BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookNdalimi i gjurmëve të avionit në qiell nuk është provë e spërkatjes me lëndë kimike

Ndalimi i gjurmëve të avionit në qiell nuk është provë e spërkatjes me lëndë kimike

Video e gjurmës së një avioni që ndërpritet në qiell nuk provon teorinë konspirative se avionët spërkasin me lëndë kimike. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se gjurma që lë pas avioni mund të ndërpritet në varësi të kushteve atmosferike.

——————————-

Në rrjete sociale po shpërndahet një video që tregon vazhdën e kondensimit që lë pas një avion, e cila, në një çast zhduket. Ajo po shpërndahet si provë e teorisë konspirative të kemtrajleve (chemtrails) që pretendon se vazhda që lënë pas avionët është në fakt spërkatje me kimikate nga ajri.

Spërkatja e kimikateve nga avionët (chemtrails) është një teori konspirative që pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.

Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, vazhdat e bardha që duken pas avionëve në qiell quhen vazhda kondensimi (contrails), përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”

Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagëshit, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.

Në videon e sipërme, ajo që konspiracionistët e shohin si ‘fikja’ e makinerisë spërkatëse është në të vërtetë një dukuri natyrore, e cila vërrehet edhe tek retë dhe është e mirëstudiuar.

Duke qenë se gjurmët e lëna pas nga avionët i bëjnë ato lehtësisht të dallueshëm, ushtria ka patur interes sjelljen e këtyre vazhdave të kondensimit që në Luftën e Dytë Botërore. Në 1958, shkencëtari H. Appleman botoi një grafik që mund të përdoret për të parashikuar kur një avion do të lëshonte vazhdë nga pas, në varësi të kushteve atmosferike si temperatura e ajrit, presioni atmosferik dhe lagështia. 

Grafiku i Appleman

Lexuesi i interesuar mund ta përdorë vetë këtë grafik, krahas disa mjetesh të tjera përllogaritjeje, të cilat janë të disponueshme online, për të vëzhguar efikasitetin e tij.

Pra, shfaqja e vazhdave së kondensimit të avionëve ndryshon në varësi të kushteve atmosferike. Zhdukja e tyre nuk provon teorinë konspirative të kemtrajleve, thjesht tregon një ndryshim në kushtet atmosferike.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img