgjatjes së materialit të përdorur.

Në një artikull të botuar nga “Exit News” mbi politikën e diskutueshme të ndërtimeve në Tiranë, fragmeti i përdorur u tregua gjithashtu në kontekst. Për më tepër, adresa e internetit të Top Channel është qartësisht e dukshme në ekran. Pavarësisht kësaj, materiali video u fshi.

Acromax Media punoi për partinë qeverisëse shqiptare 

Nini pohon se e gjitha kjo nuk ka aspak të bëjë me politikën. “Fundja,- thotë ai- kompania ka raportuar shkelje të së drejtës së autorit edhe në video që portretizojnë punën e kryeministrit Rama në një dritë pozitive , në total ajo përpunon miliona video.” Sipas tij, një marrëdhënie me qeverinë “nuk ekziston fare”.

Në fakt, lidhjet e Ninit me personat e pushtetshëm fillojnë nga partnerja e tij Anxhela Faber. Ajo punon gjithashtu për kompaninë si Drejtuese Kryesore Operative. Disa nga raportimet mbi shkelje të pretenduara të së drejtës së autorit mbajnë emrin e saj.

Presidenti amerikan Barack Obama me ambasadoren shqiptare Floreta Luli-Faber dhe Anxhela Faber të Acromax Media

Njerka e Anxhela Faber është ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e propozuar nga qeveria Rama vetëm pak muaj pas ardhjes së tij në pushtet. Një foto tregon Anxhela Faber gjatë vizitës së njerkës së saj në Zyrën Ovale, përkrah Presidentit Amerikan të asaj kohe, Barack Obama.

Në vitin 2019, kompania kishte një tjetër klient të rëndësishëm, përveç kompanive mediatike. Gjatë së njëjtës periudhë në të cilën fshirjet e materialeve me përmbajtje kritike u bënë të njohura, Acromax Media punoi për Partinë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama. Kryebashkiaku I Tiranës Erion Veliaj është gjithashtu një anëtar.

Sipas Ninit, PS është e vetmja parti politike me të cilën kompania e tij ka punuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Acromax Media pretendon se vetëm i ka këshilluar ata në çështje që kanë të bëjnë me të drejtën e autorit. Në disa raste, vetë kompania ka raportuar shkelje.

Luftë kundër “lajmeve të rreme” në emër të partisë qeverisëse?

Në muajin gusht të vitit të shkuar, Nini ka treguar një fushë të mëtejshme të aktivitetit të kompanisë së drejtuar nga ai. Në atë kohë, ai pretendonte se Acromax Media ishte në një marrëdhënie biznesi me PS, me qëllim raportimin e të ashtuquajturave lajme të rreme në Facebook për anëtarët e partisë. Netzpolitik.org dhe ARD FAKT kanë siguruar mesazhe që ai i ka dërguar një gazetareje të “Exit News”.

“Një keqkuptim!”- thotë ai sot. Nini pretendon se kompania e tij , kurrë nuk ka rendur pas “lajmeve të rreme” në emër të partisë qeverisëse dhe nuk “e ka idenë” se pse e shkruajti këtë . “Ishte shumë kohë më parë.”-tha Nini.

Një bisedë nëpërmjet Facebook Messenger ndërmjet Aldor Ninit dhe gazetares Alice Taylor që shkruan për Exit News

As PS, as ndonjë zëdhënës i kryeministrit Rama nuk iu përgjigj pyetjeve rreth Acromax Media.

Nini thotë se kjo parti nuk është më një klient i tij. “Nuk kishte një bazë ekonomike për bashkëpunim të mëtejshëm.” Sipas tij, PS pagoi një maksimum prej 500 eurosh për shërbimet e tij.

Sipas “Reporterëve pa Kufij”, shuma e vogël nuk ndryshon gjithsesi ndjeshmërinë e problematikës. “Thelbi i problemit mbetet i njëjti”, thotë Christian Mihr.

Në këtë pikëpamje, kur një kompani mediatike si Acromax Media merr urdhëra nga një parti qeverisëse, është e mundur që të ushtrohet ndikim i motivuar politikisht.

“Interesat politike dhe të korporatave janë pothuajse pashmangshmërisht në konflikt me njëra-tjetrën.”

Kërcënime për veprime ligjore kundër mediave kritike

“Exit News” e konsideroi kompaninë si një vegël të qeverisë shqiptare për censurën ‘online’. Që prej atij momenti, Aldor Nini ka kaluar në sulm. Ai e sheh mbulimin mediatik mbi valën e fshirjes së materialeve në Facebook, si një sulm ndaj kompanisë së tij.

Verën e kaluar, ai lajmëroi se do të padiste 21 media që kishin raportuar për fshirjet e materialve , duke përfshirë këtu “Exit News”. Mesa duket, asgjë e kësaj natyre nuk e ka ndodhur ende. Nini madje tani pretendon se nuk mund të ndërmarrë veprime kundër këtij mediumi: Ai nuk ka një adresë tek e cila të dërgojë padinë ligjore.

Neritan Sejamini, kryeredaktori i Exit News, në zyrën e tij në Tiranë

Për ta gjetur, përfaqësuesit e kompanisë së tij shkuan me makinë në një adresë të supozuar të “Exit News” dhe pyetën fqinjët e kryeredaktorit Sejamini. “Askush nuk e njihtë atë apo kompaninë e tij,” thotë Nini. Ai skicon pamjen e një mediumi misterioz me qëllime të pandershme.

Netzpolitik.org dhe ARD FAKT kontrolluan adresën që “Exit News” kishte publikuar në faqen e saj online në kohën e kërcënimit të Ninit dhe gjetën Sejaminin në po atë adresë, në zyrën e tij. Ne gjithashtu kemi siguruar një letër që Acromax Media e ka dërguar në të njëjtën adresë*. Sipas Sejaminit letra mbërriti me sukses, nëpërmjet postës.

Nini ngre një tjetër pretendim që duket ngatërrues. Një pretendim kaq serioz, sa mund të shkatërrojë besueshmërinë e “Exit News” nëse do të ishte i vërtetë

Fushatë përbaltjeje kundër gazetarëve

 Pas artikullit të parë mbi kompaninë, një takim ndërmjet Ninit, Anxhela Faber dhe një përfaqësuesi të “Exit News” u realizua në një kafene. Nini u tha Netzpolitik.org dhe ARD FAKT se ky person eventualisht nxorri informacionin sipas të cilit dikush kishte paguar gazetarët që të botonin artikullin.

Por kryeredaktori Sejamini thotë se ai vetë e përfaqësoi “Exit News” në atë takim. “Ne nuk u paguam me asgjë, as unë dhe as Exit News.” Ne gjithashtu folëm me autorin e artikullit. Ai gjithashtu mohon të ketë marrë para.

Dy ditë pas bisedës sonë me Ninin në Hamburg, ai na dërgoi një e-mail papritur, ku kërkoi që pretendimet e tij të hiqen fare nga raportimi ynë. Ai thotë se nuk është në gjendje t’i provojë ato.

“Përbaltja e mediave, është një mënyrë sjelljeje e përhapur,” thotë Christian Mihr. Sipas “Reporterëve pa Kufij”, ka fushata të përsëritura përbaltjeje ndaj gazetarëve në Shqipëri. Mihr thotë se fakti që kompania prej disa kohësh ka kërcënuar me një valë padish gjyqësore e vërteton këtë.

Ky rast prek jo vetëm Shqipërinë

Çështja e Acromax Media u referohet mediave shqiptare, por ka një dimension ndërkombëtar njwkohwsisht. Acromax Media fiton para nga reklamat që shoqërojnë videot e klientëve të saj në internet. Për këtë arsye Aldor Nini dëshiron të parandalojë shpërndarjen e paautorizuar të përmbajtjes. Mund të jetë prodhuar nga stacionet televizive në Shqipëri, por pretendohet se në këtë treg nuk fitohen para.

Kontrata në dy gjuhë me një kompani mediatike thekson në mënyrë eksplicite se Acromax Media-s do t’i jepen të drejtat e përdorimit “pa kufizime rajonale”. Ka një arsye për këtë.

Një kontratë me kompaninë, e ngjashme me atë që netzpolitik.org dhe ARD FAKT kanë siguruar

Edhe nëse Acromax Media ia del të fshijë videot në gjuhën shqipe, kompania po shënjestron një tjetër lloj tregu të reklamave ndërkombëtare. “Shumica e të ardhurave tona gjenerohen në Gjermani. Për këtë arsye ne i referohemi kryesisht ligjit gjerman,” thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë.

Në bazë të cilit ligj gjykon Facebook-u?

Në fakt, nuk është gjithmonë plotësisht e qartë se cilat ligje ndjekin platformat kur vendosin të fshijnë postimet. Kjo bëhet e dukshme nga një kërkim në databazën e Lumen, një projekt hulumtues i Universitetit të Harvardit që dokumenton ankesat ndaj platformave.

Sipas një postimi në Lumen, Vimeo ka marrë vendime mbi disa shkelje të raportuara nga Acromax Media bazuar mbi ligjin amerikan. Kur u pyet nga ana jonë, Facebook nuk dëshironte të jepte infomacion se te cilat ligje ndërkombëtare bazoheshin për të marrë vendimet në të tilla raste.

Kjo është e rëndësishme, sepse ligji amerikan parashikon qartazi të ashtuquajturin “përdorim i drejtë”, i cili lejon edhe përjashtime nga ligji për të drejtën e autorit.

Adam Holland i qendrës Berkman Klein në Universitetin e Harvardit, i cili po mbikqyr projektin Lumen, nuk dëshiroi të komentonte specifikisht mbi pretendimet ndaj Acromax Media, por thotë: “Duke pasur parasysh kontekstin, një organizatë mediatike që merr disa sekuenca videoje nga intervista televizive e një politikani dhe i krahason ato me deklarata të tjera, ka të gjithë karakteristikat e një përdorimi të drejtë edhe pse, sërish, çdo rast ka specifikat e tij.”

Megjithatë, ligji gjerman për të drejtën e autorit është shumë më strikt.

Facebook hesht për marrëdhënien e tij me Acromax Media

Mbetet gjithashtu e paqartë se çfarë roli luan Facebook në fshirjet e materialeve video të postuara. Netzpolitik.org dhe ARD FAKT i kanë dërguar rrjetit social një listë të detajuar pyetjesh. I vetmi reagim ishte një deklaratë përgjithësuese, ku thuhet se kompania i merr seriozisht të drejtat mbi pronën intelektuale.

Në një rast specifik ne u përballëm me Facebook në lidhje me raportimet e postimeve individuale që pretendohet se ishin të rregullta. Facebook nuk dëshiroi të përgjigjet mbi pyetjet për marrëdhënien e tij me Acromax Media.

Megjithatë Acromax Media duket se është shumë i lidhur me botën e platformave në internet. Facebook fton përfaqësuesit e kësaj kompanie në konferenca.

Baroel Feza i “Nismës Thurje” akuzon Facebook-un se ka ndihmuar kompaninë e vendosur në Hamburg në aktivitetet e saj. “Problemi kryesor është se Facebook i lejon këta njerëz që t’ia hedhin paq,” thotë Feza.

Gjermania mban një pjesë të përgjegjësisë

Ndërkohë që kritikët e qeverisë po luftojnë për lirinë e shtypit dhe shprehjes në Shqipëri, “Reporterët pa Kufij” po vëzhgojnë një nivel të ri përshkallëzimi. Në të kaluarën, Edi Rama nuk e ka fshehur shpërfilljen dhe sulmet ndaj gazetarëve, duke i konsideruar ata si “kazanë plehrash” ndër të tjera.

Tani kreu i qeverisë duket se kërkon të ndërmarrë hapin tjetër. “Ne i druhemi zhvillimeve të pritshme, pasi qeveria ka bërë një ligj për të ndëshkuar lajmet e rreme, ose më saktë ato çfarë ajo konsideron se janë lajme të rreme,” thotë Christian Mihr.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka një marrëdhënie të vështirë me mediat e pavarura

Sipas këtij ligji, autoritetet shtetërore në Shqipëri marrin tagrin të gjykojnë vërtetësinë e lajmeve dhe të imponojnë ndëshkime shumë të rrepta në të ardhmen. Profesionistët e medias e shohin nismën kryesisht si një sulm ndaj botimeve të pavarura online – të tilla si “Faktoje” dhe “Exit News”. Këshilli i Europës i ka kërkuar Komisionit të Venecias të japë opinion për ligjin. Vlerësimi i saj do të përcaktojë nëse parlamenti shqiptar do ta miratojë atë.

Me akuzat kundër Acromax Media në sfond, Mihr tani e sheh Gjermaninë përgjegjëse që të ushtrojë influencë mbi Shqipërinë – veçanërisht në funksion të negociatave të mundshme mbi anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Në raportet e progresit të BE, p.sh., sulmet ndaj lirisë së medias duhet të dilnin në pah më qartë.

Zyra Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka deklaruar se nuk ka njohuri mbi kompaninë në Hamburg. Për këto arsye, nuk mund të vlerësojë aktivitetet e saj për momentin.

Një faqe e çaktivizuar Facebook-u papritur u kthye ‘online’ 

Më shumë se 6 muaj pasi “Exit News” raportoi mbi valën e fshirjeve të materialeve në Facebook,  një faqe aktivistësh shqiptarë, e cila ishte çaktivizuar në gusht si pasojë e postimeve, është riaktivizuar në mesin e muajit mars – pak pasi I drejtuam pyetjet tona Facebook-ut.

Faktoje.al gjithashtu kishte bërë publike në vjeshtë ndërhyrjet nga Acromax Media. Dy ditë pas intervistës me netzpolitik.org dhe ARD FAKT, në fillim të marsit, Aldor Nini u shfaq shumë i interesuar të na kontaktojë.

Sipas një screenshot, të dërguar, ai i ka shkruar një e-mail Faktoje.al.

Njeriu, i cili nuk sheh ndonjë faj në veprimet e tij, do të donte të bisedonte me gazetarët sesi mund të shmangin incidente të tilla në të ardhmen.

Nini na thotë se ai do të ishte i gatshëm të fliste edhe me “Exit News” dhe portalet e tjera – “pavarësisht konfliktit ligjor paralel”. Kompania nga Hamburgu duket se do t’u qëndrojë padive ligjore ndaj gazetarëve shqiptarë.

Kryeredaktorja e “Faktoje”, Viola Keta, gjithsesi, sugjeron se Acromax Media duhet të kontrollojë për veten e saj kriteret mbi bazën e të cilave kjo kompani punon – dhe të rikonsiderojë veprimet e ndërmarra. “Unë jam një gazetare dhe vë në dyshim gjithçka dhe ka shumë arsye pse i vë në dyshim”- thotë Keta. “Ka shumë kolegë që thonë se Acromax Media punon për qeverinë dhe kundër mediave”.

*Ne publikojmë dokumentet me tekst të plotë kurdo që është e mundur. Në këtë rast se kemi zgjedhur të mos bëjmë kështu për të mbrojtur burimet tone ose për shkak se mund të përmbajë të dhëna me ndjeshmëri të caktuar.

……………………………………………………………………

*Artikulli është përshtatur në shqip nga Faktoje

Linku në anglisht https://netzpolitik.org/2020/a-german-company-is-responsible-for-the-deletion-of-videos-critical-of-the-albanian-government

Linku në gjermanisht https://netzpolitik.org/2020/wie-eine-deutsche-firma-in-albanien-regierungskritische-videos-loeschen-laesst/

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img