BallinaAktiviteteFAKTOJE dhe Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve

FAKTOJE dhe Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve

Faktoje.al

Që prej vitit 2016-të, data 2 prill në gazetarinë botërore përfaqëson ditën ndërkombëtare të kontrollit të fakteve ose “International Fact checking day”. Edhe në Shqipëri kjo ditë kujtohet nga media e parë e kontrollit të fakteve “Faktoje.al”, e cila ka si qëllim kryesor të shkojë përtej deklaratave të politikanëve, zyrtarëve të ndryshëm, personave publikë por jo vetëm,  duke vërtetuar dhe ballafaquar me fakte ato që ata thonë.

Çdokush prej nesh kur dëgjon një premtim apo prononcim të udhëheqësve politik rishtaz në mendje i shkojnë disa pyetje si: A do të mbahet ky premtim? Është e vërtetë kjo deklaratë? Shumë premtohet por sa realizohen këto premtime?

Që prej fundit të shkurtit të vitit 2018, kohë kur “Faktoje” doli online, në web gjenden 257 materiale, ndër të cilat 63 janë të formatit video. Është për të ardhur keq, por jo e papritur se një pjesë e konsiderueshme e materialeve kanë rezultuar gënjeshtra. Pra, politikanët kanë premtuar ose kanë deklaruar përfundimin e një pune por realiteti qëndron krejt ndryshe. Për të dhënë një verdikt ndryshe, për të tërhequr vëmendjen e publikut, për të përdorur disi edhe sensin e humorit, “Faktoje” përzgjodhi të përdorë simbolin e gomarit për të kuptuar në fund të tekstit se çfarë është e vërtetë, gënjështër apo gjysmë e vërtetë në deklaratat e dhëna.

Përse na shërben verifikimi i fakteve?

Një ndër aspektet më elementare që mësohet në shkollat e gazetarisë është verifikimi i një lajmi në më shumë se dy burime. Shumë herë media shqiptare kthehet në zyrë marëdhëniesh me publikun e cila transmeton pa pushim ‘’punën e mirë’’ të qeverisë, ‘’kundërshtimin e ashpër’’ të opozitës, lartësimin e një figure politike apo gjithçka tjetër.

Të gjitha këto i gjen lehtësisht përveç verifikimit të hollësishëm të deklaratave. Në mjaft raste gjen po aq lehtësisht deklarata e materiale që qarkullojnë nëpërmjet kasetave të gatshme, njoftimeve që dërgohen në adresat e mediave online me citim, titull e strukturë të përcaktuar lajmi. Propagandë e pastër na sheh syri në jo pak raste kur një politikan apo zyrtar i lartë që ka në pronësi një media të caktuar, e përdor atë për të deklaruar atë që si shërben atij/asaj dhe jo atë që në fakt është në realitet. “Faktoje’’bën të mundur verifikimin e këtyre deklaratave duke i mundësuar lexuesit të përzgjedhë se çfarë apo cilin/ën të besojë.

Një ditë në redaksinë e “Faktoje.al”

Mediat që merren me verifikimin e deklaratave siç është për shembull “Faktoje”, kanë si qëllim ballafaqimin e deklaratave me fakte të vërteta, me raste edhe të pakontestueshme, për të sjellë në shërbim të audiencës ‘’anën tjetër të medaljes’’ pra të vërtetën qoftë ajo edhe e hidhur, ndryshe nga ajo që ‘’serviret’’ kryesisht nga politikanët.

Gjetja e deklaratave në “Faktoje” kryhet zakonisht duke monitoruar debatet televizive, duke bërë leximin periodik të gazetave, duke ndjekur programet e ndryshme në ekran dhe jo vetë, dukë ndjekur pothuajse të gjitha daljet publike të politikanëve dhe postimet e shumta në rrjete sociale, etj. Midis morive të deklaratave të cilat sipas rasteve ndodh të jenë edhe të paverifikueshme, stafi i “Faktoje” zgjedh ato deklarata të cilat kanë një interes më të lartë publik, deklarata që ndikojnë drejtpërdrejtë në xhepin e qytetarëve, tema dhe deklarata që lidhen me përditshmërinë e tyre në sektorë të ndryshëm si shëndetësia, arsimi, infrastruktura etj.

Për të ecur përpara dhe për t’u ngjitur sa më lart nuk mund të arrihet pa pasur parasysh dhe pa zbatuar në çdo rast Kodin Etik të Gazetarisë apo parimet bazë që zbatojnë të gjitha mediat “fact checking” në botë, dokumenta që shërbejnë dhe janë gjithmonë “bibla” e punës së gazetarëve që punojnë në këtë redaksi. “Faktoje.al” përpiqet në çdo rast të jetë tërësisht e paanshme dhe e pavarur. Me shumë devotshmëri dhe korrektesë, gazetarët e “Faktoje” gjithashtu përpiqen të tregohen të drejtë dhe transparentë në materialet e punuara duke përcjellë ndershmëri e profesionalizëm. Me synimin për të qenë të besueshëm, “Faktoje” kontrollon dhe verifikon faktet në disa burime.

I gjithë informacioni i nevojshëm për të mbërritur në konkluzionin nëse një deklaratë është e vërtetë, gjysmë e vërtetë, gënjeshtër, pa kategori, nëse është një premtim i mbajtur apo i pambajtur, merret nëpërmjet komunikimit zyrtar me institucionet që janë përgjegjëse për të dhënë këtë informacion. Ka edhe mjaft raste që deklaratat mund të verifikohen nëpërmjet inspektimit në terren.

Pavarësisht dëshirës dhe ambicies për të verifikuar sa më shumë deklarata, “sharra ngel në gozhdë” në disa institucione të cilat refuzojnë të japin informacion ose përgjigjen për një informacion të pakërkuar. Gjithsesi ne nuk dorëzohemi, madje inkurajojmë lexuesit që kanë dilema apo dyshime për deklaratat e politikanëve, të cilitdo krahu politik qofshin ata, të bëhen dhe ata pjesë e “Faktoje” dhe të na shkruajnë në “FAKTO EDHE TI”, një hapësirë për çdo deklaratë që mund t’i ketë shpëtuar vëmendjes sonë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img