BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMjeku i rremë shqiptar këshillon sekretin e jetëgjatësisë

Mjeku i rremë shqiptar këshillon sekretin e jetëgjatësisë

Skemat e mashtrimit në portale me mjekë të rremë, me qëllim shitjen e preparateve të ndryshme mbeten shumë krijuese. “Faktoje” verifikoi një tjetër rast të një produkti për pastrimine e enëve të gjakut, si këshilla e radhës e gënjeshtërt.

Në një artikull të publikuar më 10 maj, portalet kanë ofruar një preparat për pastrimin e enëve të gjakut, duke përdorur një person 97-vjeçar, i cili pretendohet se është kardiolog.

Mosha – nuk është pengesë për jetën! Akademiku 97-vjeçar tregoi mbi sekretin e jetëgjatësisë dhe shëndetit të shkëlqyer”-shkruan portali që mban emrin ‘Happy Shop’.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

Më tej portali shkruan se mjeku që mban emrin Endri Qamili, 97 vjeç tregon me detaje ‘metodën e tij për pastrimin e enëve dhe zgjatjen e jetës’.

Nisur nga interesi publik mbi çështjet shëndetësore, ne bëmë një verifikim të këtij artikulli që ofron këshilla mjekësore. Fillimisht bëmë një kërkim në internet në lidhje me këtë emër dhe nuk rezulton që në Shqipëri të ketë pasur një kardiolog të quajtur Endri Qamili.  Përpos kësaj, kjo media online ka publikuar edhe një foto ku pretendohet se është mjeku 97-vjeçar. Ne bëmë një verifikim të saj, ku rezulton se imazhi është thjesht ilustrues dhe qarkullon kudo në internet në faqe të ndryshme ruse.

Vihet re se edhe në faqe të ndryshme në gjuhën ruse është përdorur kjo foto për të prezantuar preparate të ndryshme.

Gjitashtu, nga kërkimi online konstatuam se artikulli i faqes ‘Happy Shop’ është përkthyer nga këto faqe, pasi shumë elementë janë të njëjtë, me ndryshimin e vetëm që në këtë portal prezantohet si mjek shqiptar dhe me një tjetër preparat.

Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka konfirmuar për Faktoje se preparate të tilla, në këtë rast ‘Hypertea’, nuk janë barna, por shtesa ushqimore.

Artikulli në fjalë është duke përdorur një model marketingu që krijon besimin tek medikamentet apo produktet e ndryshme që promovon duke i “shitur” ato si këshilla të mjekëve profesionistë. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portale të caktuara dizinformojnë lexuesit, duke përdorur mjekë të rremë për shitjen e medikamenteve apo trajtimeve mjekësore të ndryshme.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img