Shifrat zyrtare/ 35 të mitur të arrestuar gjatë protestave, çfarë ndodh pas?!

Masat alternative dhe kushtet e kufizuara kur një fëmijë mund të dënohet me burgim

40
Një protestues i rrethuar nga policia gjatë përplasjeve te Ministria e Arsimit

Protestat e nisura në Tiranë që prej 13 tetorit, të cilat janë shoqëruar me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës, kanë sjellë edhe arrestimin e dhjetëra të miturve. 

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, të bëra publike për Faktoje, nga nisja e protestave prej 13 tetorit, në kryeqytet janë arrestuar 283 persona, prej të cilëve 35 janë të mitur të moshës 15 deri në 17 vjeç.

Në qarqet e tjera të vendit janë raportuar më pak se 30 arrestime, ndërsa, sipas të dhënave të disponueshme, nuk ka të mitur mes tyre.

Nga ana tjetër, policia nuk jep të dhëna për numrin e të miturve të shoqëruar në komisariate.

Në dy ditët e fundit, sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, policia shoqëroi 50 persona në Tiranë: 32 të rritur dhe 18 të mitur.

Ahmet Prençi, Komisioner, Drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës

Avokati i Popullit

Nga raporti i fundit i bërë publik nga komisioneri i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi, në Bllokun e Sigurisë u konstatua se qëndronin 118 të shoqëruar, ndonëse kapaciteti zyrtar i këtij ambienti është për 67 persona. Sipas raportit, disa prej tyre detyroheshin të flinin në dysheme.

Gjatë monitorimit u evidentuan edhe 6 të mitur, për të cilët u ngritën shqetësime lidhur me kushtet e mbajtjes dhe kontaktin me familjen e avokatin. 

“Në Bllokun e Sigurisë ku mbahen, nuk arritëm të identifikojmë dhomë të veçantë për fëmijët. Ankesat e administruara lidheshin me kufizimet për kontaktin me familjen dhe avokatin, si dhe mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje”,  raportoi Ahmet Prençi. 

Ndërsa dy ditë më parë, Prençi konstatoi si shqetësuese pretendimet e 5 të miturve për dhunë fizike dhe verbale në Komisariatin nr.1, ku te dy prej tyre janë vërejtur shenja të dëmtimit fizik.

Por, çfarë ndodh ligjërisht me këta të rinj? A mund të përfundojnë në burg për veprimet e dyshuara gjatë protestave dhe cilat janë garancitë që duhet t’u sigurohen nga policia, prokuroria dhe gjykata?

Për çfarë akuzohen të miturit?

Sipas njoftimeve të policisë për ngjarjet e ditëve të fundit, hetimet përfshijnë vepra të ndryshme penale që lidhen me dëmtimin e pronës, zjarrvënien, vjedhjen, përfshirë dyshimet për thyerjen dhe grabitjen e bankomateve ose bizneseve, goditjen e punonjësve për shkak të detyrës, kundërshtimin e punonjësve të policisë, shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, mbajtjen pa leje të armëve të ftohta, si dhe prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Arrestimi apo shoqërimi në polici nuk përbën provë të fajësisë dhe as nuk nënkupton se të gjithë të miturit ndodhen në të njëjtën fazë të procedimit penal.

Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Altin Hazizaj, i pyetur nga Faktoje për këtë çështje, thekson se përgjegjësia penale është individuale dhe duhet të provohet për secilin person.

“Pjesëmarrja në një protestë, edhe kur gjatë saj ndodhin akte dhune, nuk përbën automatikisht bazë për arrestimin apo burgosjen e një fëmije”, argumenton ai.

Sipas Hazizajt, organet e drejtësisë kanë detyrimin të hetojnë çdo akt të dyshuar si të paligjshëm, por duhet të provojnë veprimin konkret dhe rolin e secilit të mitur, pa i trajtuar ata si përgjegjës për veprimet e personave të tjerë.

Policia ndalon dy protestues te Ministria e Arsimit

A mund të burgoset një i mitur i arrestuar gjatë protestës?

Përgjigjja e ekspertit Hazizaj është po, por vetëm në kushte të kufizuara ligjore. Sipas nenit 97 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, burgimi si dënim mund të zbatohet vetëm kur plotësohen kushtet e posaçme të parashikuara nga ligji. 

Mes tyre, është që vepra penale të parashikojë një minimum dënimi prej 7 vjetësh burg dhe që izolimi të vlerësohet i domosdoshëm për shkak të natyrës dhe rrezikshmërisë së veprës, si dhe shkallës së fajësisë.

“Arresti në burg duhet të mbetet alternativa e fundit dhe të përdoret vetëm kur plotësohen kriteret ligjore, përfshirë vlerësimin e rëndësisë së veprës dhe të rreziqeve konkrete që nuk mund të shmangen përmes masave më të lehta. Prandaj, fakti që një i mitur është arrestuar, nuk do të thotë se ai do të përfundojë në burg, as se gjykata do të vendosë domosdoshmërisht një masë që kufizon rëndë lirinë e tij”, – thekson Hazizaj.

Sa mund të dënohet një i mitur?

Për të kuptuar pasojat e mundshme penale, duhet dalluar vepra konkrete, pasi emërtimet e përdorura në njoftimet e policisë nuk përputhen gjithmonë me klasifikimin përfundimtar juridik.

Neni 150 i Kodit Penal parashikon për shkatërrimin e pronës dënim me gjobë ose burgim deri në tre vjet. 

Në raste të tjera, në varësi të veprimit të dyshuar dhe rrethanave, mund të shqyrtohen dispozita që lidhen me zjarrvënien, vjedhjen me dhunë ose kundërshtimin dhe goditjen e punonjësve të policisë.

Sipas Hazizajt, kur një vepër parashikon deri në 3 vjet burg për një të rritur, nuk mund të zbatohet automatikisht i njëjti dënim për një të mitur.

“Kur një vepër penale parashikon deri në tre vjet burgim për një të rritur, ndaj të miturit nuk mund të jepet dënim me burgim sipas nenit 97 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, sepse nuk plotësohet kushti i minimumit ligjor prej shtatë vjetësh”, shpjegon eksperti.

Ai nënvizon se nuk është e saktë të llogaritet automatikisht gjysma e dënimit të parashikuar për të rriturit, për shembull 18 muaj burgim për një vepër që parashikon deri në tre vjet.

“Për vepra të kësaj natyre, drejtësia për të mitur i jep përparësi shmangies nga ndjekja penale, drejtësisë restauruese, masave edukative dhe dënimeve alternative të përshtatshme. Synimi kryesor duhet të jetë rehabilitimi dhe riintegrimi i fëmijës, jo ndëshkimi përmes izolimit”, vijon drejtori i CRCA-së.

Protestues përplasen me policinë te Ministria e Arsimit

Garancitë ligjore gjatë arrestimit dhe marrjes në pyetje?

Përveç kufijve të dënimit, legjislacioni shqiptar parashikon garanci të posaçme për të miturit gjatë kontaktit me policinë, marrjes në pyetje dhe caktimit të masave të sigurimit.

Altin Hazizaj shpjegon se çdo i mitur duhet të informohet menjëherë, në një gjuhë që mund ta kuptojë, për arsyet e kufizimit të lirisë dhe për të drejtat e tij. 

Në rast arrestimi ose ndalimi, duhet të njoftohet menjëherë prindi ose kujdestari, në përputhje me rregullat ligjore.

Eksperti thekson se gjatë marrjes në pyetje duhet të garantohen mbrojtja ligjore dhe asistenca e psikologut, sipas kërkesave të legjislacionit për të miturit. 

Fëmija ka të drejtë të heshtë, të mos vetëinkriminohet dhe të mos i nënshtrohet dhunës fizike apo psikologjike.

Sipas interpretimit të tij, deklarimet e marra pa praninë e mbrojtësit nuk mund të përdoren si prova. 

Policia ndalon një protestues

Hazizaj kujton se marrja në pyetje e të miturit ndalohet nga ora 22:00 deri në 08:00, ndërsa në rastet e arrestimit ose ndalimit duhet të respektohen afatet ligjore për paraqitjen përpara gjykatës dhe kontrollin gjyqësor.

Për masën e sigurimit, “gjykata duhet të vlerësojë rrethanat e rastit dhe të shqyrtojë nëse mund të përdoren masa më të lehta, si mbikëqyrja nga familja ose nga një shërbim i specializuar”, – vazhdon ai.

Arresti në burg nuk duhet të vendoset pa u shqyrtuar mundësitë e tjera të lejuara nga ligji. 

Sipas ekspertit, edhe kur kjo masë caktohet, ajo duhet të rishikohet periodikisht, në përputhje me kërkesat ligjore.

Çfarë ndodh nëse ndryshon mosha e përgjegjësisë penale?

Çështja e përfshirjes së të miturve në akte dhune gjatë protestave ka rikthyer në debat edhe moshën në të cilën një person mund të mbajë përgjegjësi penale.

Më 20 tetor, gjatë një takimi me drejtues të shkollave të mesme në Tiranë, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po shqyrton mundësinë e uljes së moshës së përgjegjësisë penale.

Sipas legjislacionit në fuqi, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. 

Kjo do të thotë se një 15-vjeçar mund të mbajë përgjegjësi për një krim, por jo për një kundërvajtje penale, në përputhje me kufijtë e përgjithshëm ligjorë.

Megjithatë, ulja e moshës së përgjegjësisë penale nuk do të thotë vetvetiu se çdo fëmijë më i vogël do të mund të burgoset. 

Përgjegjësia penale, llojet e masave që mund të zbatohen dhe garancitë procedurale janë çështje të ndryshme juridike.

Protestues te Ministria e Arsimit

E drejta për të protestuar dhe përgjegjësia individuale

Për ekspertin Hazizaj, thelbi i çështjes qëndron te dallimi mes ushtrimit të së drejtës për të protestuar dhe kryerjes së një vepre penale gjatë një proteste.

“Ushtrimi i së drejtës së protestës nuk është krim”, thekson ai, duke shtuar se fëmijët nuk mund të trajtohen si të rritur në sistemin penal dhe as të ndëshkohen kolektivisht për veprimet e personave të tjerë.

Kjo nuk i përjashton të miturit nga përgjegjësia për veprime të paligjshme që provohen sipas ligjit. 

Por çdo procedim duhet të mbështetet në prova konkrete, të respektojë të drejtat e mbrojtjes dhe të marrë parasysh rregullat e posaçme të drejtësisë për të mitur.

“Shteti ka detyrimin të hetojë çdo akt të paligjshëm, por edhe të mbrojë fëmijët nga arrestimet arbitrare, dhuna dhe masat joproporcionale. Kjo është një detyrë ligjore, jo një zgjedhje e policisë apo e gjykatës”, përfundon Hazizaj.