Pretendimi: Ky imazh tregon një fluks të lartë automjetesh që po hyjnë nga Kosova drejt Shqipërisë mes pikës kufitare të Morinës me agjentë serbë që duan të inflitrohen në protestat studentore në Shqipëri
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————————————
Një imazh që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon një fluks të lartë automjetesh që po hyjnë nga Kosova drejt Shqipërisë mes pikës kufitare të Morinës.

Aludohet se këto automjete mund të transportojnë agjentë të shërbimit sekret serb që janë nisur drejt Tiranës për të infiltruar protestat studentore që vijojnë në Shqipëri prej 13 tetorit dhe për të përshkallëzuar trazirat.
Postimi, megjithatë, nuk paraqet emra, dokumente, të dhëna policore apo deklarata të ndonjë institucioni që ta mbështeste akuzën. E vetmja provë është imazhi i mësipërm.
Megjithatë, ai nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Kolonat në Morinë nuk janë fenomen që nisi me protestat.
Më 1 tetor, pothuajse dy javë para protestës së 13 tetorit, ishte raportuar rikthimi i kontrolleve kufitare dhe krijimi i radhëve në Morinë. Sipas raportimit, regjimi sezonal parashikonte kontrolle gjatë periudhës 1-31 tetor, pas kalimit të lehtësuar gjatë muajve të verës.
Ky imazh dhe pretendimi që e shoqëron është përgënjeshtruar edhe nga kolegët kosovarë të Hibrid.






